Shkëlqesi fort e Nderuar,
I dashur Giovanni,
Në emër të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, të uroj përzemërsisht për emërimin tënd si Arqipeshkëv Koadiutor i Arkidioqezës Metropolitane Shkodër-Pult.
Emërimi yt, i shpallur sot, një ditë pas Rrëshajës, është një moment gëzimi, por edhe reflektimi për Kishën në Shqipëri. Pas një iter-i të gjatë e të mundimshëm, më vjen të mendoj se Papa Françeskut i është dashur të kërkojë e më në fund të gjejë, ndërmjet klerit misionar, njeriun e duhur, të pajisur me një zell të palodhshëm ungjillëzues, të shpërfaqur dukshëm përgjatë gjithë ketyre viteve. Është më se e qartë se ky zell është kërkuar dhe vlerësuar si një element i domosdoshëm për t’iu përgjigjur një nevoje ripëtëritjeje të entuziazmit misionar në Dioqezën e Shkodër-Pultit, por jo vetëm.
Përveç kësaj, i dashur Giovanni, karakteri yt i ndjeshëm e karizma jote e urtisë do të jenë me siguri katalizatorë përbashkues midis thirrjeve, karizmave dhe prejardhjeve të ndryshme, për krijimin e urave komunikuese dhe të një fryme sinodale, aq të nevojshme dhe urgjente, qoftë në Arkidioqezën e Shkodër – Pultit, qoftë brenda Konferencës Ipeshkvore, ku ti aktualisht mbulon detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Shkëlqesi e Nderuar, të mbështesim me lutjen tonë në këtë rrugëtim të ri që Hyji ta ka besuar nëpërmjet Papa Françeskut.
Zoti të bekoftë!
Vëllazërisht në Krishtin,
+ Gjergj Meta
Ipeshkëv i Rrëshenit
President i KISH-it