Sekretari i Shtetit të Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizmat Ndërkombëtare Sh.T. Imzot Paul Richard Gallagher do të kryej një vizitë tre ditore në vendin tonë. Vizita e kishës lokale, takimi me barinjtë e Kishës në Shqipëri dhe autoritetet shtetërore, do jenë disa nga momentet kryesore të qëndrimit të tij.
Duke pasur parasysh traditën e shkëlqyer të lidhjeve mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, kjo vizitë e prelatit të lartë, merr një rëndësi dhe kuptim të veçantë. Nisur nga kjo, Kisha Katolike në Shqipëri me në krye barinjtë e saj, janë të angazhuar fuqishëm për ta pritur me nderimet më të larta përfaqësuesin e Atit të Shenjtë.
Imzot Gallagher pritet të nisë vizitën e tij këtë të shtunë, me një seri takimesh intensive të të gjitha niveleve.
Besnikëria ndaj Katedrës së Pjetrit dhe dëshmia e lavdishme e martirëve në të gjitha kohërat, mbetet një prej karakteristikave esenciale të kishës tonë shqiptare. Në këtë kontekst Imzot Gallagher të shtunën do të vizitoj Shkodrën, ku edhe do të mund të njihet nga afer me të gjitha vendet e dëshmisë dhe kujtesës. Nën mikpritjen e Sh.T. Imzot Angelo Massafra Ipeshkëv i Shkodrës njëkohësisht dhe President i Konferencës Ipeshkvore, Imzot Gallagher do të kremtoj në pasditen e së shtunës meshën e shenjtë në pranin e mbarë klerit dioqezan.
Të dielën ai do të udhëtoj drejt Mirditës, kishë e cila historikisht ka pasur një lidhje unike me Selinë e Shenjtë. Populli i Hyjit i udhëhequr nga bariu i tyre Sh. T. Imzot Gjergj Meta, do ta presin atë në katedralen e qytetit të Rreshenit ku edhe do të kremtoj meshën në praninë e të gjithë ipeshkvijve të Kishës Katolike në Shqipëri. Po ashtu ai do të zhvilloj një sërë vizitash në nivel zyrtarë e qeveritarë. Në kryeqytetin tonë ai pritet të takohet me homologen e tij Znj.Olta Xhaçka ministre e punëve të jashtëme dhe Znj. Lindita Nikolla Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Gjithashtu ai do të zhvillojë një takim me krerët e besimeve fetare të pranishme në Shqipëri. Pjesë e agjendës së tij, do të jetë edhe vizita në Katedralen Katolike të Shën Palit, ku do të pritet nga Sh.T. Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Tiranës. Katedralja Ortodokse Autoqefale në Tiranë, do të jetë një tjetër destinacion ku Imzot Gallagher do të vizitojë gjatë qëndrimit në Shqipëri.
Vizita e një personaliteti kaq të lartë të Selisë së Shenjtë në vendin tonë, është një rast i jashtëzakonshëm jo thjesht për të demostruar marrëdhëniet e shkëlqyera e historike të vendit tonë me Selinë e Shenjtë, por edhe një moment për të prekur nga afër kujdesin atërorë të Papa Françeskut për kishën dhe popullinë tonë Shqiptarë.
Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i KISH.