Imzot Paolo Pezzi: «Papa është bërë zëdhënës i shqetësimit të madh ndërkombëtar»
Lufta «nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një mjet për zgjidhjen e problemeve midis kombeve». Magjisteri i Kishës nuk pranon keqkuptime, por sigurisht ato shprehje shumë të qarta marrin një kuptim të veçantë kur kumbojnë nga zemra e konfliktit.
Ipeshkvijtë katolikë rusë i kanë rimarrë në fillim të dokumentit të tyre të përbashkët, të publikuar një ditë pas “mobilizimit të pjesshëm” të nismuar nga Putini, formulë pas së cilës fshihet thirrja për armë e 300 mijë rezervistëve. Nuk është rastësi që në një pasazh kyç të thirrjes së tyre, ipeshkvijtë kujtojnë të drejtën e objeksionit të ndërgjegjes, «vendi më i fshehtë dhe më i shenjtë i njeriut, në të cilin», siç thotë Katekizmi i Kishës Katolike, ai gjendet vetëm për vetëm me Hyjin, gjykimit të drejtë të të cilit duhet t’i bindet gjithmonë.
Për më tepër, mundësia e refuzimit të armëve është e parashikuar në vetë Kushtetutën ruse, ndërsa për klerin katolik «është kategorikisht e pamundur – shton apeli – të marrë pjesë në armiqësi, qoftë sipas rregullave të lashta të Kishës qoftë edhe sipas konventave ndërkombëtare në fuqi». Si barinj – shpjegon Arqipeshkvi Paolo Pezzi, Mitropolit i Nënës së Hyjit në Moskë, i cili nënshkruan dokumentin në emër të Konferencës Ipeshkvore të Rusisë – «mobilizimi i pjesshëm i shpallur, na ka kërkuar që të mos heshtim, sepse mes besimtarëve, në kler, nga rregulltarët, ka një kërkesë të fortë për të ditur se si të sillen, si të veprojnë».
Imzot Pezzi, i ktheheni një dokumenti të përbashkët pas gjashtë muajsh, si ka ndryshuar klima që atëherë?
Unë do të thosha se ka ndryshuar kryesisht në kuptimin e shqetësimit në rritje dhe të rënies së theksuar të besimit dhe shpresës se ky konflikt mund të përfundojë në një kohë të shkurtër.
Në këtë kuptim, thirrjet e përsëritura të Papës, veçanërisht të Angelus-it të 2 tetorit, çfarë roli mund të luajnë?
Duke i kushtuar gjithë Angelus-in gjërave që tha, duke konsideruar të gjitha së bashku dhe në kuadrin e ndërhyrjeve të mëparshme, tregon shqetësimin e madh ndërkombëtar të padyshimtë. Është sikur Papa të ishte bërë zëdhënës i tij.
Si po reagon komuniteti katolik ndaj krizës?
Para së gjithash me lutje dhe agjërim, të cilat nuk janë zgjidhja e fundit e të dëshpëruarve, por forca e njeriut që e di se Hyji mund të prekë zemrën. Ne, së bashku me Papën, kërkojmë që njerëzit, veçanërisht ata që kanë më shumë pushtet dhe për rrjedhojë më shumë përgjegjësi, të lejojnë të preken në thellësinë e tyre. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ne e njohim rezistencën e njeriut.
A ekziston rreziku i shkurajimit?
Do thosha se të gjitha thirrjet, lutjet dhe ndërhyrjet e Papës mirëpriten si një shenjë shprese. Është sikur fjalët e Papës, kur priresh të shkurajohesh, të ishin dora e Zotit që të kap dhe të ngre, duke të ftuar të ecësh përpara. Megjithëse në dhimbje dhe në ndjenjën e pafuqisë, por duke ecur përpara.
Duke iu rikthyer dokumentit, ju ipeshkvijtë nënvizoni se mobilizimi i fundit vendos «shumë besimtarë përballë një zgjedhjeje morale shumë serioze».
Para së gjithash, ne donim t’i bëjmë thirrje zemrës, sepse ndërhyrjet e Papës nuk janë vetëm për të fuqishmit e kësaj bote, por i drejtohen çdo njeriu. Ne e dimë mirë se ajo që mund ta ndryshojë zemrën është e njëjta gjë që mund të ndryshojë fatet e popujve. Për këtë arsye kemi kujtuar apelin e nevojshëm ndaj ndërgjegjes, e cila është vendi ku njeriu pleqëron, merr vendime, ku, siç thotë Jezusi, mund të ekzistojë gjithë e keqja njerëzore, një e keqe që së pari duhet nxjerrë nga strofulli, pastruar, shpërfaqur.
Ju personalisht, çfarë ndjesie ndjeni më fort?
Ndjej paqe dhe qetësi, sepse jam i sigurt se çdo gjë shkon drejt fatit të vet, i cili nuk është aspak në kuptimin e fundit apo të shkatërrimit. Sigurisht që ka edhe një dhimbje të thellë, në disa momente pothuajse fizike, por ai që e njeh e di që vuajtja psikike, edhe më shumë ajo shpirtërore, ka një thellësi shumë më të madhe. Mendoj se në këtë situatë mrekullia që bën Krishti, që kryen Shpirti Shenjt, është pikërisht ajo e dhënies së kësaj qetësie pa hequr dhimbjen, madje në njëfarë mënyre, duke bërë që ajo të jetohet në një mënyrë më të thellë.
Çfarë mund të bëjë një besimtar në këto orë?
Këtu në Moskë kemi menduar para së gjithash për një moment adhurimi sepse përballë të Shenjtërueshmit jemi të gjithë disi të zhveshur, domethënë dalim zbuluar. Dhe më pas të japim shembullin e vendosjes së zemrave tona përballë pranisë së Krishtit, të dhënies së gatishmërisë sonë në mënyrë që, siç dëshiron ai, të mund të vijë një kontribut për të filluar përsëri me dialogun dhe dashamirësinë ndaj njëri-tjetrit. Le ta themi fjalën e duhur: duhet të kthehemi e ta duam njëri-tjetrin.
A vlen kjo edhe për patriarkun ortodoks të Moskës, ndërhyrjet e të cilit duket se minojnë gjithnjë e më shumë dialogun?
Fjalimi që sapo bëra është i vlefshëm. Ne e kemi çmuar të udhës se ishte e përshtatshme jo aq shumë t’i përgjigjeshim apo të vlerësonim ndërhyrjet e Patriarkut Kirill, sa të mbanin një raport. Të mbajmë një derë gjithnjë të hapur.