Jemi fryt i një historie, i një zinxhiri të gjatë historish jete, i një rrjeti marrëdhëniesh që na bëjnë vëllezër e motra, edhe me ata që na kanë paraprirë. Ja përse urtia e devocionit popullor ka rrokur gjithmonë, në Lindjen e Marisë, mrekullinë e një premtimi që ripërtërihet, të një stine që mbyllet për t’i dhënë jetë diçkaje të re.
Me pak fjalë, në këtë ikonë ruhet rrënja e një historie që i jep kuptim kohës dhe drejton hapat tanë. Prandaj, të kremtosh Lindjen e Virgjërës së Bekuar do të thotë të vazhdojmë të shikojmë drejt atyre fakteve me të cilat jeta jonë është e rrethuar që në fillim. Ngjarje të vogla dhe të mëdha në të cilat plani hyjnor zbulohet pak nga pak.
Sipas traditës, lindja e Marisë është “preludi” i lindjes së Jezusit e kësisoj është një hap themelor në historinë e shpëtimit që kulmon me mishërimin. Ky përvjetor, që zuri fill në Lindje dhe u mor në Perëndim në shekullin VII nga Papa Sergius I, është si agimi që paralajmëron ardhjen e dritës së diellit: njëmend, jo rastësisht, vetëm për Marinë dhe shën Gjon Pagëzuesin – përveçse për Jezusin – kujtohet lindja.
Në një lloj “pedagogjie liturgjike” të rrënjosur në ndjenjën e përbashkët të fetarisë popullore, festa e sotme na kujton se jeta jonë është një projekt, me një fillim që na është dhënë si dhuratë dhe një fund, përqafimi në dashurinë e pafund të Hyjit, të cilin duhet ta “arrijmë” çdo ditë me zgjedhjet tona por mbi të gjitha me “po”-në tonë ndaj Hyjit duke ndjekur shembullin e Marisë.
Edhe për këtë arsye përvjetori i sotëm merret si një derë hyrëse për në vitin baritor: në këtë mënyrë kujtohet se veprimtaria e Kishës nuk është gjë tjetër veçse fryt i angazhimit për të sjellë Krishtin në botë çdo ditë.