Të Rinjtë Katolikë Shqiptarë do të jenë pjesë e ngjarjes më të madhe Kishtare në nivel botëror, në takim me Papa Françeskun, në Ditën Botërore të Rinisë, Lisbonë 2023
Siç tashmë e dimë, në verë të këtij viti zhvillohet ngjarja më e madhe kishtare për të rinjtë, që është takimi i të gjithë të rinjve të botës me Papa Françeskun në Lisbonë të Portugalisë, nga data 1- 6 gusht.
Edhe për Kishën tonë në Shiqpëri përgatitja për këtë ngjarje ka filluar që vitin e kaluar, ku bashkë me një të ri, pjesë e Komisionit Rinor Kombëtar, ishim në Fàtima, për takimin parapërgatitor nga 17-20 tetor 2022, gjatë të cilit Organizatorët në Lisbonë paraqitën Udhëzimet praktike për këtë Takim.
Menjëherë sapo jemi kthyer nga ky takim, Mons. Ottavio Vitale, President i Komisionit Kombëtar për Laikët, Familjen dhe Rininë, na ka ftuar të gjithë Përgjegjësve Dioqezanë të Rinisë për një takim, në të cilin u fol për mënyrën e organizimit dhe u vendos se sa do jetë numri pjesëmarrës për çdo Dioqezë. Fillimisht u caktua që numri të jetë 180 persona, por për arsye ekonomike u vendos 150 persona dhe nga dy shoqërues për çdo dioqezë, dmth totail 162 persona.
Përcaktimi i numrit të të rinjve u bë në përpjestim me madhësitë e Dioqezave. Kështu u caktua që Arqidioqeza Shkodër-Pult dhe Arqidioqeza Tiranë-Durrës, të kishin secila nga 35 të rinj.
Dioqeza e Lezhës dhe Dioqeza e Sapës, secila nga 25 të rinj, dhe Dioqeza e Rrëshenit dhe Administratura e Jugut nga 15 të rinj.
Normalisht se çështja qëndrore ishte mënyra se si duhej organizuar transporti për të marrë pjesë në këtë Takim. Për këtë u mendua t’i bëhej një letër-kërkesë Kryeministrisë dhe Kompanisë Ajrore Air Albania, për mundësinë e një marrëveshjeje që të na vendosej në dispozicion një avion charter. Kjo gjë u bë edhe në bashkëpunim me Nuncin Apostolik, Mons. Luigi Bonazzi.
Pas vonesës së gjatë të përgjigjes, më në fund na u dha mundësia për të pasur një avion charter, ku u përfshi në arritjen e kësaj marrëveshjeje edhe Mons. Arjan Dodaj, të cilin e falenderojmë.
Kjo mundësi bëri që përfundimisht numri i pjesmarrësve në nivel kombëtar që do jenë në Ditën Botërore të Rinisë do të jetë 180 persona. Për këtë e falenderojmë Zotin.
Gjatë kësaj kohe jemi munduar që t’i përgatisim sa më mirë të rinjtë për këtë ngjarje. Prandaj kemi organizuar dy takime për të gjithë të rinjt që do marrin pjesë në këtë Ditë Botërore.
Takimin e parë e kemi zhvilluar në Tale, më 13 maj, gjatë të cilit u mundësua për të rinjt një njohje më e thellë e rëndësisë së kësaj Dite dhe vlerën që ka në nivel njerzor, shpirtëror dhe kishtarë.
Gjithashtu me të njëjtin qëllim u zhvillua në Vaqarr, Tiranë, edhe një takim tjetër, më 16 korrik, duke ju mundësuar të rinjve edhe një njohje më të mirë me njëri-tjetrin, duke ju kujtuar se do të jenë fytyra që do paraqesin Kishën Katolike këtu në Shqipëri. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Mons. Ottavio Vitale dhe Mons. Gjergj Meta.
Siç e dimë ditët e kësaj Ngjarjeje të madhe janë 1-6 gusht, por neve do të arrijmë në Lisbonë me 3 gusht, që përkon edhe me ditën e parë të pranisë së Papa Françeskut me të rinjt.
Gjithashtu kjo edhe për arsye që duke qenë një fluturim charter, këtë datë na kanë dhënë si të mundshme. Ndërsa kthimi do të jetë me 9 gusht. Urojmë që gjatë këtyre ditëve, të rinjt tanë të kenë një përvojë të vërtetë më Zotin e jetës, Jezu Krishtin, dhe një përvojë të paharrueshme bashkimi vëllazëror me shumë të rinj dhe të reja nga mbarë bota.
Dom Angjelin Krygja