25.5 C
Tirana
HomeKISHZbulesa e lutjes në jetën e Jezusit
HomeKISHZbulesa e lutjes në jetën e Jezusit

Zbulesa e lutjes në jetën e Jezusit

Ta sodisim Jezusin ndërsa lutet

Ngjarja e lutjes na zbulohet plotësisht në Fjalën që është mishëruar dhe banon midis nesh. Përpjekja për të kuptuar lutjen e saj, nëpërmjet asaj që dëshmitarët e saj na thonë për të në Ungjill, është të afruarit tonë tek i shenjti Zot Jezus si te kaçuba e zjarrtë. Më parë duhet ta sodisim ndërsa lutet, pastaj të dëgjojmë si na mëson të lutemi dhe, së fundi, të kuptojmë se si ai e plotëson lutjen tonë (2598).

2599 Biri i Hyjit, i bërë Bir i Virgjërës, ka mësuar edhe të lutet sipas zemrës së tij njerëzore. Ai i ka mësuar formulat e lutjes nga Nëna e tij, që ruante dhe meditonte në zemrën e saj të gjitha «gjërat e mëdha» të bëra nga i Gjithëpushtetshmi1. Ai lutet në fjalët dhe në ritmet e popullit të vet, në sinagogën e Nazaretit dhe në Tempull. Por lutja e tij buron nga një gurrë shumë më sekrete, sikurse lë të parashikohet që në moshën dymbëdhjetëvjeçare: «Më duhet të merrem me punët e Atit tim» (Lk 2,49). Këtu fillon të zbulohet risia e lutjes në plotësinë e kohëve: lutja birnore, që Ati priste prej bijve të vet, më në fund po jetohet nga vetë Biri i tij i vetëm në natyrën e tij njerëzore, me dhe për njerëzit.

2600 Ungjilli sipas shën Lukës nënvizon veprimin e Shpirtit Shenjt dhe kuptimin e lutjes në mbarështimin e Krishtit. Jezusi lutet përpara çasteve vendimtare të misionit të vet: përpara se Ati t’i bëjë dëshmi, në çastin e Pagëzimit2 të tij dhe të shndërrimit3, dhe përpara se të realizojë, me anë të mundimeve të veta, planin e dashurisë së Atit4. Ai lutet edhe përpara çasteve vendimtare që i japin fillimin misionit të Apostujve të tij: para se të zgjedhë dhe të thërrasë të Dymbëdhjetët5, para se Pjetri ta dëshmojë si «Krishtin e Hyjit»6 dhe me qëllim që feja e kreut të Apostujve të mos dobësohet në tundim7. Lutja e Jezusit përpara veprimeve shpëtimtare që Ati i kërkon të kryejë, është një aderim i përvujtë dhe besimplotë i vullnetit të tij njerëzor ndaj vullnetit plot dashuri të Atit.

2601 «Një ditë Jezusi po thoshte uratë diku në një vend. Kur kreu uratën, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi”» (Lk 11,1). A nuk lindi dëshira e dishepullit të Krishtit për lutje, para së gjithash, nga soditja e Mësuesit të tij tek lutet? Atëherë ai mund ta mësojë nga Mësuesi i lutjes. Duke soditur dhe duke dëgjuar Birin, bijtë mësojnë t’i luten Atit.

2602 Jezusi tërhiqet shpesh mënjanë, në vetmi, në mal, zakonisht natën, për t’u lutur8. Ai i mban njerëzit në lutjen e vet, sepse ai e ka marrë plotësisht natyrën njerëzore në mishërimin e vet, dhe ia ofron Atit duke ofruar vetveten. Ai, Fjala që «është mishëruar», në lutjen e vet njerëzore merr pjesë në gjithçka që jetojnë «vëllezërit e tij»9; bashkëvuan lëngatat e tyre për t’i çliruar prej tyre10. Pikërisht për këtë gjë e ka dërguar Ati. Fjalët e tij dhe veprat e tij shfaqen atëherë si dëftim i hapur i lutjes së tij «në fshehtësi».

