Kuvendi apo Koncili kishtar i Arbenit që u mbajt në Kishën e Shën Gjonit të Merqisë, tri kilometra në veri të Lezhës, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviçit, ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e Kishës katolike në trojet shqiptare, të gjuhës shqipe e të identitetin etnik të kombit shqiptar. Ishte data 14 janar e Kuvendi do të vijonte edhe të më 15 e 16 janar 1703. Më 28 janar 1704 Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, që njihej me emërtimin latin “Propaganda Fide” miratonte botimin e dokumenteve të këtij Konçili kishtar.
Asokohe në fronin e Shën Pjetrit ishte ulur Papa shqiptar, Kelmendi XI, i cili i pati kërkuar Imzot Vinçenc Zmajeviçit, Kryeipeshkëv i Tivarit, në cilësinë e vizitatprit apostolik, të kryente vizitën kanonike në të gjitha dioqezat, mundësisht edhe kishat e qendrat katolike të Shqipërisë. Pas kësaj vizite apostolike, që e kreu brenda tre muajve, në dhjetor të vitit 1703, kryeipeshkvi imzot Zmajeviç mblodhi në Koncil apo në Kuvendin kishtar: 7 ipeshkvij dhe tre misionarë, nën presidencën e tij, si kryeipeshkëv i Tivarit, vizitator apostolik e primat i Serbisë.
Në përfundim të punimeve, dekretet e Koncilit të Arbenit, shkruar në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit, më 28 janar 1704, u botuan nga kongragata e Vatikanit Propaganda Fide, nën titullin “Kuvendi i Arbenit o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin XI papë Pretëmadhin”.
Imzot Zmajeviçi i përcillte aktet e Koncilit të Arbenit me një letër, përmes së cilës shihet qartë se kleri katolik shqiptar i qëndroi pranë në gaz e në vaj popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar mase treqind vjet që kur u shkrua, u detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj, për ta bërë të kuptueshme për lexuesin:
“Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij. Pashë, – uh, ç’dhimbje, – vu nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë) (Shypninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë e për të gjatë.
Këto pashë e gjimova! U përzien përmbrendcat e mia prej dhimbe për popullin tem e m’u coptuen, tek shihshe mundimet e bijve që po mbyteshin. Tue pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse s’pat dijen. Tue ankue kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi ngushtica; por, për sa paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë shtigje ma të mira se vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit. Këtu i përqëndrova fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra që kam, si çoban i shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët e mia të pa afta, nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i cili ndërron motnat e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një detyrë kaq e vështirë të kryhej si pata dëshirue.
Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë; për t’iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande.
Unë, pra, në paça gabue si Prelat Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet, në se nuk mbështeten mbi Gurin e palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë, të forcohen me profeci të pushtetes sate.
Pëlqe, pra, o i Lumtuni Atë, dhantitë e nderimet e përvujta, sheje të Kombit tem, por ma fort tandit. E, n’e pashë se ndokund puna duhet lëmue, godite e ndreqe me gjykimin e shenjtnueshëm e të pagabueshëm… Po, sepse kështu këto pak të falna, që përkojnë me vobësinë tonë, me gjykimin e hyjnueshëm pagabim kanë për t’u shumue fort. E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë… lusim Hyjin t’ju ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë e edhe ne të na ruejë shëndosh pa kurrnjë të keqe…
Shkrue në Perastti, ditën e dhetë të korrikut, në vjetë të Krishtit njimië e shtatqint e tre. Marrë nga “Concilli i ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. III N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ XI
Po radhisim më poshtë klerikët që nënshkruan Koncilin e Parë të Kishës shqiptare, mbajtur në Merqi në vitin 1703 nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit:
Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipni.
Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem i Shkupit.
Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës.
Imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës.
Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës.
Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit.
Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik i Misioneve t’Arbënisë.
Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë.
Atë Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve.