9.5 C
Tirana
HomeKryesorMISTERI I PASHKËVE
HomeKryesorMISTERI I PASHKËVE

MISTERI I PASHKËVE

(Në Katekizmin e Kishës Katolike)

JEZU KRISHTI PËSOI MUNDIMET NËN PONCIN
PILAT, U KRYQËZUA, VDIQ E U VARROS.
TË TRETËN DITË U NGJALL PREJ TË VDEKURVE.

Misteri pashkor është një ngjarje e shënuar e njëmendtë, që ka ndodhur në historinë tonë, por është unike: të gjitha ngjarjet e tjera të historisë ndodhin një herë, pastaj kalojnë, e kaluara i përpin.

Misteri pashkor një herë e përgjithmonë

Misteri pashkor i kryqit dhe i ngjalljes së Krishtit është në qendër të Lajmit të Mirë që Apostujt dhe, pas tyre, Kisha, duhet t’i kumtojnë botës. Plani shpëtimtar i Hyjit është kryer një herë e përgjithmonë (Heb 9,26) me vdekjen shëlbuese të Birit të vet, Jezu Krishtit (571).

Duke kremtuar Darkën e Fundit me Apostujt e vet gjatë një gostie pashkore, Jezusi i ka dhënë Pashkës hebraike kuptimin e vet përfundimtar. Në të vërtetë, Pashka e re, kalimi i Jezusit tek Ati nëpërmjet vdekjes dhe ngjalljes së tij, hershohet nga Darka dhe kremtohet me Eukaristinë, që përmbush Pashkën hebraike dhe hershon Pashkën përfundimtare të Kishës në lavdinë e Mbretërisë (1340).

Ditën e Rrëshajëve (në mbarim të shtatë javëve pashkore), Pashka e Krishtit përmbushet në zbrazjen e Shpirtit Shenjt, që shfaqet, dhurohet dhe komunikohet si Person hyjnor: nga plotësia e vet, Krishti Zot e jep me begati Shpirtin (731).

Krishti na bashkon me Pashkën e vet. Të gjitha gjymtyrët duhet të përpiqen që të përngjashmohen me të, derisa në ta «të formohet Krishti» (Gal 4,19). «Prandaj jemi lidhur në misteret e jetës së tij […]. Si trupi me Kryet përfshihemi në vuajtjet e tij dhe vuajmë së bashku me të, që të jemi të lavdëruar me të» (793).

Misteri pashkor kremtohet, nuk përsëritet, në liturgjinë e Kishës

Në Liturgjinë e Kishës, Krishti shënon dhe realizon kryesisht misterin e vet pashkor. Gjatë jetës së vet tokësore, Jezusi kumtonte me anë të mësimit dhe hershonte me vepra misterin pashkor. Si erdh ora e tij, ai jetoi ngjarjen e vetme të historisë që nuk kalon: Jezusi vdes, varroset, ngjallet nga të vdekurit dhe rri në të djathtën e Atit «njëherë e përgjithmonë» (Rom 6,10; Heb 7,27; 9,12). Është një ngjarje e shënuar e njëmendtë, që ka ndodhur në historinë tonë, por është unike: të gjitha ngjarjet e tjera të historisë ndodhin një herë, pastaj kalojnë, e kaluara i përpin. Ndërsa misteri pashkor i Krishtit nuk mund të mbetet vetëm në të kaluarën, përderisa me vdekjen e vet ai e ka shkatërruar vdekjen dhe çdo gjë që Krishti është, çdo gjë që e ka kryer dhe e ka vuajtur për të gjithë njerëzit, bën pjesë në amshimin hyjnor, prandaj i përfshin të gjitha kohët dhe është e pranishme në to. Ngjarja e shënuar e Kryqit dhe e ngjalljes mbetet dhe tërheq çdo gjë drejt jetës (1085).