2603 Ungjilltarët na kanë përcjellë në mënyrë të qartë dy lutje të shqiptuara nga Jezusi gjatë shërbesës të tij. Secila fillon me falënderim. Në të parën11 Jezusi dëshmon Atin, e njeh dhe e bekon, sepse ua ka fshehur misteret e Mbretërisë atyre që e mbajnë veten të ditur dhe ua ka zbuluar «të vegjëlve» (të varfrit e lumnive). Ngashërimi i tij «Po, Atë!» shpreh thellësinë e zemrës së tij, miratimin e tij ndaj «dëshirës» së Atit, si jehonë të «Fiat»-it («U bëftë») të Nënës së vet në çastin e zënies së tij dhe si prelud të asaj që do t’i thotë Atit gjatë agonisë së vet. Tërë lutja e Krishtit përfshihet në këtë aderim të dashur të zemrës së tij njerëzore në «misterin e vullnetit» të Atit12.

2604 Lutjen e dytë na e referon shën Gjoni13 përpara ngjalljes së Lazrit. Falënderimi i paraprin ngjarjes: «Atë, të falënderoj që më dëgjove», gjë kjo që nënkupton se Ati e dëgjon gjithmonë lutjen e tij; e Jezusi shton menjëherë: «E dija se ti gjithmonë më dëgjon», gjë që nënkupton se Jezusi, nga ana e vet, kërkon në mënyrë të qëndrueshme. Kështu, e nisur me falënderim, lutja e Jezusit na zbulon si të kërkojmë: përpara se dhurata të jepet, Jezusi aderon në atë që dhuron dhe që në dhuratat e veta dhuron vetveten. Dhuruesi është më i çmueshëm se dhurata; ai është «Thesari» dhe zemra e Birit të tij është në të; dhurata jepet «si shtesë»14. «Lutja priftërore» e Jezusit15 zë një vend unik në Ekonominë e shpëtimit. […] Në të vërtetë, ajo na zbulon lutjen gjithmonë aktuale të Kryepriftit tonë, dhe, në të njëjtën kohë, është e endur me atë që Jezusi na mëson në lutjen drejtuar Atit […].

2605 Kur arrin Ora në të cilën përmbush planin e dashurisë së Atit, Jezusi lejon që të ndërshihet thellësia e padepërtueshme e lutjes së tij birnore, jo vetëm përpara se të dorëzohet vullnetarisht («O Atë, … le të bëhet, jo vullnesa ime, por vullnesa jote»: Lk 22,42), por edhe në fjalët e tij të fundit mbi kryq, atje ku lutja dhe të dhuruarit identifikohen «Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!» (Lk 23,4); «Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parriz» (Lk 23,43); «Grua, qe, yt bir! […] Qe, nëna jote!» (Gjn 19,26-27); «Kam etje!» (Gjn 19,28); «Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?» (Mk 15,35)16; «Gjithçka u krye!» (Gjn 19,30); «O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!» (Lk 23,46), deri tek «britma e fortë» me të cilën vdes, duke dhënë shpirtin17.

2606 Të gjitha brengat e njerëzimit të çdo kohe, skllav i mëkatit dhe i vdekjes, të gjitha përlutjet dhe ndërmjetësimet e historisë së shpëtimit, përmblidhen në këtë britmë të Fjalës së mishëruar. Dhe ja, Ati i pranon dhe, përtej çdo shprese, i çon në vend, duke ngjallur Birin e vet. Kështu plotësohet dhe kryhet lutja në Ekonominë e krijimit dhe të shpëtimit. Psalteri na jep çelësin në Krishtin. Në të sotmen e ngjalljes Ati thotë: «Ti je im Bir, unë sot të linda! M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka» (Ps 2,7-8)18.

Letra drejtuar Hebrenjve shpreh në terma dramatike se si lutja e Jezusit kryen fitoren e shpëtimit. «Ai, në ditët e jetës së vet mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar» (Heb 5,7-9).


Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme