10.5 C
Tirana
HomePërshpirtëri5 sugjerime për të zbuluar nëse përvujtëria juaj është e vërtetë apo...
HomePërshpirtëri5 sugjerime për të zbuluar nëse përvujtëria juaj është e vërtetë apo...

5 sugjerime për të zbuluar nëse përvujtëria juaj është e vërtetë apo e rreme

Nga At’ Mauricio Montoya

I përvujtë nuk është ai që përballet me nevoja të shumta dhe mungesë të mirash, por ai që i bën hapësirë Hyjit në zemrën e vet dhe i besohet dashamirësisë së Tij.

Përvujtëria është një virtyt që të gjithë e vlerësojmë dhe e dëshirojmë, por në kërkim të saj hasim në mënyrat e ndryshme se si shihet ajo. Ndonjëherë këto mënyra perceptimi janë të gabuara, për këtë arsye dëshiroj të bashkëndaj me ju pesë sugjerime ose këshilla për të identifikuar përvujtërinë e rreme dhe për të kuptuar se si t’i vihemi punës për ta pastruar atë, jo pa kujtuar më parë kuptimin e fjalës “përvujtëri”.

Si përcaktohet përvujtëria?

Katekizmi i Kishës Katolike na ofron një referim nga i cili mund të fillojmë të japim një përcaktim të përmbledhur të këtij virtyti: «Përvujtëria na bën ta njohim: “askush s’mund ta njohë Atin, përveç Birit e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë” (Mt 11,27)» (KKK 2779). Me fjalë të tjera, përvujtëria është një virtyt i nevojshëm për ta njohur Atin dhe kjo njohje është e pamundur nëse nuk vjen nëpërmjet Birit të Tij Jezus.

Jezusi na drejton një thirrje të fortë për të qenë si fëmijë për të arritur Mbretërinë e Qiellit, prandaj i përvujtë është ai që e njeh nevojën për të qenë i thjeshtë, “i vogël” dhe për t’iu besuar ndihmës së Shpirtit Shenjt. Pasi u sqarua koncepti, le të kalojmë tani te sugjerimet.

1. A luteni? Si është kjo lutje?

Shtrimi i këtyre dy pyetjeve mund të shërbejë si një “termometër shpirtëror” për të matur aftësinë tuaj për të qenë të përvujtë, sepse ata që luten e njohin veten nevojtarë dhe i zënë besë mirësisë dhe mëshirës së Hyjit. Ata që qëndrojnë larg lutjes ose e braktisin atë, rrezikojnë të besojnë vetëm te vetvetja dhe të pandehin se janë të vetëmjaftueshëm. Me fjalë të tjera, një person që e largon ose e braktis lutjen nga jeta e vet, e ka shumë më të vështirë të bëhet i përvujtë, sepse takimi me Atin të bën të ndihesh i vogël dhe nevojtar për ndihmën e Tij.

Zgjidhja për këtë fillon me një shqyrtim të ndërgjegjes, në të cilin njeriu njeh gabimet e veta, dhe njëkohësisht pranon mëshirën e Hyjit në jetën e tij. Në këtë mënyrë mund të kuptohet se ecja shpirtërore kërkon një rritje të vogëlsisë sonë, të përvujtërisë sonë.

2. A përpiqeni që veprimet tona të njihen dhe vlerësohen?

Të kërkosh vazhdimisht njohje nga të tjerët krijon nevojën për t’u ndjerë gjithmonë i lavdëruar. Kjo na drejton drejt një rruge torturuese në të cilën, nëse nuk marrim vlerësim nga të tjerët, nuk jemi të lumtur dhe është e vështirë ta durojmë jetën e përditshme.

Përkundër kësaj, njeriu mund të punojë në lidhje me vetëvlerësimin e tij. Për ta bërë këtë, duhet ta dimë se veprimet që kryhen dhe sukseset e arritura nuk kanë nevojë për miratimin e të tjerëve, e se të gjitha veprimet vetjake duhet të çojnë në lumturi dhe vetëvlerësim.

3. A jeni mirënjohës?

Aktualisht ekziston një nevojë e jashtëzakonshme për të marrë në gjithçka njohje dhe falënderim, por ngulmohet pak mbi rëndësinë e të qenurit mirënjohës ndaj të tjerëve, ndaj Hyjit dhe ndaj vetvetes. Kush ecën në përvujtëri e kupton rëndësinë që ka falënderimi për gjithçka. Sado i vogël të jetë favori i marrë, ai është gjithmonë i denjë për mirënjohje.

4. A kryeni vepra bamirësie?

Ata që janë të përvujtë janë të aftë të dhurohen dhe të ofrohen për të ndihmuar në rritjen dhe kthimin e të tjerëve. Kur ecim para duke i parë njerëzit e tjerë si një mori “të tjerësh”, vështirësitë bëhen më të rënda, por nëse këta “të tjerë” përpiqemi t’i bëjmë një “ne”, gjithçka bëhet pak më e lehtë, barra lehtësohet. Përse? Sepse e kuptojmë që kemi nevojë për të tjerët jo vetëm për t’u realizuar si njerëz, por edhe për të qenë të lumtur.

5. A e njihni nevojën për t’ia kërkuar Hyjit këtë virtyt?

Ashtu siç është e nevojshme t’i kërkojmë Hyjit që të na e shtojë fenë, është gjithashtu e nevojshme ta pranojmë se rritja në këtë virtyt duhet të jetë e qëndrueshme dhe e vazhdueshme. Prandaj, ne kemi gjithmonë nevojë t’i kërkojmë Atij që të na ndihmojë gjatë rrugës dhe ta rrisë te ne, me Hirin e Tij, aftësinë për të qenë të përvujtë dhe për ta njohur veten nevojtar para Tij dhe para të tjerëve.

Ju mungon përvujtëria? Rrini të qetë! Të gjithë duhet të rritemi në këtë virtyt të bukur në nivele të ndryshme. Përvujtëria e fisnikëron njeriun dhe, edhe nëse shpesh ndeshim koncepte rreth përvujtërisë që nuk janë gjë tjetër veçse iluzione të rreme, dëshiroj t’ju ftoj që të filloni një ecje pastrimi dhe forcimi bazuar në thjeshtësinë e zemrës suaj.

Së fundi, mbani mend se i përvujtë nuk është ai që përballet me nevoja të shumta dhe mungesë të mirash, por ai që i bën hapësirë Hyjit në zemrën e vet dhe i besohet dashamirësisë së Tij. Guxim! Aventura sapo ka filluar.

Burimi: Aleteia

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme