8.5 C
Tirana
HomeEditorialCovidi-19 dhe familja: Shqipëria si një rast i bukur
HomeEditorialCovidi-19 dhe familja: Shqipëria si një rast i bukur

Covidi-19 dhe familja: Shqipëria si një rast i bukur

Nga Dom Gjergj META

Pamjet trishtuese të arkivoleve që prisnin të digjeshin, për t’u kthyer hirin familjarëve në Itali, ishin një trishtim i madh. Vetmia e shumë të moshuarve që vdisnin në azile pleqsh të prekte zemrën. Po i shihnim këto pamje nëpërmjet ekranit dhe na frikësonin.

Kur Covid-19 nisi të përparonte edhe në Shqipëri, përsëritja e disa skenarëve të parë në TV apo të kërcënuar nga ekspertë e pushtetarë, fatmirësisht nuk ndodhi. Edhe pse numri i atyre që u diagnostikuan me Covid pati rritje, duhet thënë se pjesa më e madhe e kaluan në familje. Pa i hequr asnjë presje meritës së mjekëve, infermiereve/ëve nëpër spitale, edhe një herë qe familja ajo që u kujdesua për anëtarët e sëmurë të saj edhe pse këtë herë bëhej fjalë për një sëmundje sui generis e me rreziqe serioze. Rrethimi me përkujdesje dhe dashuri i familjarëve ishte një gjë gati-gati hyjnore. Gjyshi i D. vdiq nga Covidi, por ajo kujton se kur gjyshi ishte ende gjallë, me oksigjen në hundë, e thërriste atë, hiqte aparatin e oksigjenit nga hunda dhe i thoshte: “Hajde recitojmë pak Fishtën me gjyshin!”. E kështu i kaluan ditët derisa ai u shua përkrah familjarëve të tij.

Pak nga mosbesimi ndaj strukturave spitalore, pak nga vështirësitë ekonomike për t’u sjellë rreth spitaleve e klinikave, e shumë për shkak të një sensi përgjegjësie e afeksioni ndaj familjarëve, të sëmurët patën më të mirën për veten e tyre në familje edhe kur rastet fatkeqësisht kanë rezultuar tragjike. Sigurisht mund të thuhet se dashurinë dhe papërgjegjësinë mund t’i ndajë një kufi i hollë në këto raste, por familja është e pazëvendësueshme gjithsesi.

E njëjta gjë ndodhi edhe me funeralet. Pavarësisht shtrëngimeve shqiptarët nuk i harruan për asnjë çast traditat e tyre. Në një mënyrë a në një tjetër morën pjesë në funerale. Kam asistuar në shumë funerale gjatë pandemisë e kam parë shumë solidarietet. Madje edhe forcat e policisë që kishin urdhër të kontrollonin e ndoshta të gjobisnin, e dinin intuitivisht se ka disa ligje të pashkruara, më të rëndësishme se sa ato të shkruara apo të proklamuara nga FB. Madje ishte shpesh polici që sapo linte turnin e shërbimit shkonte te familja për me i thanë një “Zoti ju dhashtë kivet!”.

Është konstatuar se në pjesën më të madhe protokollet janë garantuar edhe në funeralet më të ndërlikuara apo në zonat më të thella. Shikoje njerëz me maska, dezinfektues në hyrje të oborrit dhe shtëpisë, distanca fizike etj. Pra përgjegjësia nuk ka munguar pothuajse për asnjë çast.

Duhet thënë fort se familja shqiptare ka funksionuar me gjithë pengesat e mundshme objektive që ka pasur. Ajo është pasuria jonë më e madhe e kjo kohë kovidiane na e ka përforcuar këtë bindje akoma dhe më shumë. Pa familjen shoqëria është më e vetmuar e më e ftohtë. Familja është tempulli ynë dhe shenja më e madhe e humanitetit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme