3.5 C
Tirana
HomeKryesorFALJA SI SHPREHJE E DASHURISË
HomeKryesorFALJA SI SHPREHJE E DASHURISË

FALJA SI SHPREHJE E DASHURISË

“Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë.” (Mt 6,12)

Kur e ke fyer dikë, e vërteta kërkon që ta pranosh; dhe dashuria kërkon që të shprehësh pendim për dhimbjen e shkaktuar padrejtësisht.

Është e qartë se çdo bashkësi e vogël martesore është mëkatare. Mëkatet e lëndojnë jetën e përbashkët dhe e ftohin dashurinë. Mundet që çdo mëkat, çdo fyerje, të mos jenë jashtë mase të mëdha dhe mund të harrohen lehtësisht, si prej anës së atij që i kryen ashtu edhe prej anës së atij që i pëson. Mirëpo, kështu e humbni fuqinë dhe bëni që zjarri i dashurisë të bjerë deri në shuarje.

Pastaj, sa shumë kushton të kërkosh falje! Ajo nënkupton njohjen e gabimit dhe kapërcimin e pengesës së krenarisë. Disa mendojnë se të kërkosh falje do të thotë të poshtërohesh, ta ulësh veten. Këta kërkojnë rrugë të tjera jo të drejtpërdrejta, si: fillojnë të ta drejtojnë fjalën, hedhin një shikim “blerës”, një përkëdhelje ashtu si pa e vënë re. Sidoqoftë, kur e ke fyer dikë, e vërteta kërkon që ta pranosh; dhe dashuria kërkon që të shprehësh pendim për dhimbjen e shkaktuar padrejtësisht. Një zakon i tillë, në çift, nuk poshtëron asnjëherë, por përkundrazi ndërton bashkëshortë të mëdhenj, që shfaqin një vullnet të fortë, sepse duan që t’i jetojnë vlerat e të vërtetës dhe të dashurisë.

Falja e shndërron vazhdimisht çiftin. Në përvojën e të qenurit të falur prej Hyjit, duhet të zbulojmë se jemi të aftë për të falur. Ai që e merr faljen, por nuk fal, është sikur ta refuzonte atë që ka marrë. Kush e përjeton gëzimin e të qenurit i falur, duhet gjithashtu ta mbjellë atë në zemrat e tjera duke falur (krh. Mt 18,23-35).

Edhe më shumë, jemi ne vetë që e vëmë kushtin që Ati qiellor të na falë sa herë që e themi lutjen Ati ynë: “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë” (Mt 6,12).

Mos harroni se borxhliu i parë mund të jetë bashkëshorti/ja. Thotë Jezusi: “Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre” (Mt 7,12). Një burrë apo një grua që presin të jenë të falur nga bashkëshortja apo bashkëshorti kur gabojnë, të fillojnë ta bëjnë vetë të parët.

Falja është një formë konkrete e dashurisë. Sa shumë na ka dashur Zoti, me aq shumë falje të zbrazur mbi ne! Shën Pali thotë: “Jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; faleni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin” (Ef 4,32). Dhe përsëri: “Faleni njëri‑tjetrin, në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit. Sikurse Zoti ju fali ju, po ashtu bëni edhe ju” (Kol 3,13).

Një martesë e krishterë, që dëshiron t’i përngjajë Zotit, e nxjerr jashtë jetës së saj shprehjen e famshme “unë nuk mund të fal”, sepse e di se dashuria kërkon që të falësh “shtatëdhjetë herë shtatë herë” (Mt 18,22). Shtata në Bibël do të thotë koha e plotë, përgjithmonë. Kështu që, e përkthyer, do të ishte “përgjithmonë-dhjetë herë përgjithmonë herë”. A ngelet ndonjë mundësi për të mos falur? “Jini të mëshirshëm ashtu siç është i mëshirshëm Ati juaj” (Lk 6,36).

Bashkëshortët me aftësi të mëdha për të falur janë ata që e përforcojnë vazhdimisht lidhjen martesore. Përballë fyerjes, ata e kanë tashmë zemrën e përgatitur për të falur.

Ashtu si falja që na e jep Hyji është motivim për bashkëshortët që ta falin njëri-tjetrin, ashtu edhe prej përvojës së faljes së ndërsjellët do të vijë uria për të qenë të falur nga Zoti përmes sakramentit të pajtimit.

Ky sakrament është burimi dhe maja e njësisë martesore dhe familjare. Njësi që simbolizon “jetën”; kush fal, zgjedh jetën e atij që e do, ashtu si Zoti që nuk e do vdekjen e mëkatarit, por do që ai të jetojë. Për këtë arsye, ai na kërkon si djalin plangprishës, si gruan kurorëthyese, si delen e humbur… Hyji kërkon dhe fal. Veproni edhe ju kështu në martesën dhe në familjen tuaj.

Për bashkëbisedim në çift

  1. Në cilën fyerje të pësuar na kushton më shumë falja?
  2. Cilat pengesa hasim në veten tonë, që e kufizojnë aftësinë tonë për të falur?
  3. Cilat prej herëve, kur më ke falur, e kujtoj me më shumë gëzim?
  4. A na çon përvoja e faljes mes nesh që ta jetojmë sakramentin e pajtimit?

Për t’u lutur bashkë

O Zot,

të falënderojmë për faljen që na ke dhënë,

edhe pse kurrë nuk e kemi merituar,

por dashuria jote e madhe

i bën këto dhurata të pashqyrtueshme

për vogëlsinë dhe për mjerimin tonë.

Na ndihmo që ta zbulojmë se

në faljen e ndërsjellët tonën si çift,

ti e rrënjos madhështinë e dashurisë;

bëj që të mësojmë ta shkatërrojmë

mendjemadhësinë,

egoizmin dhe krenarinë,

me qëllim që të shkëlqejnë në jetët tona

vlerat që do ta ndërtojnë lumturinë tonë.

O Zot,

bëj që të mos e harrojmë kurrë

se falja e ndërsjellët,

duhet të na çojë te marrja

e faljes sate në sakramentin e pajtimit.

Amen!

Shkëputur nga libri

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme