Hyji zbulon emrin e tij, por e zbulon duke kryer veprën e vet. Mirëpo, kjo realizohet për ne dhe në ne vetëm në qoftë se Emri i tij shenjtërohet prej nesh dhe në ne.
Nëse jetojmë ndershmërisht, Emri hyjnor bekohet, por në qoftë se jetojmë në pandershmëri, Emri hyjnor blasfemohet, sipas asaj që thotë Apostulli «Ju jeni […] shkaku që Emri im shahet ndërpaganë» (Rom 2,24).
2807 Termi «shenjtëroj» këtu duhet kuptuar jo në kuptimin e vet shkaktues (vetëm Hyji shenjtëron, bën të shenjtë), por më tepër në kuptimin e vet vlerësues: ta njohësh si shenjt, ta trajtosh në një mënyrë të shenjtë. Për këtë arsye, në adhurim, kjo thirrje ndonjëherë ndjehet si një lavd dhe si një falënderim. Por ky peticion na është mësuar nga Jezusi si një dëshirore: një kërkesë, një dëshirë dhe një pritje, ku janë angazhuar Hyji dhe njeriu. Që nga kërkesa e parë drejtuar Atit tonë, ne jemi zhytur në misterin e thellë të hyjnisë së tij dhe në dramën e shpëtimit të natyrës sonë njerëzore. T’i kërkosh që emri i tij të shenjtërohet, na përfshin edhe ne në planin që ai «në dashamirësinë e vet kishte […] paracaktuar» (Ef 1,9), «që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri» (Ef 1,4).
2808 Në çastet vendimtare të Ekonomisë së tij, Hyji zbulon emrin e tij, por e zbulon duke kryer veprën e vet. Mirëpo, kjo realizohet për ne dhe në ne vetëm në qoftë se Emri i tij shenjtërohet prej nesh dhe në ne.
2809 Shenjtëria e Hyjit është qendra e padepërtueshme e misterit të tij të amshuar. Ajo çka është shfaqur prej tij në krijim dhe në histori nga Shkrimi quhet lavdia, rrezatimi i madhërisë së tij. Duke krijuar njeriun «në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet» (Zan 1,26), Hyji e kurorëzon me lavdi, por njeriu, duke mëkatuar, përjashtohet nga «lavdia e Hyjit». Që atëherë, Hyji e dëfton shenjtërinë e vet duke zbuluar e dhuruar Emrin e vet për ta rivendosur njeriun «në përngjasim të krijuesit të vet» (Kol 3,10).
2810 Në Premtimin që i ka dhënë Abrahamit dhe në përbetimin që e shoqëron atë, Hyji angazhohet personalisht, por pa zbuluar emrin e vet. Ai fillon t’ia zbulojë Moisiut dhe ia tregon në sy të mbarë popullit, duke e shpëtuar nga egjiptianët: «Mrekullisht ngadhënjeu» (Dal 15,1). Pas Besëlidhjes së Sinait, ky popull është «i tij» dhe duhet të jetë një «komb i shenjtë» (ose i kushtuar, ngaqë në gjuhën hebraike fjala është e njëjtë), sepse emri i Hyjit banon në gjirin e tij.
2811 Por, pavarësisht nga Ligji i shenjtë që Hyji i Shenjtë i jep dhe kthehet t’i japë dhe megjithëse Hyji, «për shkak të emrit të vet» përdor durimin, populli largohet nga Shenjti i Izraelit dhe përlyen emrin e tij midis popujve. Kjo është arsyeja që të drejtët e Besëlidhjes së Vjetër, të varfrit e kthyer nga mërgimi dhe profetët, kanë qenë ndezur flakë nga zelli për Emrin e tij.
2812 Së fundi, është në Jezusin që emri i Hyjit të Shenjtë na zbulohet dhe na dhurohet, në mish, si Shpëtimtar: na zbulohet nga ajo që ai është, nga fjala e tij dhe nga flija e tij. Është zemra e lutjes së tij priftërore: O Atë i shenjtë, «për ta (unë) e kushtoj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetën» (Gjn 17,19). Për shkak se ai vetë «shenjtëron» emrin e tij, Jezusi «na bën të njohim» emrin e Atit. Si u kryen Pashkët e tij, Ati i jep Emrin që është mbi çdo emër: Jezusi është Zot në nder të Hyjit Atë.
2813 Në ujin e Pagëzimit ne jemi «larë […] shenjtëruar […] shfajësuar në saje të Emrit të Jezu Krishtit Zot dhe të Shpirtit të Hyjit tonë» (1 Kor 6,11). Gjatë gjithë jetës sonë, Ati ynë na thërret «të jetojmë në shenjtëri» (1 Sel 4,7) dhe meqenëse prej tij ne «jemi në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne […] shenjtërim» (1 Kor 1,30), lavdisë së tij dhe jetës sonë u duhet që Emri i tij të shenjtërohet në ne dhe nga ne. Këtu qëndron urgjenca e kërkesës sonë të parë.
«Kush do të mund ta shenjtëronte Hyjin, meqenëse është ai që shenjtëron? Por, duke u frymëzuar nga këto fjalë: “Jini, pra, të shenjtë, sepse edhe unë jam i shenjtë” (Lev 20,26), ne kërkojmë që, të shenjtëruar nga Pagëzimi, të ngulmojmë në atë që kemi filluar të jemi. Dhe e lypim çdo ditë, sepse çdo ditë ne lejojmë që të na joshë e keqja, dhe prandaj duhet të pastrohemi nga mëkatet tona me një pastrim që rinis pa pushim […]. T’i drejtohemi prandaj lutjes, në mënyrë që shenjtëria të banojë në ne». (Shën Çipriani nga Kartagjena, De dominica Oratione, 12)
2814 Shenjtërimi i Emrit të tij midis popujve varet në mënyrë të pandashme nga jeta jonë dhe nga lutja jonë:
«T’i kërkojmë Hyjit që ta shenjtërojë emrin e tij, sepse nëpërmjet shenjtërisë ai shpëton dhe shenjtëron mbarë krijimin. […] Bëhet fjalë për Emrin që i jep shpëtimin botës së humbur, por duhet të kërkojmë që emri i Hyjit të shenjtërohet në ne nga jeta jonë. Nëse jetojmë ndershmërisht, Emri hyjnor bekohet, por në qoftë se jetojmë në pandershmëri, Emri hyjnor blasfemohet, sipas asaj që thotë Apostulli «Ju jeni […] shkaku që Emri im shahet ndërpaganë» (Rom 2,24). Prandaj, ne lutemi që të meritojmë të jemi të shenjtë, sikurse është i shenjtë emri i Hyjit tonë». (Shën Pjetër Krizologu, Sermo 71).
«Kur themi: “U shenjtëroftë emri yt”, kërkojmë që të shenjtërohet në ne, që të jemi në të, por edhe ne të tjerët që ende nuk i ka prekur hiri i Hyjit; e kjo për të përkuar me urdhrin që na detyron të lutemi për të gjithë, madje edhe për armiqtë tanë. Ja arsyeja që ne nuk themi shprehimisht: u shenjtëroftë emri yt në ne; nuk e themi sepse kërkojmë që të shenjtërohet te të gjithë njerëzit». (Tertuliani, De oratione, 3, 4).
2815 Kjo kërkesë, që i përmbledh të gjitha, çohet në vend nëpërmjet lutjes së Krishtit, sikurse dhe gjashtë të tjerat. Lutja drejtuar Atit tonë është lutje e jona në qoftë se bëhet në emër të Jezusit. Jezusi në lutjen e tij priftërore kërkon: «O Atë i shenjtë, ruaji në Emër tënd ata që ti m’i dhe» (Gjn 17,11).