Në emër të Ipeshkvinjëve dhe të gjithë katolikëve në Shqipëri i uroj Papa Leonit XIV zgjedhjen e tij në krye të Kishës katolike.
Kardinalët sot i dhanë një Ipeshkëv Romës dhe një Bari Kishës Universale. Ne e falenderojmë Zotin dhe i lutemi që Papa të ketë ndihmën dhe mbrotjen e Hyjit e të Zojës së Këshillit të mirë.
Katolikët shqiptarë kanë qenë gjithmonë besnikë ndaj Papës deri në martirizim. Edhe Papa Leonit XIV i ripërtërijmë besnikërinë dhe bindjen tonë si pasardhës i Pjetrit në krye të Kishës së Romës.
Jam i sigurtë se të gjithë shqiptarët ushqejnë një afeksion të sinqertë ndaj Papës pavarësisht besimit të tyre. Shpresojmë që shumë shpejt ta shohim Papën në Shqipëri.
Dom Gjergj Meta
President i KISH-it