Liturgjia e krishterë jo vetëm i kujton ngjarjet e shënuara në të cilat është kryer shpëtimi ynë; ajo i vë në jetë, i bën të pranishme. Misteri pashkor i Krishtit kremtohet, nuk përsëritet; kremtimet janë ato që përsëriten; në secilin prej tyre ndodh zbrazja e Shpirtit Shenjt që vë në jetë të njëjtin mister (1104).

Misteri pashkor përkujtohet në Eukaristinë e shenjtë

«Sipas Traditës apostolike, që zë fill nga vetë dita e ngjalljes së Krishtit, Kisha kremton misterin pashkor çdo tetë ditë, në atë që quhet me të drejtë Dita e Zotit ose e diel». Dita e ngjalljes së Krishtit është njëkohësisht «dita e parë e javës», përkujtimore e ditës së parë të krijimit, dhe «dita e tetë», në të cilën Krishti, pas «pushimit» të tij të së Shtunës së madhe, përuron ditën «që Zoti e ka bërë», «ditën që nuk njeh perëndim». «Darka e Zotit» përbën qendrën, sepse tek ajo mbarë bashkësia e besimtarëve takon Zotin e ngjallur që e fton në gostinë e tij (1166).

E diela është mirëfilli dita e mbledhjes liturgjike, ditë në të cilën besimtarët mblidhen, në mënyrë që, «duke dëgjuar Fjalën e Hyjit dhe duke marrë pjesë në Eukaristi, të përkujtojnë mundimet, ngjalljen dhe lavdinë e Zotit Jezus dhe të falënderojnë Hyjin që i ka rilindur për një shpresë të gjallë nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit prej të vdekurve» (1167).

«O Krisht, kur sodisim mrekullitë e kryera në këtë ditë të diel të ngjalljes sate të shenjtë, ne themi: Qoftë bekuar dita e diel, sepse me të ka zënë fill krijimi, […] shpëtimi i botës, […] ripërtëritja e gjinisë njerëzore […]. Në të qielli e toka u bënë shend e verë dhe mbarë gjithësia është mbushur me dritë. Bekuar qoftë dita e diel, sepse me të u hapën dyert e parajsës, në mënyrë që Adami dhe të gjithë ata që u larguan prej saj të mund të hyjnë pa frikë në të» [Fanqîth, Breviari sipas ritit të Kishës Antiokene të Sirianëve, v. 6, (Mosul, 1886) fq. 193b.].

Misteri pashkor shpaloset gjatë vitit liturgjik

Duke u nisur nga Triditëshi i Pashkëve, si nga një burim drite, koha e re e ngjalljes e përshkon gjithë vitin liturgjik me shkëlqimin e vet. Në mënyrë progresive, nga njëra e nga tjetra anë e këtij burimi, viti shndërrohet nga liturgjia. Ai përbën përnjëmend vitin e hirit të Zotit. Ekonomia e shpëtimit është në veprim gjatë zhvillimit të kohës, por pas plotësimit të saj në Pashkën e Jezusit dhe në zbritjen e Shpirtit Shenjt, përfundimi i historisë hershohet, «parashijohet», dhe mbretëria e Hyjit hyn në kohën tonë (1168).

Prandaj Pashka nuk është një festë si të gjitha të tjerat, ajo është «festa e festave», «solemniteti i solemniteteve», ashtu si Eukaristia që është sakramenti i sakramenteve (sakramenti i madh). Shën Atanazi e quan «e Diela e Madhe», ashtu si Java e shenjtë në Lindje quhet «Java e Madhe». Misteri i ngjalljes me të cilin Krishti ka asgjësuar vdekjen, përshkon me energjinë e vet të pushtetshme kohën tonë të vjetër, deri sa t’i nënshtrohet çdo gjë (1169).

Viti liturgjik është shpalosja e aspekteve të ndryshme të të njëjtit mister pashkor. Kjo është e vërtetë sidomos për ciklin e festave që lidhen me misterin e mishërimit (Lajmërimi, Krishtlindja, Dëftimi i Zotit), të cilat përkujtojnë fillimet e shpëtimit tonë dhe na përcjellin frytet e para të misterit të Pashkëve (1171).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme