0.5 C
Tirana
HomeKryesorProgrami i Ditës Botërore të Rinisë. Lisbonë, ku oqeani bashkon rininë e...
HomeKryesorProgrami i Ditës Botërore të Rinisë. Lisbonë, ku oqeani bashkon rininë e...

Programi i Ditës Botërore të Rinisë. Lisbonë, ku oqeani bashkon rininë e botës

U paraqit për mediat Dita Botërore e Rinisë (DBR) në Lisbonë, tanimë në prag të saj, ku Papa do të shkojë nga 2 deri më 6 gusht në udhëtimin e tij të 42-të ndërkombëtar. Më shumë se 330,000 të rinj nga 200 vende janë të regjistruar

Dita Botërore e Rinisë, por jo vetëm, në udhëtimin e 42-të ndërkombëtar të Papa Françeskut, nga data 2 deri më 6 gusht në Portugali. Gjithashtu një udhëtim Marian, sepse për një paradite të tërë Papa do të shkojë në Fatima (është hera e dytë për të, Papa i katërt pas Palit VI, Gjon Palit II dhe Benediktit XVI që viziton Cova da Iria, ku Zoja iu shfaq tre fëmijë barinj në vitin 1917). Jo vetëm, edhe për faktin se në fjalimet e tij mund të shfaqen tema të tjera të ndryshme, siç ka lënë të kuptohet drejtori i Zyrës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, duke filluar nga çështja e paqes në Ukrainë, pa llogaritur mbrojtjen e krijimit (Portugalia ka pamje nga oqeani, i cili falë udhëtimeve të eksploruesve të saj ka bashkuar dhe nuk ka ndarë), migrimet dhe fati i Evropës, duke qenë se pikërisht në Lisbonë, etapa kryesore e udhëtimit, u nënshkruan traktatet aktuale të BE-së.

Në konferencën e zakonshme para udhëtimit, Bruni tha gjithashtu se nuk mund të përjashtohet një takim midis Françeskut dhe disa të rinjve ukrainas dhe rusë. Dhe se gjithsesi «Fatima është vendi për t’ia besuar Marisë dhimbjet e mëdha të botës». Kësisoj, nuk është aspak e pamundur që Papa Bergolio, i cili do të mbajë një fjalim dhe një lutje në shenjtërore, të kërkojë edhe një herë ndërmjetësimin e Virgjërës, në mënyrë që të arrihet paqja në Ukrainën e torturuar  dhe në konfliktet e tjera që gjakosin botën. Për më tepër, për momentin nuk dihet nëse Papa do të shohë disa viktima të abuzimit, por gjithsesi, kujton zëdhënësi, kjo – nëse ndodh – do të jetë private dhe komunikimi do të bëhet vetëm pas, me pëlqimin e viktimave.

Sa i përket Ditës Botërore të Rinisë, në fillim të korrikut u regjistruan 330 mijë të rinj nga 200 vende, numri ka gjasë të rritet shumë. Njëmend, në kryeqytetin portugez flitet për rreth një milion të rinj të ardhur nga e gjithë bota. Të cilët do të ndihmohen nga 20,000 vullnetarë nga 150 vende. 700 ipeshkvij dhe 20 kardinalë do të sigurojnë katekezat.

Programi i udhëtimit është i ndarë në ditë ku secila ka një fizionomi të ndryshme. E para, ajo e së mërkurës së 2 gushtit, sillet rreth takimeve institucionale me presidentin portugez, me autoritetet dhe trupin diplomatik (paradite, kur mbërrin Papa) dhe pasdite mbrëmësorja me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët/et, seminaristët dhe operatorët baritorë.

E enjtja, 3 gusht, do të jetë radha e kontaktit të parë me të rinjtë: në mëngjes në Universitetin Katolik me studentët e universitetit, më pas Scholas Occurrentes dhe në fund ceremonia e mirëseardhjes te Parku në parkun Edoardo VII, një sipërfaqe e madhe e gjelbër prej 25 hektarësh.

E premtja, 4 gusht, do të jetë dita e pendestare, me vizitën në parkun e rrëfimeve (në kopshtin Vasco da GamaBelèm, ku Papa do të mbarështojë sakramentin e Pajtimit), e ndjekur nga vizita në Qendrën famullitare “da Serafina”, ku Françesku do të takohet me përfaqësuesit e disa qendrave të ndihmës dhe bamirësisë. Pas drekës do të takohet me dhjetë të rinj të kombësive të ndryshme në selinë e nunciaturës në Lisbonë (një tjetër takim që është bërë traditë në programin e DBR-së), dita do të mbyllet me via crucis, në mbrëmje bashkë me të rinjtë.

Të shtunën, 5 gusht, siç është përmendur tashmë, paraditja mariane me një ndalesë në Fatima (që është rreth 120 kilometra larg Lisbonës) dhe në fund vigjilja me të rinjtë në Parkun Tejo, i njëjti vend që do të presë të nesërmen, e diel 6 gusht, Meshën përfundimtare të DBR-së dhe shpalljen e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë. Rikthimi në Romë është planifikuar pas orës 22:00. Para se të largohet, Papa do të shohë edhe vullnetarët e DBR-së.

Françesku do të flasë publikisht 11 herë: tetë fjalime, nga të cilat vetëm një në italisht dhe të tjerët në spanjisht (gjuhë e zgjedhur për ta lejuar atë të shprehet lehtësisht në një idiomë që edhe portugezët e kuptojnë), plus një përshëndetje, dy predikime dhe një lutje (përveç Angelus). Ekipi i tij mjekësor do të udhëtojë së bashku me Papën, si gjithmonë. «Do të bëhet siç është bërë gjithmonë», tha Bruni. Papa do të shoqërohet nga prefekti i Laikëve, Familjes dhe Jetës, kardinali Kevin Farrell; “Ministri i Kulturës”, Kardinali José Tolentino, prefekti i dikasterit për Ipeshkvijtë që do të ngritët kardinal në shtator, imzot Robert Francis Prevost dhe një punonjës i Sekretariatit të Shtetit.

Ndërkohë, sot me mesazhin e tij, Papa iu drejtua pjesëmarrësve në Festivalin e Rinisë, që po zhvillohet në Medjugorje deri më 30 korrik. “Të mos ketë më vend në jetën tuaj për egoizëm apo dembelizëm – theksoi ai –. Përfitoni nga rinia juaj për të hedhur, së bashku me Zotin, themelet e ekzistencës suaj, sepse e ardhmja juaj personale, profesionale dhe shoqërore varet nga zgjedhjet që do të bëni në këto vite”. Françesku ftoi gjithashtu që të pranohet vullneti i Hyjit, me të cilin “shpeshherë nuk biem dakord. Ndonjëherë e kemi të vështirë ta kuptojmë dhe pranojmë, do të donim një jetë ndryshe, pa sfida, pa vuajtje, ne vetë do të donim të ishim ndryshe, ndoshta më inteligjentë, më të pasur në talente ose prirje natyrore”.

Megjithatë, për Papën, ne nuk duhet të kemi “frikë se pranimi i vullnetit të Tij do të thotë të heqim dorë nga liria”. “Të dashur të rinj – përfundoi Papa Françesku –, Hyji ka një plan dashurie për secilin prej jush. Mos kini frikë nga vullneti i tij, por vendoseni krejt besimin tuaj në hirin e tij. Për të, ju jeni të çmuar dhe të rëndësishëm, sepse jeni vepra e duarve të tij. Vetëm Ai i njeh zemrat dhe dëshirat tuaja më të thella. Vetëm Ai, që ju do me dashuri absolute, është i aftë t’i përmbushë aspiratat tuaja. Askush përveç Hyjit nuk do të jetë në gjendje t’ju japë lumturinë e vërtetë”.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme