Një nga emblemat më domethënëse që vulos hapësirën e historisë së qytetit të Shkodrës dhe Kishës sonë është shtegtimi i ikonës së “Zojës së Këshillit të Mirë” në Gjenacano. Kujtesa e besimtarëve në trojet tona është e lidhur për fytyrën amnore të ikonës së Zojës së Shkodrës e cila aq përmallueshëm përfshihet edhe nga kënga liturgjike që i kushtohet Asaj, sidomos rreshti të cilin e kujton çdo besimtar:
“Ktheu o Zoja e Këshillit të mirë”.
Nëse ndalemi vetëm kalimthi për të shikuar shfaqjen e ikonës në traditën e krishterë, ajo qysh nga fillimet e saja përcjellët nga martirizimi. Studiuesi i mirënjohur i ikonave P. Evdokimov, nxori në pah natyrën e ikonës edhe si martire. Rreth saj, thoshte: “Vetë ikona është martire, pasi ajo bart gjurmët e një pagëzimi të gjakut dhe të zjarrit”.[1]
Ashtu sikurse martirizimi i cili shprehë dashurinë më të lartë: “Martirium signum est maxime caritatis”, edhe ikona shprehë thellësinë e butësisë amnore të dashurisë. Këto janë dy faqet që përbëjnë një fytyrë të vetme të ikonës: martirizimi dhe butësia e dashurisë amnore.
Qysh nga tradita e hershme e Kishës, e cila vjen nga Egjipti rreth shek. VII, paraqitej ikona e Virgjërës Mari që mban në gji Jezu Krishtin. Në himnet siriane gjejmë vargje të rralla të thurura, nga të cilat rimerren aq bukur edhe prej himnit i quajtur: “Akathist” i traditës së lindjes, ku ndër të tjera këndohet, vargu që vijon:
“Fjalën e Jesu Krishtit në krah’ e prite,
atë që mban gjithësinë ti e mban në gji”.[2]
Ikona titullohej: “Elousa” (Nëna e mëshirës) dhe është njëra prej modeleve antike të ikonografisë e cila njihet si: “Hodighitria”. Ajo që ia tregon udhën e butësisë amnore Kishës.
Ky stil i ikonës përcjell dy lloje antike të ikonës. Njëra mbahet se vjen nga tradita apostolike e bërë nga vet Shën Luka Ungjilltar, dhe tjetra që vjen nga tradita e lindjes e vendosur në Cherson të Krimesë, pas pagëzimit të princit Vladimir, ku e pranoi krishterimin edhe Rusia.
Ikona paraqet Nënën dhe Birin në një përkëdhelje të rrallë butësie. Fytyra e Marisë paraqitet si e tretur në mendime dhe tradita e leximit të ikonës, në këtë gjest dëshiron të paraqesë Marinë e cila kundron Misterin e Vdekjes dhe Ngjalljes së Birit të Saj.
Një aspekt të ikonës – figurës së “Zojës së Këshillit të Mirë”.
Vetëm pas disa viteve të shfaqjes së Zojës në Lurdë, Virgjëra u shfaqet edhe disa fëmijëve në Pontmain në Mayenne të Francës, në vitin 1871. Shfaqja e Zojës këtyre fëmijëve vjen në dukjen e një ikone. Ati Barre, superiori i Seminarit të Lartë në Laval (1877), duke shqyrtuar rastin e shfaqjes, i vuri fëmijët në shqyrtim përmes ikonë-figurës së Zojës nga Gjenacani e cila kishte shtegtuar mrekullisht në atë vend, me 25 prill 1467, e cila qëndronte në muret e Kishës ngjitur, pa ndonjë mbajtëse. Njeri nga fëmijët që Zoja iu kishte shfaqur i cili më vonë, do të bëhet meshtar Eugene Barbedette, i foli Atit Barre, kështu:
“Më duhet të rrëfej, sa kam mbetur i goditur nga ikona që më keni paraqitur. Nuk besoj që kam parë ndonjëherë një fizionomi që me zgjon aq thellë kujtimin e asaj dite të 1 janarit 1871. Në këtë figurë, kaq të ëmbël dhe kaq të butë të shikimit, është pikërisht ai i duhuri, që ende nuk është gjendur, për të paraqitur përkimin me Zojën Tonë të Pontmain-it”.[3]
Nxitja që me erdhi për të vendosur një mozaik të “Zojës së Këshillit të Mirë” në truallin e Nazaretit, përveç këtyre rrethanave historike, vjen edhe nga rasti i përndjekjes së familjes sime gjatë regjimit komunist, si edhe i shumë familjeve tjera të përndjekura dhe të martirëve tanë.
Gjyshja ime Mara Tinaj, ka dashur që të dhurojë këtë Mozaik dhe të ofrojë të gjitha vuajtjet e burgut të saj gjatë komunizmit, qysh kur e burgosen për herë të parë në moshën 13 vjeçare, dhe më vonë me burgimin e dytë, në moshën e saj 52 vjeçe.
Gjyshes Mara, kur i dhanë dënimin përfundimtar pas tetë muajve hetuesi në degën e punëve të brendshme në Shkodër, e vunë në një nga ato makinat e degës dhe kur po kalonte afër Kishës së “Zojës së Këshillit të Mirë” të cilën e kishin rrënuar, bërtiti me sa zë pati: “O Zojë, në duart e tua fëmijët e mi”.
Një nga ushtarët që e shoqëronte, tha: “e gjora, i ka ikur mendja”. Asaj nuk i kishte ikur mendja, sepse edhe sot e kësaj dite është e ktjellët dhe jeton, por ajo ishte lutja e një nënë që i gurgullon nga thellësia e shpirtit.
Duke u nisur nga kjo britmë feje, ne sot duam që ti vendosim në prehrin dhe në duart e Zojës të gjitha lutjet, vështirësitë dhe shpresat e mbarë kombit tonë.
Mozaiku paraqet ikonën e “Zojës së Këshillit të Mirë” me Krishtin në krah. Janë dy fytyra që takohen me njëra-tjetrën. Fytyra Hyjnore me fytyrën njerëzore. Fytyra e Nënës me atë të Birit, e Krijuesit me krijesën.
Është si model marrë afresku origjinal i Zojës që është në Gjenacano. Atje është e dukshme vetëm pjesa e sipërme, por afresku është më i madh. Dhe siç e dimë, një pjesë e afreskut është e dëmtuar. Pikërisht në këtë pjesë kemi dashur të vendosim kishën e vjetër të Zojës në Shkodër të shkatërruar nga komunizmi e cila qëndron në prehrin e saj. Kjo simbolik paraqet mbarë Kishën ndër shqiptarë për të treguar se ajo është gjithmonë në prehrin e Zojës. Vendi i prehjes për çdo bir dhe bijë.
Pastaj është e shkruar: “Mater Boni Consilii, Regine et Patrone Albaniae”, Nëna e Këshillit të Mirë, Mbretëresha dhe Pajtorja e Shqipërisë.
Në fund majtas është Simboli i qytetit të Gjenacanos, meqë kemi një lidhje kaq të ngushtë me këtë qytet. Pikërisht sot në festën e Zojës së Këshillit të mirë do të bëhet edhe binjakëzimi mes dy shenjtërorëve, asaj të Shkodrës dhe asaj të Gjenacanos.
Në anën tjetër të mozaikut është simboli ynë kombëtar, shqiponja. Kjo është marrë nga afresku që gjendet në pjesën e poshtme të harkut të absidës së Kishës në Kepin e Rodonit. Mund të jetë afresku më i hershëm që figuron shqiponjën.
Mozaiku është i rrethuar po ashtu me motive gjeometrike shkodrane me ngjyrat kombëtare që krijon një kornizë të veprës.
Nuk mund të mos e falënderoj Mons. Angelo Massafrën, i cili para disa viteve bëri kërkesën Fretërve të Tokës së Shenjtë, që të jepnin lejen që mozaiku i “Zojë së Këshillit të Mirë”, Mbretëresha dhe Pajtorja e Popullit Shqiptarë të vendoset në Nazaret, aty ku është shenjtërorja më e mrekullueshme e Zojës e që është edhe vendi i Mishërimit të Zotit tonë Jezu Krishtit dhe shtëpia e Saj.
Po ashtu, falënderoj edhe P. Françesko Patton-in, Eprori i fretërve në Tokën e Shenjtë dhe gjithë këshillin e tij që na e kanë dhënë këtë mundësi.
Mozaiku është i realizuar në përmasën 135 cm me 70 dhe është punuar me mjeshtëri me gurë të veçantë “Pasta di Vetro” nga duart e Eduard dhe Albana Sinaj, të cilët i falënderoj për punën e tyre të mrekullueshme.
Duke marrë shkas nga 30 vjetori i vizitës së Shën Gjon Palit të II-të, Papës në Shqipëri, po sjellim lutjen që ai përpara 30 viteve ia drejtoi Zojës së Këshillit të Mirë më 25 prill 2023:
Zoja e Këshillit të mirë!
Ty po ta drejtojmë lutjen e këtij populli,
që prej shumë kohësh të don dhe të nderon.
Ty sot Shqipëria t’i drejton shpresat dhe mundimet e veta,
dëshirat dhe nevojat e veta,
lotët e shumtë të derdhur
dhe etjen për një të ardhme më të mirë.
Drejtoje e Nënë, vështrimin tënd mbi këtë popull,
pranoji mendimet bujare,
shoqëroje në ecjen e tij drejt një të ardhme me drejtësi,
solidaritet dhe paqe.
Mbroftë në çdo anë tokën tuaj;
të gjithë shqiptarët që banojnë në Ballkan
dhe shqiptarët që janë të shpërndarë nëpër botë.
Ndërhyrja e fuqishme e Marisë të bëjë të fitojë paqja
edhe atje ku tashmë prej shumë kohësh është ndezur një luftë absurde
që po derdh gjak vëllazëror.
Nëna e Këshillit të Mirë, hapi mendjet dhe zemrat,
garantoja Shqipërisë dhe gjithë njerëzimit dhuratën e harmonisë dhe të paqes!
O Zoja e Shkodrës, Pajtorja e Popullit shqiptar, lutu për ne.
Fra Gazmend Tinaj, ofm
Shkodër, 26 prill 2023
[1] P. EVDOKIMOV, Teologia della bellezza. L’arte dell’icona, Edizioni Paoline, Milano 1990, f. 201.
[2] TROIDI KATANIK,E përktheu Atë Justin Anthimiadhi, Botimi i Manastirit të Hirshëm të Paraklitit (Ngushëllimtarit), Opos – Atikë, Greqi 2019, Shih: TROIDI DHE PESËDHJETORJA, E përktheu Imzot Fan Stylian Noli, E botoi Peshkopata e Amerikës, Boston, Mass., 1952.
[3] R. LAURENTIN, Pontmain: histoire authentique, t. I, Un signe dans le ciel, Parigi 1970, f. 204. Documento 570, letra e Eugene Barbedette, vikarit në Renaze Atiti Barre, superior në Seminarin e Madh në Lavel, me 26 janar 1890. Cituar sipas: D. ROUSSEAU, L’icona splendore del tuo volto, Edizioni Paoline, Milano 1990, f. 130t.