Nga Don Fatmir Koliqi
Muaji tetor në njëfarë mënyre është muaj i universitetit, studentëve dhe profesorëve, për arsye se riniset një vit akademik. Pikërisht në këtë muaj kam dashur të bashkëndaj disa mendime rreth universitetit, prejardhjes së tij dhe qëllimit.
Origjina
Fjala universitas apo universiteti ka lindur në ambientin kishtar, në qendrat e mëdha evropiane. Rreth katedraleve të qyteteve mesjetare, aty ku kishte katedrën ipeshkvi, studioheshin drejtime të ndryshe të dijes të asaj kohe, si filozofia, teologjia, retorika, matematika, astronomia, anatomia etj. Ishin shkolla të katedraleve, që do të shndërroheshin në Studium Urbis – studimet e qytetit, siç quhej në origjinën e tij një ndër universitetet më të mëdha në botë, La Sapienza e Romës, e themeluar nga Papa Bonifaci VIII në vitin 1303.
Universiteti i parë, në formën e tij, siç e kemi në botën perëndimore, ka lindur në Bologna të Italisë, në shek. XI, në të njëjtin shekull kur janë themeluar edhe universitetit e tjera, si: Oxfordi, Parisi, Roma, Salamanca, Padova.
Universiteti i Arbërit
Arbërit e kanë themeluar universitetin e tyre të parë në vitin 1380, duke e bërë një nga institucionet më të vjetra në Evropë. Universiteti i Studimeve të Durrësit (latinisht: Universitas Studiorum Dyrrhachium) është krijuar rreth vitit 1380, por për shkak të sulmeve osmane është tërhequr në Zarë për të themeluar Studium Generale, ose Universitetin e Zarës, me rektor të parë Gjon Durrsakun.
Burime që dalin nga arkivat dhe bibliotekat e Kuvendit Françeskan dhe Kuvendit Domenikan në Dubrovnik, njoftojnë për të parin universitet në Ballkan, Universitetin e Durrësit, i themeluar nga dominikanët durrsakë të Kuvendit të Shën Maurit që vepronin në Durrës prej vitit 1224.
Është i njohur fakti se profesori Gjon Durrsaku kishte vajtur në Zarë dhe atje ishte caktuar si rektori i parë i Universitetit të Zarës (1396). Në Universitetin e Zarës thuhet, shprehimisht, se “Rektori i parë ishte Gjon Durrsaku, qëkur Universiteti i Durrësit u zhvendos në Zarë, për shkak të kërcënimit turk në Evropën Juglindore”.
Një tjetër personalitet i Universitetit të Durrësit, që po zbulohet rishtazi, ishte Ndre Durrsaku (mesi i shek. XIV – 13 qershor 1393). Ai njihet si doktor i shkencave teologjike (Universiteti i Bolonjës, 1380), ndërsa në vitin 1387 qe emëruar argjipeshkëv i Argjipeshkvisë së Raguzës.
Qëllimi
Fjala Universitas mban në vete idenë e së tërës dhe idenë e bashkësisë. Rreth cathedra-s afroheshin për të studiuar të gjitha drejtimet e dijes (studium) të bashkuar rreth mësuesit (maestro). Këtu krijohej një bashkësi që kultivonte kujtesën e njeriut, njerëzimit. Qëllimi ishte ta kultivojë shkencën dhe t’i shpartallojë mjegullat e mosdijes, apo të injorancës.
Universiteti, në këtë kujtim, na ndihmon ta kultivojmë kujtesën e origjinës. Ishin dy ideale që qenë shtysa për këtë, sipas Papa Françeskut:
Vertikale: nuk mund të jetohet pa ngritje të shpirtit për dituri, pa një aspiratë për të t’u ngritur. Siç thoshin filozofët antikë, një jetë pa kërkim apo hulumtim nuk ia vlen të jetohet.
Horizontale: kërkimi duhet të bëhet së bashku, duke i stimuluar dhe bashkëndarë arritjet dhe interesat e përbashkëta.
Fjala kryesore në këtë proces është kultivimi, që nxjerr rrënjën e vet te fjala kulturë. Universiteti, studium, katedra, janë vende të kultivimit të kulturës, që dmth. të mbrosh urtësinë, diturinë, një dije humanizuese edukative. Në këtë kuptim, studentët janë pjesëmarrës të kultivimit të kulturës njerëzore, së bashku me profesorët (maestro).
Në një bullë të vitit 1388, për të dhënë pëlqimin e tij rreth themelimit të Universitetit të Këlnit Papa Urbani VI shkruan që objektivat, qëllimet primare të institucionit të ri do të jenë: shpërndarja e shkencës (dijes) për të shpartalluar mjegullën e injorancës (mosdijes) (“scientia per quam pelluntur ignorantiae nubila”), për të propozuar, nxjerr akte e vepra në dritën e së vërtetës (“in lumine veritatis”), dhe së fundi ajo që i jep definicion misionit shoqëror të universitetit: ai duhet të jetë në dobi “sikur të bashkësisë, shoqërisë ashtu edhe të individëve (…) dhe “të rritë mirëqenien e njerëzve” (“prosperitas humanae conditionis augetur”)”.
Të kujtojmë ipeshkvin tonë të madh Imzot Pjetër Bogdanin, kur shkruan në veprën e tij të madhe “Çeta e profetëve”, se populli im po vuan nga mosdija, sepse i kishte të shkatërruara të gjitha institucionet edukative.
Misioni
Nëse këtë proces të kultivimit e shohim nga një perspektivë tjetër, atëherë do të thoshim se ne hyjmë në procesin e studimit për ta ruajtur të mirën e njerëzimit dhe për ta kultivuar atë. Një proces shumë fisnik dhe i domosdoshëm sot kur shpesh na ofrohen modele jete banale dhe të përkohshme, të cilat na nxisin të ndjekim suksesin, karrierën me një kosto të ulët, që zhvleftëson sakrificën dhe djersën, duke propaganduar se studimi nuk ka asnjë vlerë tjetër përpos të arrish diçka konkrete, diçka të atypëratyshme.
Studimet shërbejnë për të bërë të aftë (faculta), na aftësojnë për të bërë pyetje, për të artikuluar mendimin, na aftësojnë për të dalë nga mpirja që mund të sjellë banaliteti i të sipërfaqshmes, konsumizmi kulturor, i cili na dërgon në një stil të paqëndrueshëm, e që Zygmunt Bauman e quan jetë likuide, e lëngshme, e cila na shpie në një relativizëm të skajshëm apo në një diktaturë të asnjësisë.
Gjatë studimeve mund do të dëgjohen edhe zëra tundues që shpërqendrojnë subjektet marrëse – studentët – nga kultivimi i kësaj kulture, zëra shumë të fortë që mund të ligështojnë me qëllim që të dorëzohen, me një qëllim të vetëm, që të mund të jeni në shfrytëzim të tyre. Mos lejoni me u tundu pas atyre zërave. Kini guximin me e kultivue një kulturë të vërtetë, e cila e ngre shpirtin tuaj dhe ju bën më shumë njeri.
Është e dhimbshme me taku një student apo një profesor pa kulturë, me prirje egoiste, me tendenca shantazhimi, tregtar stofash moderne, që njeriun e shndërrojnë në një objekt zbavitjeje. Këta janë promovuesit e të përkohshmes, modave të ndryshme pa kurrfarë vlere, një kulturë që sot shpesh quhet “përdor dhe hedh”.
Kisha Katolike në pastoralin e saj studentor ka për qëllim me ju ndihmue universitarëve me qenë vigjilentë, për me e kultivue shpirtin e kërkimit të vërtetë, për të ushqyer kulturën e origjinës, të Mësuesit hyjnor, i cili është selia e dijes së vërtetë, burimi dhe kulmi i urtisë dhe i kulturës.