Ajo jo vetëm që ishte aty, por ishte në gjendje të kuptonte më së miri se çfarë po ndodhte.
Këtë vit dua ta kaloj Javën e Madhe me Marinë. Ajo jo vetëm që ishte atje, duke i parë të gjitha, por Ngjizja e saj e papërlyer do të thotë se ajo – e vetmja mes të gjithëve në histori – kishte një kuptim të kthjellët të mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së birit të saj.
Të Enjten e Madhe, kur Jezusi na dha korpin e tij, Maria e dinte se çfarë do të thoshte kjo gjë.
Meqenëse Maria jetoi me shën Gjon Ungjilltarin, ju mund ta dëgjoni Marinë te fjalët e Ungjillit të Gjonit. Gjoni nuk e përshkruan Darkën e Fundit, por kapitulli i tij i gjashtë e komenton atë. Michael Pakaluk, i Universitetit Katolik, e shpjegon këtë në librin e tij të mrekullueshëm “Voice In the Gospel According to John” [Zëri i Marisë në Ungjillin sipas Gjonit].
Kështu, të enjten e Madhe ne dëgjojmë: «Ky është korpi im që flijohet për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!». Dhe shën Gjoni na thotë se çfarë kuptimi ka: «Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im – për jetën e botës».
Në këtë, «Ne dëgjojmë jehonën e zërit të Marisë», shkruan Pakaluk, «duke preferuar ta paraqesim Eukaristinë si të ngjashme me Mishërimin» kur Fjala u mishërua dhe banoi mes nesh.
Ai shton gjithashtu se ana e çuditshme e marrjes së mishit të dikujt për të ushqyer një tjetër nuk është e çuditshme për një nënë që mbante një fëmijë në bark dhe më pas e ushqente atë në gji. Siç thoshte shën Gjon Henri Njuman, «Ai mori mishin dhe gjakun e vet … nga mishi, nga venat e Marisë».
Në të Enjten e Madhe, unë dua ta marr atë ashtu si ai mori nga Maria.
Të Premten e Madhe në mesditë, Maria u shndërrua – dhe ajo e dinte këtë.
Vdekja e Jezusit në kryq duhet të ketë qenë për Marinë një përvojë më e fuqishme se për cilindo tjetër.
Siç shpalli Papa Piu IX në 1854: “E Lumnueshmja Virgjëra Mari në momentin e parë të ngjizjes së saj, me një hir dhe privilegj të posaçëm të Hyjit të gjithëpushtetshëm, në parapamje të meritave të Jezu Krishtit, shpëtimtarit të gjinisë njerëzore, është ruajtur e paprekur nga çdo njollë e mëkatit zanafillor».
Kjo do të thotë se aty ku ne shohim shkakun e shpëtimit tonë të ardhshëm të Premten e Madhe, ajo sheh arsyen e hirit të saj zanafillor. Edhe më tepër – ku ne shohim shkakun e dëgjesës sonë; ajo sheh frytin e bindjes së vet. Siç thotë edhe Shën Ireneu, «Duke qenë e dëgjueshme, ajo u bë shkaku i shpëtimit për veten e saj dhe për mbarë gjininë njerëzore».
Është një ndërveprim i mahnitshëm mes Po-së së saj dhe birit të saj. «Dëgjesa e përditshme e Jezusit para Jozefit dhe Marisë lajmëronte dhe hershonte dëgjesën e tij» në Agoninë e Kopshtit të Gjetsemanit, thotë Katekizmi. Dhe shërbesa e tij publike, e cila filloi në dëgjesë ndaj nënës së tij në Kanë, përfundon në dëgjesë ndaj Atit të tij në Kalvar.
Ndërsa unë e nderoj kryqin, dua të bashkoj Po-në time me të sajën dhe me të tijën.
Të Premten e Madhe në orën 3, kur ai u preh në prehrin e saj, Maria e mbajti atë – përsëri.
Jezusi e kaloi jetën e tij duke i shërbyer pa pushim popullit të vet dhe tha: «Dhelprat kanë strofuj dhe zogjtë e qiellit fole, por Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kryet».
Megjithatë, ai e vuri kokën në një vend – në prehrin e nënës së vet. Teksa e mbante në këmbët e kryqit, duhet ta ketë kujtuar kur e mbante si foshnjë, mirënjohëse që më në fund mund të flinte.
Të Premten e Madhe, në Pietà – ose në Zoja dhe Fëmija – unë do të kërkoj të pushoj gjithashtu atje, pasi ai vetë tha «Ja nëna jote»!».
Më në fund, të Shtunën e Madhe, kur apostujt po hiqnin dorë nga Jezusi, Maria po fitonte bashkë me të.
Besojma e Apostujve na tregon se çfarë ndodhi të Shtunën e Madhe: «Zbriti në mbretërinë e vdekjes». Një predikim i lashtë i krishterë e parafytyron se si ishte kjo: «Hyji dhe Biri i tij shkojnë për të çliruar Adamin e burgosur dhe të bashkë-burgosurën e tij Evën nga dhimbjet e tyre» – thuhet aty.
Adami i Ri shkoi për të shpëtuar Adamin e Vjetër; dhe kjo do të thotë që Eva e Vjetër u lirua nga Eva e Re – «Vdekja përmes Evës, jeta përmes Marisë», siç thotë shën Jeronimi.
Ne harrojmë që Maria nuk është thjesht Zonja e dërrmuar e statujave të devotshme – ajo është gjithashtu «e bukur si hëna, e ndritshme si dielli dhe e tmerrshme si një ushtri me flamuj». Ajo është një mbretëreshë e egër, e egër si çdo nënë kur i kërcënohet fëmija i saj.
Kështu që unë dua ta pres me Marinë të Shtunën e Madhe që fitorja e saj të vijë në mëngjesin e Pashkëve.