Tashmë është e qartë: mediat sociale kanë një ndikim të thellë në vetëvlerësimin e të rinjve. Nëpërmjet platformave sociale, adoleshentët mund të formësojnë jetën dhe imazhin e tyre deri në përsosmëri, dhe përmbajtjet (feed) që shfaqen në profilet e tyre tregojnë vetëm momentet më të mira dhe më të lakmueshme. Mirëpo, ajo që fshihet pas tyre janë vështirësitë, betejat dhe aspektet e zakonshme të jetës së përditshme. Kur të rinjtë shikojnë profilet e tyre shoqërore, dashurohen me këtë vetë-rrëfim të ri dhe të ndryshëm, ndiejnë ankth dhe zhvillojnë probleme të vetëperceptimit, duke filluar të urrejnë dhe/ose të mos e njohin atë që është personi i tyre në realitet.
Mediat sociale dhe shtirja: sindroma e rosës
Lartësimi i standardeve jorealiste dhe kërkimi i përsosmërisë nuk prek vetëm ne të rriturit, por edhe më të rinjtë dhe mbi të gjitha studentët e universitetit. Në të vërtetë, të rinjtë që i qasen jetës së moshës madhore janë të detyruar të përballen me standarde më të larta; punë më të vështirë dhe një mjedis pa prindër. Presioni për t’u dukur perfekt, për t’u bërë përshtypje bashkëmoshatarëve të rinj, për të mos përmendur miqtë dhe familjen në shtëpi, mund të jetë edhe më i madh.
Pas një vale të kohëve të fundit të vetëvrasjeve në kolegj, studiuesit në Universitetin e Stanfordit sajuan termin “sindroma e rosës”. Termi i referohet mënyrës se si një rosë duket se rrëshqet pa sforcim në një pellg, ndërsa nën sipërfaqe këmbët e saj punojnë furishëm dhe në mënyrë të padukshme, duke luftuar për ta mbajtur veten në sipërfaqe. Disa studentë të vdekur kishin projektuar një imazh perfekt në rrjetet sociale, dukej se shkëlqenin në gjithçka pa bërë as përpjekjen më të vogël, kishin përmbajtje (feed) me plot citate frymëzuese dhe imazhe të filtruara që tregonin se sa tërheqës dhe të lumtur ishin. Në rrjetet sociale, vetëvlerësimi i tyre dukej se prekte qiellin, por në prapaskenë ata po luftonin shumë fort.
Media sociale dhe vetëvlerësimi: kërkimi i përsosmërisë
Shpesh përmbajtjet (feed) në faqen e internetit të të rinjve, që janë të kuruara dhe të redaktuara me kujdes, maskojnë probleme serioze pas pretendimit të përsosmërisë dhe e bëjnë më të vështirë, për prindërit dhe miqtë, që ta marrin vesh se kur ata kanë nevojë për ndihmë. Natyrisht, mediat sociale nuk janë shkaku i vetëvlerësimit të ulët, por mund ta bëjnë edhe më të vështirë një situatë tashmë të ndërlikuar.
Adoleshentët që kanë krijuar pseudonime të idealizuara virtuale mund të ndihen të frustruar dhe të dëshpëruar kur kuptojnë se jeta e tyre nuk përputhet me idealin e tyre. Frustrimi/zhgënjimi vjen nga perceptimi i hendekut që ekziston midis asaj që shtiren se janë online dhe asaj që janë në të vërtetë.
Selfie, pëlqime, zemra, tag, emoji, stories… prindërit e sotëm duhet të dinë të flasin dhe të deshifrojnë gjuhët multimediale dhe të jenë të vetëdijshëm për ndikimin që mediat sociale mund të kenë në vetëvlerësimin e djemve/vajzave. Shumë adoleshentë pranojnë se i përdorin rrjetet sociale për t’u dukur më “cool” [tërheqës] dhe ndihen keq nëse postimet ose fotot e tyre shpërfillen, pasi shqetësohen për mënyrën se si perceptohen ato. Mediat sociale mund të krijojnë jo vetëm një standard të pamundur për stilin e jetës së të famshmëve, por mund të bëjnë që adoleshentët ta gjykojnë veten në lidhje me bashkëmoshatarët e tyre, duke nxitur një fare ndjenje smire. Imazhe të shtrembëruara të këtij lloji u hidhen para syve fëmijëve gjatë gjithë ditës, çdo ditë. Ky bombardim i vazhdueshëm dhe paaftësia për ta qasur atë në perspektivën e duhur ndikon në vetëvlerësimin e shumë adoleshentëve.
Çfarë duhet bërë konkretisht
Çfarë mund të bëjnë prindërit për t’i ndihmuar fëmijët dhe adoleshentët që të ndërtojnë vetëvlerësimin e duhur në lidhje me mediat sociale?
1. Para së gjithash, nxitni ndërveprimet dhe marrëdhëniet njerëzore që mbizotërojnë ato virtualet.
2. Merrini seriozisht rrjetet sociale, duke mos nënvlerësuar rolin që luajnë në jetën e adoleshentëve dhe se si ato ndikojnë në vetëvlerësimin e tyre.
3. Dëgjoni përnjëmend kur fëmijët flasin për jetën e tyre virtuale dhe bëni kujdes që të mos i minimizoni përvojat e tyre.
4. Nxitini ata të mendojnë në mënyrë krijuese dhe të lundrojnë në internet në mënyrë kritike.
5. Përgatitni një përgjigje të shëndetshme përballë dështimit: ne duhet ta përfshijmë në mesazhet edukative edhe atë që thotë se “mund edhe të dështosh”. Nëse prindërit fshehin dështimet e tyre, fëmijët kanë më pak gjasa të jenë në rregull me ndonjë gjë që s’është sukses i përsosur.
6. Mos u besoni rrjeteve sociale për të kuptuar se si po ecën në të vërtetë fëmija juaj. Sigurohuni që ai/ajo ta dijë se familja është një strehë e sigurt ku diskutimi është gjithmonë i hapur, duke i inkurajuar që të bashkëndajnë ndjenjat e tyre dhe duke i mbështetur ato kur e bëjnë këtë gjë.
T’i sigurojmë adoleshentët dhe t’ua bëjmë të ditur atyre se jemi krenarë për atë që ata janë, ashtu siç janë, pa filtra dhe mrekullisht të papërsosur. Kjo do t’i ndihmojë ata që të ndërtojnë besimin që u nevojitet për ta pranuar veten dhe për të ndërtuar një vetëvlerësim që i bën ata të ecin ballëlartë në botë.
Burimi: Aleteia