7.5 C
Tirana
HomeDioqeza SapëMotër Marie Kaleta ndërroi jetë, por jeton dëshmia e saj e krishterë
HomeDioqeza SapëMotër Marie Kaleta ndërroi jetë, por jeton dëshmia e saj e krishterë

Motër Marie Kaleta ndërroi jetë, por jeton dëshmia e saj e krishterë

Më 2 janar, rreth orës 1.30, e la këtë botë për të shkuar në shtëpinë e Atit Qiellor, motër Marie Kaleta, një nga dëshmitaret e fundit të qëndresës së klerit e të besimtarëve katolikë gjatë komunizmit. Ishte 92 vjeçe e populli i dioqezës së Sapës, sidomos besimtarët e famullisë së Shën Nikollit në Pistull e përcollën si i ka hije, me homazhe e me meshën, që u kremtua më 2 janar, në orën 16.00, nga ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli.

Ndërkaq, Mesha e dritës dhe salikimit u kremtua dje (3 janar), në orën 10.30, në Kishën e Motrave Stigmatine në Shkodër, nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit, së bashku me ipeshkvin e Sapës, imzot Simon Kulli, me ipeshkvin e Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, si edhe me meshtarë e rregulltarë të tjerë. Tashmë, motra imcake, që nuk reshti së dhëni dëshminë e krishterë, pushon tek Varrezat e Rrmajit, nga ku vijon t’u flasë të gjithë atyre, që duan të mësojnë nga jeta e saj.

Quhem Motër Marie Kaleta, murgeshë stigmatine

Murgesha, që, së bashku me kardinalin e sotëm Ernest Simoni, e bëri të përlotej Papën Françesku, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014, u lind më 10 nëntor 1929 në Nënshat të Shkodrës, nga prindërit Engjëll e Shuke Kaleta. Së bashku me prindërit, u zhvendos më vonë në Pistull. Emri i saj, në mos për dëshminë personale – edhe ajo e fuqishme – është i lidhur me dëshmitë e martirizimit të klerit katolik gjatë komunizmit, pasi motër Kaleta, apo halla Marie, siç e quanin të gjithë, ishte e mbesa e dom Ndoc Sumës, i lum martir. Pikërisht axha ia ushqente dëshirën për lutje e dashurinë për Jezu Krishtin. Kështu, në moshën 10-vjeçare, hyri në kuvendin e motrave stigmatine në Nënshat të Zadrimës e pas një viti, pasi i bindi të gjithë për dëshirën e patundur të saj për t’u bërë murgeshë, pavarësisht nga mosha e njomë, më 11 dhjetor të vitit 1940 e çuan në kuvendin e stigmatineve në Shkodër. Aty jetoi 7 vite, deri më 1946, kur komunistët e sapoardhur në pushtet në Shqipëri, i nxorrën motrat nga kuvendi, sepse Zoti ishte për ta tepër i rrezikshëm, prandaj, ia mbyllën portat e Shqipërisë një herë e përgjithmonë. Por jo edhe portat e zemrës. Por më hollësisht, biografinë e saj e lexoi një nga simotrat stigmatine, në meshën e sotme në Shkodër. Ta dëgjojmë…Dëgjo biografinë e motër Marie Kaletës…

Lutja, që motër Marie Kaleta e thoshte përditë

I përlotur e i emocionuar, kryeipeshkvi metropolit i Shkodrës, imzot Angelo Massafra, nuk deshi të zgjatej shumë me fjalë, por e konsideroi më domethënëse leximin e një lutjeje, që motër Marie Kaleta e thoshte përditë.

Një lutje që thonte motër Maria Kaleta e që përshkruan krejt jetën e saj:

“O Zot i jetës dhe i të Mirës, sa të kemi dashur, dëshiruar dhe adhuruar në fshehtësinë e shtëpive dhe të zemrave tona. Të falënderojmë për këtë aventurë tragjike, pasi kemi pasur mundësi që të të kishim ndër duart tona, në vend të Meshtarëve të torturuar apo të dënuar me vdekje. Të lëvdojmë pasi si Stigmatine të kemi ruajtur në shtëpitë tona të thjeshta, mes teshave tona; kemi sfiduar policinë për të të çuar Ty te të sëmurët, te Motrat që po të pritnin; të kemi çuar në spitale, në errësinën e burgjeve, duke u ndeshur me rreziqe të mëdha. Faleminderit, o Zot Jezus! Qëndro gjithmonë me ne, o Bukë e jetës së pasosur!’”

Dëshmia, që përloti Papën Françesku

Motër Marie Kaleta mbeti murgeshë stigmatine, megjithëse kushtet e përjetshme iu desh t’i bëjë pas gati 50 vitesh, kur zotat e atyre, që deshën ta përjashtonin nga Shqipëria të vetmin Zot të vërtetë, ranë rrokopujë në humnerë e krishterimi lulëzoi sërish. Por deri atëherë, iu desh ta jetonte fshehtazi fenë e vet, me kryet në torbë, duke u mbështetur tek ata pak njerëz, që e mbrojtën dhe nuk e dorëzuan. Kështu pati dëshmuar më 2014, para Papës Françesku, për atë periudhë:

Murgesha shqiptare Marie Kaleta me Papa Françeskun, Shqipëri, 2014, dëshmia e të cilës për sakrificat e saja gjatë regjimit të egër komunist shqiptar, përlotën edhe udhëheqsin e Kishës Universale Katolike. Papa Françesku i ka dhënë motër Maria Kaletës, medaljen e “Kryqit për Kishën e Papën” (Pro Ecclesia et Pontefice).

“Zoti me mbajti me një fe aq të gjallë saqë më shtynte t’ua dhuroja edhe të tjerëve duke pagëzu, jo vetëm fëmijtë e fshatit, por edhe të gjithë ata të cilët më kanë ardhë në derë kur kisha sigurinë se, nuk do të më padisnin. Ka shumë ngjarje që më kanë shoqëru përgjatë këtyre viteve kur publikisht ishte e ndaluar të shfaqje besimin. Me thjeshtësinë e zemrës po ju tregoj një ngjarje. Isha tuj u kthy për në shpi nga puna e kooperativës. Gjatë rrugës dëgjoj një zâ që më thërriste. Një grua me një fëmijë në krah më arriti me vrapin e saj. Kërkesa e saj ishte më i pagëzu foshnjën, që mbante në krah. Nga frika, pasi që e dija se ajo ishte gruaja e një komunisti, i them se nuk kam me ça ta pagëzoj, pasi që jemi në mes të rrugës. Ajo, nga dëshira e madhe që kishte, më thotë se kanali përbri ka ujë. Unë i them se nuk kam me ça ta nxjerr atë ujë. Ajo vazhdonte të më lutej për pagëzimin e vajzës. Unë, duke pa fenë e saj, hoqa opangën prej llastiku që kisha veshë. Më të nxora ujë prej kanalit dhe e pagëzova. Falë njohjes së meshtarëve kam pasë fatin të mbaj në një komodinë të Shenjtnueshmin Sakrament, kështu për raste të njerzve të sëmurë që dergjeshin në shtratin e vdekjes. Kam kryer shërbimet e fesë, nuk e di se si, në fakt sot kur e mendoj, më duket e pabesueshme, si kemi duru ato vujtje të tmerrshme, por them me plot bindje se i madhi Zot na ka dhanë forcën, durimin dhe shpresën. Ashtu sikurse me egjrën e shëmbëlltyrës Zoti “priti” pjekjen e plotë para se ta shkulte nga gruni. Edhe pse koha qe e gjatë dhe puna e kooperativës tepër e vështirë, prapseprap Zoti atyre që i thërret ua jep forcën e vet. Në fakt, në fund ai m’i shpërbleu të gjitha vujtjet e mia edhe këtu në tokë. Mbas sa viteve të regjimit u rihap Kisha e unë pata fatin me u gjetë si rregulltare, fat të cilin për sa vite e dëshirova sikurse të gjithë meshtarët e murgeshat e vendit tonë”.

Motër Maria Kaleta
Motër Maria Kaleta

Nderimet e Kishës për Motër Kaletën

Dëshmi të tilla, por edhe episode të tjera treguar me thjeshtësi në vite, sidomos për brezin e ri, që ta dijë ç’do të thotë me të vërtetë besim në Krishtin, bënë që motër Kaleta të duhej e të nderohej jo vetëm nga populli, por t’i jepeshin edhe çmime e medalje. Kështu, në maj të vitit 2017, në ditën e Zojës Nunciatë, me kërkesën e Kuries Dioqezane të Sapës, Ati i Shenjtë Françesku i dha motër Maria Kaletës, medaljen e “Kryqit për Kishën e Papën” (Pro Ecclesia et Pontefice). Medalja u dha për herë të parë nga Papa Leoni XIII më 17 korrik 1888, me Letrën apostolike “Quod Singulari Dei Concessu”, për të përkujtuar 50-vjetorin e meshtarisë së tij. Sot ajo u jepet laikëve ose të shuguruarve, që dallohen për shërbimin e tyre ndaj Kishës dhe Papës së Romës. Gjithashtu, në vitin 2018, motër Kaleta u shpall “Qytetare Nderi” e Vaut të Dejës. Dekorata, që s’i mori me vete në varr, sepse para Zotit të Gjithpushtetshëm, vlen pa dyshim më shumë gjithçka bëri në jetë për ta dashur e për t’i shërbyer, duke ua dhuruar dashurinë e Tij të tjerëve.

Marrë nga Radio Vatikani

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme