PËRKUJTOHET NË 10 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM DOM ANTONIO SCIARRA

Pasditen e festës së Zojës së Papërlyer, 8 dhjetor 2022, në kishën e Martirëve Shqiptarë në Blinisht u përkujtua 10 vjetori i kalimit në amshim të misionarit italian dom Antonio Sciarra. Me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve, meshtarëve, motrave dhe miq të Dom Antonio Sciarres, u kremtua Mesha e Shenjtë e udhëhequr nga ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë.  Kësaj asamble iu bashkuan edhe familjarët e dom Antonios, meshtarë dhe miqtë e tij të ardhur nga Italia, të cilët me shumë mall dhe emocion e përjetuan këtë ceremoni kushtuar pikërisht atij.

Në homelinë e rastit Imzot Simon Kulli tha se në këtë festë të Zojës, jemi mbledhur sot për të nderuar figurën e dom Antonio Sciarrës dhe dëshirojmë ta kujtojmë me lutjet tona dhe t’ia porosisim Zotit shpirtin e tij. Dom Antonio ishte një meshtar misionar nga dioqeza e Avezano – Itali, i cili që prej fillimit të rihapjes së lirisë fetare iu përgjigj nevojave të kishës në Shqipëri duke shërbyer pikërisht në dioqezën tonë të Sapës duke rimbëkëmbur dhe ndërtuar kishën e gjallë në zemrat e besimtarëve.  Duke shtuar më tej, ipeshkvi theksoj se dëshiroj të them disa fjalë, jo për jetën dhe veprimtarinë e Dom Antonio, jo se nuk kam çfarë të flas, sepse të gjithë e kemi njohur zellin dhe dashurinë e tij meshtarake dhe angazhimin e tij të palodhur, në kujdesin ndaj të sëmurëve dhe të varfërve, në angazhimet e tija të cilat iu ishin besuar, por dëshiroj të ndalem në kuptimin dhe domethënien e kalimit në amshim, sepse me vdekje nuk është mbarimi, por fillimi i jetës së amshuar.

Në këtë përkujtimore nuk mungoi edhe mesazhi i ipeshkvit të Avezzanos, mons. Giovanni Massaro, duke shprehur mirënjohjen e tij ndaj dom Antonio Sciarrës, i cili ka qenë një vullkan në shpërthim të plotë, një meshtar që ka dhuruar gjithë jetën e tij në shërbim të vëllezërve dhe motrave kudo ku ka shërbyer, por sidomos në Shqipëri, në tokën e lulëzuar.

Gjatë këtyre ditëve përkujtimi i dom Antonio Sciarrës është shoqëruar jo vetëm me kremtimin e Meshës Shenjte, por edhe me veprimtari të tjera fetare, sociale dhe artistike, duke sjellë kujtime të shumta në nder të emrit dhe veprimtarisë së tij.

Dom Antonio Sciarra ishte ndër misionarët e parë që shkelën tokën shqiptare. Që nga viti 1993 ai u vendos në famullinë e Shën Shtjefnit në Blinisht, ku punoi dhe shërbeu për 20 vite. . Në prag të festës së krishtlindjeve të vitit 2008, ai detyrohet të largohet në Itali për t’iu nënshtruar kurimit të sëmundjes së tumorit. Edhe pse për katër vite qëndroi në spital në Itali, dhe herë pas herë kthehej në Blinisht, ëndrra e tij për Shqipërinë nuk u shua kurrë. Vërtetë mungonte fizikisht por me mendje dhe zemër ishte prezent në jetën e bashkësive famullitare Blinisht dhe Gjadër.

Dom Antonio Sciarra ishte një njeri i madh që s’pyeti për kohën, për moshën dhe as për sëmundjen, por ishte gjithmonë me mision për përhapjen e fjalës dhe veprave të mrekullueshme të Zotit. Njeriu që dinte të ishte pranë atyre që ia kishin nevojën qoftë dhe për një buzëqeshje. Ai la pas vlera të jashtëzakonshme që do mbeten në mendjen dhe jetën e njerëzve.

Violeta Marashi