10.5 C
Tirana
HomeJeta e Kishës2021-shi i Papës, ndërmjet shtegtimeve, reformave e sfidave të Covid-19
HomeJeta e Kishës2021-shi i Papës, ndërmjet shtegtimeve, reformave e sfidave të Covid-19

2021-shi i Papës, ndërmjet shtegtimeve, reformave e sfidave të Covid-19

Tre udhëtime apostolike ndërkombëtare, nga rrënojat e Irakut në periferinë e Sllovakisë e deri në udhëkryqin e vuajtjeve të emigrantëve në ishullin grek Lesbos. Tetë Motu proprio, që flasin për shërbimin e grave në Kishë, për ndryshimet në sistemin gjyqësor vatikanas, për kremtimin e meshëve të lashta. Fillimi i një rruge sinodale, që përfshin të gjitha dioqezat e botës. E, edhe takime, audienca, ngjarje ndërkombëtare brenda dhe jashtë Romës. Ndërmjet gjithë kësaj veprimtarie, operacioni kirurgjikal në spitalin Gemelli.

 Ky ishte viti 2021 për Papën Françesku, që ashtu si dy vite më parë, u ndikua fuqishëm nga kufizimet e pandemisë së Covid-19, por edhe nga shëndeti i Atit të Shenjtë, i cili e filloi vitin me probleme në nervin shiatik, që nuk e lejuan të kryesonte Te Deum-in e 31 dhjetorit dhe meshën e 1 janarit.

Vaksinë për trupin, vaksinë për zemrën

Viti u hap me Papën ende “në kafaz” – siç pati thënë vetë – pra, në Bibliotekën Apostolike, ku kremtonte Engjëllin e Tënzot të së dielës dhe audiencën e përgjithshme, për të shmangur grumbullimet e njerëzve. Nga Pallati Apostolik i Vatikanit, në transmetim të drejtpërdrejtë, ndërsa bota hynte në vitin 2021 me plagët e pandemisë, Françesku pohonte:

“Këtë vit, ndërsa shpresojmë në rilindjen e në terapitë e reja, të mos e lëmë pas dore përkujdesjen. Krahas vaksinës për trupin, duhet edhe vaksina për zemrën: kjo është terapia. Viti do të jetë i mbarë, nëse kujdesemi për të tjerët…”

Papa thotë Engjëllin e Tënzot në Bibliotekën Apostolike
Papa thotë Engjëllin e Tënzot në Bibliotekën Apostolike

Shtegtar në Irak

Papa e vuri në zbatim i pari këtë premtim, që mori formën e tre udhëtimeve ndërkombëtare, në ato anë të botës, ku akoma pikojnë gjak plagët e luftës, të varfërisë e të emigracionit.  Para së gjithash, vizita e 5-8 marsit në Irak: e para e një Pape në Lindjen e Mesme, shkatërruar nga dhuna ekstremiste dhe xhihadiste. Pavarësisht nga rreziqet, Françesku nuk deshi t’i zhgënjente njerëzit që, njëzet vjet më parë, nuk mundën të përqafonin Gjon Palin II. Në mesin e atyre të vuajturve në Bagdad e Karakosh, Ati i Shenjtë u bë shtegtar mes shtegtarësh e takoi edhe Ayatollahun Ali al-Sistani, figurë kryesore e Islamit shiit. Ndërsa nga Mosuli, skenë torturash dhe ekzekutimesh në të kaluarën, lartoi drejt qiellit britmën kundër çdo dhune, kryer në emër të Zotit.

Ndër të varfrit e Sllovakisë dhe migrantëve në Lesbos

Britmë, që u përsërit gjatë udhëtimit në Sllovaki (12-15 shtator): nga memoriali i Shoah-ut në Bratislavë, Françesku foli për “blasfemi” e, në geton e romëve Lunik IX, kritikoi ashpër racizmin dhe diskriminimin. Thirrje, që u kthye në shprehjen “fundosje e qytetërimit”, para gjendjes së vështirë të mijëra migrantëve, që i takoi në Qendrën e Pritjes dhe të Identifikimit në Lesbos, në fund të udhëtimit në Qipro dhe Greqi (2-6 dhjetor). Nga ky limb në portat e Evropës, pasi “i pa në sy” burrat, gratë dhe fëmijët plot plagë, zëri i Françeskut kumboi fuqishëm:  “Të mos lejojmë që ‘Mare nostrum’ të kthehet në një ‘Mare mortuum’ të shkretuar”.

Papa në ishullin Lesbos
Papa në ishullin Lesbos

Reformat

Gjatë vitit 2021, Papa Françesku vijoi edhe reformat e brendshme, që do të pasqyrohen në Kushtetutën e ardhshme apostolike “Praedicate Evangelium”. Nga janari në nëntor, Ati i Shenjtë publikoi tetë Motu Proprio për të ndryshuar e për të risuar normat vatikanase e kishtare në fushën baritore, financiare e gjyqësore. Përcaktoi shërbimin e lektoratit dhe të akolitatit për gratë, azhurnoi sektorin e drejtësisë penale, shkurtoi pagat e kardinajve, të eprorëve e të rregulltarëve dhe ashpërsoi ligjet kundër korrupsionit, sidomos për drejtuesit. E më tej, themeloi shërbimin e katekistit, ripërcaktoi rregullat për përdorimin e Mesharit të lashtë, para Koncilit II të Vatikanit, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të ipeshkvijve nga e gjithë bota e krijoi një Komision papnor për të verifikuar zbatimin e normave mbi pavlefshmërinë e martesës. Në Vatikan, vijuan dy procese, ai për abuzimet seksuale në Paraseminarin Shën Piu X dhe ai për parregullsi financiare në fondet e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.

Udha e re sinodale

Po gjatë vitit 2021, Papa Françesku hapi një udhë të re sinodale, që filloi “nga poshtë” dhe do të zgjasë tre vite. “Sinodi – tha Ati i Shenjtë gjatë hapjes së tij në Shën Pjetër, më 10 dhjetor – të mos jetë ‘convention’ kishtare, konferencë studimesh apo kongres politik,… të mos jetë parlament, por ngjarje e Hirit hyjnor, proces shërimi, udhëhequr nga Shpirti Shenjt”. Filluar tashmë në Kishat lokale, Sinodi do të kalojë nëpër fazën dioqezane, pastaj, në atë kontinentale dhe në atë universale.

Operacioni në Gemelli, vaksinat

Siç e thamë, Papa e filloi vitin me probleme në nervin shiatik, por, më i rëndë, qe operacioni në zorrën e trashë, të cilit iu nënshtrua më 4 korrik, në spitalin Gemelli të Romës, rast, për të kërkuar edhe një sistem shëndetësor, që u hap dyert të gjithëve. Më 12 janar, vetë Ati i Shenjtë u vaksinua e, gjatë gjithë vitit, vijoi të bëjë thirrje për vaksinimin e përgjithshëm të popullsisë botërore kundër Covid-19, “akt dashurie”, siç e quajti. Më 31 maj, Rruzarja për fundin e pandemisë, në Kopshtet e Vatikanit.

Klima, paqja, çarmatimi

Me të njëjtën forcë, Ati i Shenjtë u impenjua për klimën, duke mbledhur në Vatikan, shkencëtarë e krerë të feve të ndryshme, që nënshkruan një dokument për të kërkuar emetime zero të gazrave serë, në prag të Takimit mbi klimën në Glasgow (Cop26). Dokumenti pasoi thirrjen e përbashkët të Papës, Patriarkut ortodoks të Kostandinopojës dhe kryeipeshkvit anglikan të Canterbury-t, mbi urgjencën e ndërhyrjes kundër pasojave të ndryshimit të klimës. Papa Françesku bëri thirrje edhe për paqen e çarmatimin. Të paharrueshme, fjalët në Takimin e Shën Egjidit në Koloseum, më 7 tetor, kur kërkoi që buxheti për armatimin të përdoret në fushën e edukimit e të shëndetit. E më tej, në audiencat me krerë shtetesh e qeverish, por edhe veçanërisht, në takimin me 500 të varfër në Asizi, më 12 nëntor, – vizita e vetme në Itali, në formë private – Ati i Shenjtë nuk harroi të denoncojë varfëritë e reja, kundër të cilave kërkoi impenjimin e të gjithëve. Dy, propozimet e Françeskut gjatë vitit 2021: caktimi i një page minimale të detyrueshme dhe reduktimi i ditës së punës.

Papa në Koloseum, në Takimin e Shën Egjidit
Papa në Koloseum, në Takimin e Shën Egjidit

Një vështrim drejt vitit 2022

Për vitin e ri 2022, janë në program dy takime të rëndësishme: më 27 shkurt, ai i organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane me të gjithë ipeshkvijtë dhe kryetarët e bashkive të vendeve mesdhetare; pastaj, nga 22 deri më 26 qershor, Takimi X Botëror i Familjeve në Romë me temë “Dashuria familjare: thirrje dhe udhë shenjtërie”.

Marrë nga Radio Vatikani

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme