7.5 C
Tirana
HomeKISHKardinal Simoni: kam kremtuar në qeli e kanalizime ujërash të zeza, Zoti...
HomeKISHKardinal Simoni: kam kremtuar në qeli e kanalizime ujërash të zeza, Zoti...

Kardinal Simoni: kam kremtuar në qeli e kanalizime ujërash të zeza, Zoti më ka shpëtuar nga vdekja

Intervistë me kardinalin shqiptar, të cilin Françesku e përmendi në Audiencën e përgjithshme si një “martir i gjallë”, duke e falënderuar për dëshminë dhe shërbimin ndaj Kishës: “Nderimi i Atit të Shenjtë është një lule për mbarë Kishën”. Në moshën 95-vjeçare, udhëton nëpër botë për të kremtuar Meshë, për të vizituar shenjtërore e për të kryer ekzorcizma: “Më telefonojnë deri në 50 herë në ditë”. Besimtarëve që, sot, persekutohen ai u siguron: “Vuajtja do të kthehet në gëzim. Jemi udhëtarë kalimtarë”

Teksa fliste me mediat e Vatikanit në një dhomë në Casa Santa Marta ku ai është mysafir, telefoni i kardinalit Ernest Simoni – kardinali shqiptar që i mbijetoi persekutimit të regjimit komunist dhe që papa e përmendi në Audiencën e përgjithshme si “martir i gjallë” – bie të paktën dhjetëra herë në ditë. “Kam dy celularë”, tregon ai, “një për Evropën, një për Amerikën. Më telefonojnë nga e gjithë bota… Pothuajse 120 telefonata në ditë”. Rreth pesëdhjetë janë kërkesa për ekzorcizëm ose lutje lirimi. I bën në latinisht, e njëjta gjuhë me të cilën kremtonte Meshë në mënyrë klandestine nga qelia në të cilën e kishin kyçur sepse ishte “armik” i atij që, presidenti i atëhershëm Enver Hoxha, e kishte shpallur “shteti e parë ateist në botë”.

Lidhur me ato ditë, Kardinali, françeskan konventual, ka kujtime të gjalla: Mesha në orën 2 të natës ose pas hekurave me bukë të pjekur në furnelë dhe verë të cilën e nxirrnin duke shtrydhur vilet e rrushit, liturgjitë në kanalet e ujërave të zeza dhe “miqtë” myslimanë që qanin sepse ishin “të tërhequr nga Shpirti Shenjtë”. Sot, në moshën 95-vjeçare, Simoni “vazhdon të punojë për Kishën”, sikurse tha Papa. Ai e bën këtë gjë duke u lutur – vazhdimisht –, duke praktikuar ekzorcizma, duke shkuar në shenjtërore në Itali, në Evropë, në Shtetet e Bashkuara. Nuk është i lodhur dhe nuk i njeh asnjë meritë vetes: “Kjo është e gjitha hir dhe mbrojtje hyjnore”. I pëlqen të flasë e të tregojë histori, bën gjestikulacione ndërsa flet ose shtrëngon gishtat neje-neje si në lutje. Ndonjëherë duket se flet me vështirësi; kurrë nuk e përfundon një fjali pa falënderuar Jezusin dhe Zojën ose pa thënë një citim fjalë për fjalë nga Bibla.

Eminencë, sot Papa ju përshëndeti dhe ju falënderoi para të gjithë besimtarëve në sallën Pali VI, duke ju quajtur “martir i gjallë”. Çfarë ndikimi kanë këto fjalë te ju?

Me Atin e Shenjtë u takuam mbrëmë për darkë, ndërsa këtu, u përshëndetem dhe kemi diskutuar çështje feje. Sot, në një formë që nuk e prisja, këtë nderim… Por ishte një lule për Kishën, popullin dhe Jezusin që është ati i të gjithë njerëzve. Është Ai që më ka shpëtuar nga vdekja në një mënyrë të veçantë. Jam gjallë falë Zotit. Edhe kur isha famullitar ndër male të Shqipërisë, shumë larg, katër herë kam rrezikuar të rrëshqitja në akull e të bija në një humnerë një mijë metrash. Dhe kam shpëtuar… Gjithçka është provani hyjnore, gjithçka është hir hyjnor.

Ju keni përjetuar tmerrin e burgimit, izolimit, persekutimit dhe torturës. Çfarë kujtoni nga ajo periudhë, nga ajo periudhë e gjatë?

Nuk dua të zgjatem, por shumë gjëra… Dy herë para se të më arrestonin, për shembull, kremtuam Meshën në orën 2 të natës dhe të dyja herët shumë besimtarë kanë parë një trupore të Shna Ndoit duke qarë. Pastaj, gjithnjë falë Zotit që më ruajti e më mbrojti, arrita të kremtoj Meshën në mënyrë klandestine në burg, përmendësh, në latinisht. E njoh latinishten si gjuhën shqipe; ne kishim një metodë të stilit gjerman me të cilën mësuam gjuhët klasike. Në Meshë kishte myslimanë që qanin: miq, miq shumë të mirë, me lot për faqe sepse i tërhiqte Shpirti Shenjt. Ishte pikërisht një profesor mysliman, shumë i sjellshëm, dhe gruaja e tij, që merrnin rrush nga frigoriferi. Ne e shtrydhnim për të bërë verë.

Po bukën?

Kishim furnela të vogla për të ngrënë në burg dhe me bukën që na jepnin bënim hostet. Kremtonim në ato kushte që ishin të mundshme… Kam kremtuar Meshë edhe në kanalet e ujërave të zeza, para 200 njerëzve. Nëse dikush do të më kishte paditur, do të më kishin varur. Ka qenë mbrojtja hyjnore, në të gjitha format. Asnjë meritë e imja.

Ju i keni falur menjëherë torturuesit tuaj. Përse?

Feja katolike! Jezusi me dashuri të pafund ka treguar dashuri dhe i do të gjithë njerëzit dhe thotë se gëzimi më i madh në Qiell do të jetë për një mëkatar që kthehet e shpëtohet e jo për miliarda engjëj e shenjtër. “Kam ardhur për mëkatarët…”. Kush ka një tru të kthjellët duhet ta vërë Jezusin në vendin e parë.

Njerëzve që, si ju, sot vuajnë nga persekutimi – Papa foli këtë mëngjes për shumë martirë – çfarë inkurajimi do të dëshironit t’u jepnit?

Jezusi ka thënë: “Sikurse më salvuan mua, do t’ju salvojnë edhe ju”. Por, kini kujdes, vuajtja juaj do të kthehet në gëzim. Askush nuk do të mund t’jua heqë gëzimin. Gjithçka është këtu, sepse jemi udhëtarë, kalimtarë…

Kardinal Simoni gjatë intervistës në Casa Santa Marta

Po në lidhje me këtë moment historik të botës së plagosur nga luftërat, çfarë ndjeni të thoni?

Vëllazëri, vëllazëri, vëllazëri, dashuri vëllazërore. Të predikojmë dashurinë e skajshme për njerëzit. Parajsa na pret të gjithëve. Unë flas për dashurinë e pafund të Hyjit e të Jezusit për të gjithë njerëzit, të çdo besimi, të çdo populli në botë. Ai është ati i të gjithëve, e ka derdhur gjakun për të gjithë.

Ju jeni 95 vjeç dhe vazhdoni t’i shërbeni Kishës, sikurse tha sot Papa…

Është gjithmonë hiri i Zotit që unë mund të shkoj në Itali, në Evropë, në Amerikë. Kam qenë 25 herë në Amerikë, kam kremtuar shumë Meshë, aty jetojnë 700 mijë shqiptarë katolikë. Jam i shuguruar prej 55 vitesh, nuk e kam besuar kurrë se do të bëhesha kardinal, falënderoj Zotin sepse ma ka dhënë hirin e veçantë që të jem pranë shpirtrave, t’i pajtoj shpirtërisht. Gjithashtu falënderoj gjithmonë Zojën, Padre Pion dhe Gjon Palin II që më ndihmon në ekzorcizma: disa më kanë thënë se e kanë parë… Sikurse thotë Shën Augustini, mos të kalojë asnjë ditë pa një vijë, një gisht, drejtuar kah jeta e pasosur. Për shëndetin? Mosha numërohet me vite, por shëndeti është në duart e Zotit. Ne qajmë kur vdes dikush, por materia vdes, shpirti është i pavdekshëm.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme