Të dashur Ipeshkëvinjë, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë.
Në dokumentin “Donum Vitae”, Papa Benedikti XVI na kujton se “çdo qenie njerëzore duhet të mirëpritet gjithmonë si një dhuratë dhe bekim nga Hyji.” Sigurisht që çdo kulturë, në çdo cep të botës, e mirëpret jetën sipas traditave të veta të krijuara ndër shekuj. Mirëpo, fjalët që godasin në këtë shprehje kaq të thjeshtë janë “duhet” dhe “gjithmonë”, sepse historia njerëzore ka treguar dhe na tregon edhe sot e kësaj dite se jo çdo jetë njeriu është e mirëseardhur.
Kisha na mëson se njeriu ka vlerë pikërisht sepse është njeri. Vetë jeta njerëzore që ka, fakti i thjeshtë që ky njeri ka ardhur në ekzistencë, është vlera e tij. Në këtë këndvështrim, merr kuptim lutja dhe vepra e çdo të krishteri për mbrojtjen e krejt jetës njerëzore, që nga ngjizja deri në vdekjen natyrore, në një botë që vlerëson vetëm ato faza jete që “vlejnë për aq sa kanë çka japin”. Sipas logjikës “sa kam” dhe “sa jap”, fetusi, i moshuari, i sëmuri mendor, i paralizuari apo ai me aftësi ndryshe nuk vlejnë sepse as kanë dhe as kanë çfarë japin. Kultura e Jetës, përkundrazi, duke e parë gjithmonë çdo jetë njerëzore si një dhuratë të papërsëritshme nga Krijuesi ynë, ia jep vlerën që iu takon edhe atyre që, në sytë e botës, nuk vlejnë.
Duke iu afruar kremtimit të Ditës II për Jetën, dëshirojmë që ta kthejmë vëmendjen e të gjithë besimtarëve kah mrekullia e kësaj dhurate të jetës njerëzore, e cila, pavarësisht kushteve dhe rrethanave në të cilat ngjizet dhe vjen në mesin tonë, mbetet gjithmonë e mistershme dhe e papërsëritshme.
Kremtimi i Ditës II për Jetën, për këtë vit, do të jetë më datë 4 shkurt 2024 me temën: “Jeta është dhuratë gjithmonë!”
Çdo Dioqezë dhe çdo bashkësi famullitare është e thirrur që, në përgatitje të kësaj dite, të reflektojë dhe meditojë më shumë mbi vlerën e jetës njerëzore si dhuratë prej të Tejetlartit Zot. Këshillohet organizimi i veprimtarive të ndryshme si: adhurimi Eukaristik, konferenca ose takime tematike me të rinjtë dhe familjet, panaire, marshime, shfaqje filmash kushtuar mbrojtjes së jetës, etj.
Ju nxisim, prandaj, që të ndërmerren nisma për mbrojten dhe përnxitjen e dhuratës së jetës sidomos me të rinjtë dhe familjet.
Dhënë nga Komisioni Kombëtar për Laikët, Familjen dhe Jetën, më 7 janar 2024.
Imzot Ottavio Vitale, rcj
President i Komisionit të KISH-it për Laikët, Familjen dhe Jetën