7.5 C
Tirana
HomeKISHFRYMA E SHPIRTIT JEP FORCËN E NEVOJSHME PËR TË PËRBALLUAR SPROVAT
HomeKISHFRYMA E SHPIRTIT JEP FORCËN E NEVOJSHME PËR TË PËRBALLUAR SPROVAT

FRYMA E SHPIRTIT JEP FORCËN E NEVOJSHME PËR TË PËRBALLUAR SPROVAT

Ka njerëz që kanë frikë nga dashuria, nga bamirësia, nga mirësia dhe për këtë arsye, në mungesë të besimit, përgjigjen me të keqen. Por kjo nuk mund të na shkandullojë, sepse të gjithë, të paktën një herë në jetë, ia kemi mbyllur derën shpresës.

Ungjilli i së dielës i komentuar nga një teologe liturgjiste

Gjn 15,26-16,4

Në atë kohë, Jezusi u tha dishepujve të vet: «E kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’jua dërgoj prej Atit – Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit – Ai do të dëshmojë për mua. Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua, sepse jeni me mua që në fillim. Jua thashë këto që të mos moliset feja juaj. Do t’ju përjashtojnë prej sinagogave. Edhe më! Po vjen koha, kur secili, që t’ju vrasë, të mendojë se i bën shërbesë Hyjit. E do të veprojnë kështu, pse nuk e njohën as Atin as mua. Jua tregova këto gjëra që, kur të vijë koha, t’ju bjerë ndër mend se jua pata thënë».

Sot Ungjilli na flet për Shpirtin Shenjt. Nga fjalët e Jezusit kuptojmë se Shpirti, duke rrjedhë nga Ati, na jep dëshminë e Jezusit: «Ai do të dëshmojë për mua». Dhe cila është dëshmia e Shpirtit Shenjt? Jeta e pasosur, jeta e të Ngjallurit që na është komunikuar nëpërmjet fuqisë së Shpirtit Shenjt, Frymë që i jep jetë të re çdo krijese. Tani, kjo Frymë jetike, e dhënë në pagëzim, na bën Kishë, duke na mundësuar të jemi një shtrirje e Jezusit të ngjallur mes njerëzve. Me gjithë kufizimet tona, Zoti jep jetë. Shpirti Shenjt na bën të jemi një zbulim i dashurisë së Zotit për dikë, sepse një ditë secili prej nesh u thirr në jetën e fesë pa asnjë meritë!

Ati na ka zgjedhur për t’u thënë të gjithëve se Ai përzgjedh të varfrit dhe të shtypurit, jo të drejtët dhe ata që ndihen të përsosur. Ja pra, dëshmia që ne mund të japim në Shpirtin Shenjt: Hyji ngre të rënët dhe u jep një banesë të varfërve! Nëse Ai e ka bërë këtë me ne, jemi të sigurt se do ta bëjë edhe nëpërmjet nesh. Problemi është se kjo shpresë e madhe na frikëson dhe kjo frikë pengon pranimin.

Ka njerëz që kanë frikë nga dashuria, nga bamirësia, nga mirësia dhe për këtë arsye, në mungesë të besimit, përgjigjen me të keqen. Por kjo nuk mund të na shkandullojë, sepse të gjithë, të paktën një herë në jetë, ia kemi mbyllur derën shpresës. Prandaj sot ne e fillojmë këtë ditë duke thirrur Shpirtin Shenjt, që kjo të jetë një ditë e re, në të cilën shpresa dhe besimi shkatërrojnë frikën e refuzimit dhe persekutimit.

Po, e lexuam në Ungjill, Jezusi na tha se do të persekutohemi, e dimë, por e dimë gjithashtu se, kur dashuria djeg në zemër, Fryma e Shpirtit jep forcën e nevojshme për të përballuar sprovat, persekutimet dhe për të qëndruar në fe, pavarësisht refuzimit dhe ngurtësisë së zemrës së kaq shumë njerëzve.

Le ta thërrasim Shpirtin Shenjt dhe Ai do të na bëjë që t’ia hapim zemrat tona së vërtetës, dritës. O Zot, sot, u plotësoftë fjala jote për ne: «Edhe ti do të më dëshmosh, sepse ke qenë me mua që nga fillimi». Pa asnjë meritë ne pranojmë Shpëtimin Tënd dhe me një zemër mirënjohëse të japim lavdi. Dëftoje në ne dhe nëpërmjet nesh fuqinë e dëshmisë sate! Amen.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme