Zhvillimet e fundit në Theth, një gur i çmuar i trashëgimisë natyrore shqiptare, kanë risjellë në vëmendje tensionet e forta mes ruajtjes së mjedisit, jetesës së komunitetit, përgjegjësisë qeverisëse dhe hijes së vazhdueshme të korrupsionit. Në korrik të këtij viti, disa struktura në Theth u shembën nga autoritetet shtetërore për shkak të ndërtimeve të paligjshme brenda kufijve të Parkut Kombëtar. Këto masa, ndonëse të ndërmarra në kuadër të zbatimit të ligjit, shkaktuan zemërim të thellë të banorëve të zonës, veçanërisht për shkak të mënyrës së papritur të zbatimit dhe kohës kur ndodhën, në kulmin e sezonit turistik. Gjithashtu politika, media dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile reaguan kush në mbrojtje të këtyre zhvillimeve kush kundër.
Rasti i Thethit, edhe pse i veçantë për nga konteksti gjeografik dhe kulturor, pasqyron një model më të gjerë të dukshëm në mbarë vendin: një qasje reaktive, në formë fushate, për të trajtuar probleme të kahershme, si mungesa e planifikimit urban, vonesat në legalizimin e pronave, ndërtimet e paligjshme të përhapura dhe korrupsioni sistemik.
Ta bëjmë të qartë që në fillim: ndërtimet e paligjshme që kanë ndodhur në zona të mbrojtura si Thethi janë të pajustifikueshme dhe nuk kanë vend për mbrojtje. Këto zhvillime cenojnë bukurinë natyrore të Alpeve Shqiptare dhe vënë në rrezik mbrojtjen e mjedisit. Megjithatë, të fokusohesh vetëm te ata që kanë ndërtuar, pa shqyrtuar ata që e kanë lejuar këtë të ndodhë, do të thotë të injorosh rrënjën e problemit.
Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë thjesht me një dështim të zbatimit të ligjit apo të mekanizmave të mbikëqyrjes: ajo që del në pah është një marrëdhënie thellësisht e deformuar dhe shpesh e korruptuar mes institucioneve publike dhe segmenteve të komunitetit lokal, në të cilën të dyja palët kanë përfituar, financiarisht ose në mënyra të tjera, në kurriz të së mirës së përbashkët. Këto marrëveshje, të bazuara mbi favore, rryshfete ose tolerancë selektive, mund të duken të leverdishme në afat të shkurtër, por janë gërryese me kalimin e kohës. Ato normalizojnë paligjshmërinë, çbëjnë besimin publik dhe sjellin përçarje sociale si dhe dëme afatgjata ndaj mjedisit. Ata që kishin për detyrë të mbikëqyrnin, qoftë institucione vendore apo qendrore, inspektorate apo autoritete bashkiake, duhet të mbajnë përgjegjësi për përjetësimin e këtij modeli. Në të njëjtën kohë, komunitetet duhet të reflektojnë mbi pasojat e mbështetjes te këto sisteme informale, të cilat në fund të fundit kërcënojnë vetë peizazhet dhe mjetet e jetesës që përpiqen të mbrojnë.
Po aq shqetësuese është edhe koha kur u ndërmorën prishjet dhe masat ndëshkuese, pikërisht në kulmin e sezonit turistik, kur ekonomia lokale është më e ndjeshme dhe më aktive. Kjo tregon për mungesë koordinimi, planifikimi dhe ndjeshmërie ndaj kostos njerëzore të ndërhyrjeve të menjëhershme dhe të ashpra. Mungesa e një dialogu paraprak me komunitetin lokal, shoqërinë civile apo operatorët turistikë ka thelluar edhe më shumë mosbesimin.
Megjithatë, zgjidhja nuk mund të jetë as paligjshmëria, as autoritarizmi. Ajo që i duhet Shqipërisë është një kontratë e re shoqërore, veçanërisht në zona rurale si Thethi, ku qeveria nuk e sheh komunitetin si pengesë, por si partner në zhvillimin e qëndrueshëm.
Komuniteti duhet të jetë pjesë e procesit dhe jo i përjashtuar prej tij. Duhet të ndërgjegjësohet për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe të ketë mundësi të ligjshme për të ndërtuar, për t’u zhvilluar dhe për të pritur vizitorë pa dëmtuar atë çfarë e bën të veçantë këtë zonë. Atyre duhet t’u sigurohet informacioni i nevojshëm dhe përfshirja në programe si “Paketa e Maleve”, që synojnë të mbështesin turizmin rural të qëndrueshëm, të investojnë në infrastrukturën lokale dhe të promovojnë kujdesin ndaj mjedisit. Por që të jenë efektive, këto iniciativa duhet të shkojnë përtej strategjive në letër. Ato duhet të ndërtohen mbi bazën e besimit dhe përfshirjes, transparencës dhe përfitimeve konkrete për komunitetin ku ato zbatohen.
Vende si Thethi janë më shumë se parqe kombëtare. Ato janë komunitete të gjalla, plot jetë. Sfidat e këtyre vendeve nuk janë unike, por përfaqësojnë një mundësi për të rishikuar mënyrën se si Shqipëria i qaset mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit rural, turizmit dhe integritetit institucional.
Një Kantik për Alpet: Nga Kontrolli drejt Bashkimit
Nëse duam të kapërcejmë konfliktin, përtej prishjeve, korrupsionit dhe mosbesimit, duhet të ndryshojmë së pari qëndrimin tonë. Të kalojmë nga përballja te bashkëjetesa. Nga kontrolli drejt bashkimit.
Për këtë gjejmë një përgjigje te Kantiku i Krijesave i Shën Françeskut të Asizit. Është pikërisht këtu që Kantiku shfaqet jo vetëm si një poezi shpirtërore, por edhe si një vizion thellësisht politik. I shkruar në thjeshtësinë e kodrave të Umbrias, Kantiku kremton të gjithë elementët e krijimit, diellin, hënën, ujin, zjarrin, erën, tokën, jo si objekte, por si motra dhe vëllezër si pjesë e një familje të madhe ku ka në qendër përkujdesin ndaj njëri tjetrit. Vëlla Diell, Motër Hënë, Nëna Tokë.
«Qofsh lëvduar, Zoti im, për vëlla Ujin, i cili është fort i dobishëm e i përvuajtur dhe i çmueshëm e i dlirë…»
«…Qofsh lëvduar, Zoti im, për motrën tonë, Tokën nënë,e cila na ushqen dhe na mban,
dhe prodhon çdo lloj fryti me lule dhe barëra shumëngjyrëshe...»
Nuk është romantizëm. Është një thirrje për solidaritet rrënjësor. Një kujtesë se marrëdhënia jonë me natyrën nuk mund të përcaktohet vetëm nga kode, ligje apo leje ndertimi, por nga një përkatësi e përbashkët. Natyra “na qeveris”, thotë Françesku, jo e kundërta.
Dhe pikërisht ky është momenti i kthesës për Thethin dhe për Shqipërinë.
Konflikti aktual nuk ka të bëjë vetëm me ndërtimet e paligjshme apo me neglizhencën e shtetit. Ai lidhet me mungesën e një etike të përbashkët dhe një gjuhë të përbashkët përmes së cilës shteti, qytetarët dhe territori të mund të lidhen jo si kundërshtarë, por si aleatë. Ajo që mungon nuk është vetëm zbatimi i ligjit apo planifikimi, por një vizion i kujdesit të ndërsjellë.
Kantiku na fton të ndërtojmë këtë vizion. Ai thekson se mbrojtja e mjedisit nuk është një fushatë, por një besëlidhje. Se drejtësia nuk është vetëm ligj, por marrëdhënie. Dhe se zhvillimi nuk duhet të jetë diçka që i imponohet komuniteteve, por diçka që rritet bashkë me to, e rrënjosur në nderim dhe respekt.
Që Thethi të gjejë sërish harmoninë dhe paqen, duhet të flasim me këtë zë të thellë. Duhet të shkojmë përtej ndëshkimit apo përfitimit dhe të pyesim: çfarë do të thotë të qeverisësh dhe të jetosh me malet? Të zhvillosh me lumenjtë? Të ligjërosh me popullin, e jo kundër tij?
Ky është misioni i kohës sonë: të shndërrojmë mbrojtjen e mjedisit nga një instrument ndëshkimi apo përfitimi në një dialog përkatësie. Dhe ndoshta aty, më në fund, do të mund të gjejmë jo vetëm një zgjidhje për Thethin, por një rrugë drejt një Shqipërie më të përbashkët, më njerëzore.