Krezhme me të varfërit është ky një ndër aktivitetet e dashura për fëmijët që i dedikohet bamirësisë e prej vitesh tashmë është kthyer në traditë.
Nën organizimin e Caritas Sapa, gjatë kohës së Krezhmeve, u shpërndanë 2000 kutia për fëmijët e katekizmit në famullitë e Dioqezës, me qëllimin e edukimit për të kursyer pak nga vetja e tyre, në mënyrë që të ndihmojmë të varfërit.
Pas periudhës së kohës së Krezhmeve, me datën 3 maj u mbajt dhe aktiviteti i grumbullimit të kutiave, me pjesëmarrjen e protagonistëve të kësaj lëmoshe. Ishin një pjesë e tyre, rreth 600 fëmijë që shtegtuan dhe mbushën Katedralen Nënë Tereza, në Vau Dejës, për të marrë pjesë në kremtimin e Meshës Shenjte, të udhëhequr nga Dom Robert Kola, Vikari Gjeneral i dioqezës.
Gjatë homelisë së tij, Dom Roberti vlerësoi shumë këtë gjest bamirësie tek fëmijët. “Festa më e mrekullueshme kremtohet me Shpirtin Shenjtë dhe qëndron në bashkëndarje – tha ai. Sa na gëzon kur tjetri bashkëndanë me tjetrin. E besoj se këtë edhe ju vetë e hasni në jetën tuaj. Kuptimi i vërtetë i bashkëndarjes dhe dhuratës vjen nëpërmjet eukaristisë Shenjte. Edhe ne sot jemi mbledhë nga famullitë e ndryshme dhe secili ka mbledhë diçka gjatë kohës së krezhmeve dhe dëshiron ta ndajë me të varfërit. Secili nga ne e ka modelin e vet në shtëpi, ku nëna bashkëndan kafshatën me fëmijët e saj. E të njëjtin model ndjekim edhe ne duke bashkëndarë me tjetrin. Kështu përmes dashurisë ndaj tjetrit, jeta jonë shtohet, begatohet e na bën të rritemi më të lumtur duke ndihmuar atë që ka nevojë” – përfundoi dom Roberti.
Drejtoi i Caritasit, z. Nikolin Lekaj tha se ky kontribut është mjaft i çmueshëm për fëmijët që gjenden në vështirësi, ku vepra e bamirësisë bën që askush mos të mbetet i diferencuar nga tjetri. Dhe është pikërisht kisha që i bledh bijtë e saj të çdo lloj shtrese qofshin ato.
Menjëherë pas meshës, për fëmijët u organizua edhe një festë e gëzueshme, me pjesëmarrjen e animatorëve duke shfaqur një koncert të thjeshtë por mjaft domethënës, përmes së cilës u përcoll edhe mesazhi i dashurisë, paqes dhe fryma vëllazërore me njëri – tjetrin.
Violeta Marashi