10.5 C
Tirana
HomeKryesorTeknologjia. Super-inteligjencat artificiale mund të vendosin të na eliminojnë
HomeKryesorTeknologjia. Super-inteligjencat artificiale mund të vendosin të na eliminojnë

Teknologjia. Super-inteligjencat artificiale mund të vendosin të na eliminojnë

Përparimi marramendës i AI (Inteligjenca Artificiale) thotë se së shpejti mund ta tejkalojë veten, ndërsa njerëzimi është i papërgatitur dhe filozofët moralë nuk pajtohen për parimet etike të saj

Ne jetojmë në shekullin dixhital dhe duhet të reflektojmë se si të jetojmë në këtë fazë të jetës njerëzore, e cila mund të jetë veçanërisht e favorshme për të gjithë ne. Pjesa më e madhe e inovacionit në sektorin dixhital udhëhiqet nga nxënia e makinerisë (Machine Learning), një tërësi metodash që analizojnë një mori të dhënash të disponueshme (Big Data) për të identifikuar tendencat dhe për të bërë deduksionet. Ndryshe nga programet konvencionale, algoritmet e nxënies automatike mësojnë vetë, duke u mbështetur në të dhënat e disponueshme. Këto algoritme bazohen në të ashtuquajturat “rrjete nervore”, programe që imitojnë mënyrën se si qelizat e trurit ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Ato janë në qendër të përpjekjeve për të krijuar inteligjencë artificiale (AI). Falë sofistikimit të tyre dhe aplikimeve të tyre të gjera, këto teknika janë të destinuara të ndryshojnë rrënjësisht botën tonë. Një mënyrë për të kuptuar se pse e gjithë kjo mund të jetë një pikë kthese ose një thyerje, ofrohet nga paradoksi i Fermit, i cili ka marrë emrin e fizikanit italian Enrico Fermi. Nga njëra anë, ka shumë të ngjarë që në univers, përveçse në Tokë, të ekzistojë jeta inteligjente. Por atëherë: ku janë të gjithë? Pavarësisht nga interesimi i vazhdueshëm për UFO-t, ne nuk kemi prova përfundimtare se ekziston jeta jashtëtokësore. Ky është paradoksi. Një shpjegim i mundshëm është se jeta inteligjente vdes kudo që ekziston përpara se të mund të kontaktojë me jetën inteligjente në planetë të tjerë. Kjo, nga ana tjetër, mund të jetë për shkak të faktit se teknologjia (një produkt i inteligjencës) lind dinamika që përfundojnë duke fshirë fare jetën inteligjente.

Sigurisht, nuk duhet me patjetër të jetë kështu. Shumë inxhinierë dhe shkencëtarë socialë që mbajnë një qëndrim më pak spekulativ bëhen të padurueshëm përballë hipotezave apokaliptike. Por elementi për t’u marrë parasysh është se themelet e epokës dixhitale u hodhën vetëm disa dekada më parë, me projektin e “inteligjencës artificiale”, i cili daton vetëm në mesin e viteve pesëdhjetë. Në përgjithësi, ritmi i ndryshimit është i jashtëzakonshëm. Prodhimi i modeleve të AI tani duket se po hyn në një epokë industriale, shumë përtej fazave të mëparshme ku këto modele ishin më artizanale dhe eksperimentale. Këto përparime bazohen në zbulimet e bëra rreth vitit 2010, kur kompjuterët u bënë mjaftueshëm të fuqishëm për të ekzekutuar modele me prurje shumë të mëdha të nxënies automatike dhe interneti filloi të sigurojë sasi të mëdha të dhënash për trajnimin që këto algoritme kërkojnë për t’u trajnuar. Që atëherë, përparimet konceptuale në programim kanë çuar në krijimin e softuerëve gjithnjë e më kompleks dhe të sofistikuar. Superkompjuterët e nevojshëm për të mundësuar që modelet më të avancuara të AI të përdorin fuqinë e tyre të plotë janë bërë aq të kushtueshëm saqë, duke lënë mënjanë strategjitë qeveritare për të financuar AI në vendet më të pasura, sektori ka të ngjarë të përfundojë duke u zotëruar nga agjenda kërkimore e pak kompanive private me shumë burime të mëdha.

Sa i përket inteligjencës artificiale të specializuar, në pikën më të lartë janë algoritmet që fitojnë në shah ose Go [një lloj loje]. Çështja këtu nuk është vetëm se inteligjenca artificiale i mund lojtarët njerëzorë, por përparimi befasues se si ka ndodhur kjo. Fillimisht AI mori mësime nga historia e lojës që luanin njerëzit, më pas luajti kundër vetes, por më vonë i mësoi vetë rregullat dhe në fund krijoi sisteme të afta për të nxënë dhe për të fituar në lojëra të ndryshme (e gjithë kjo ndodhi brenda pak viteve). Gjithashtu në fashën e lartë përfshihen njohja e zërit dhe përpunimi i gjuhës natyrore, me shfaqjen e modeleve gjuhësore të përmasave të mëdha të afta për të gjeneruar produkte të ngjashme me ato të njerëzve (më së fundmi Chat-GPT). Por duke lënë mënjanë këto teknologji të nivelit të lartë, AI e specializuar tashmë po funksionon në shumë pajisje të përdorimit të përditshëm. Ndryshe nga operacionet e specializuara të përshkruara, AI e përgjithshme i afrohet performancës njerëzore në të gjitha fushat. Sapo inteligjenca artificiale e përgjithshme të jetë më e zgjuar se ne, mund të prodhojë diçka më të zgjuar se vetvetja, dhe kështu me radhë, e ndoshta shumë shpejt. Ai moment njihet si veçoria, një shpërthim i inteligjencës që ka të ngjarë të jetë ngjarja më e madhe në historinë njerëzore.

Pa dyshim, mundësia, natyra dhe probabiliteti i një veçoriejanë ende shumë të diskutueshme dhe ne nuk jemi fare afër diçkaje të tillë. Por “nuk jemi afër” mund të merret në kuptimin e aftësive inxhinierike dhe jo të kohës. Disa zbulime të mëdha mund ta transformojnë rrënjësisht fushën. Truri ynë ka evoluar për të vepruar në grupe të vogla njerëzish të cilët duhet të bashkëpunojnë për të marrë burime natyrore për të mbijetuar. Me kalimin e kohës, inovacioni teknologjik na ka ofruar mundësi menaxhimi për të cilat truri ynë nuk ka evoluar askurrë. Edhe në aspektin filozofik, ne jemi mjerisht të papërgatitur për këtë botë të re. Filozofët moralë vazhdojnë të mos pajtohen thellësisht rreth parimeve themelore të etikës, deri në atë pikë sa nuk mund të jemi të sigurt që superinteligjencat ta shohim si diçka të gabuar eliminimin tonë. Marrëdhënia midis mendjes dhe trupit gjithashtu është pak e kuptuar, saqë ne nuk kemi një përgjigje të pranuar gjerësisht mbi pyetjen nëse makinat, përveç se inteligjente, do të jenë edhe të vetëdijshme. Për më tepër, nuk është e qartë nëse një kombinim i inteligjencës dhe vetëdijes mund t’u japë atyre edhe një gjë tjetër që njerëzit e vlerësojnë shumë: racionalitetin praktik, aftësinë për të bërë gjykime të vlefshme në një mënyrë të ndjeshme ndaj kontekstit.

Në një epokë të inovacionit teknologjik, është e vështirë të bësh parashikime përtej një dritareje pesëvjeçare. Le të imagjinojmë se mendjet më të ndritura të kohës u mblodhën në vitin 1900 për të parashikuar se si do të ishte bota në vitin 1920. Duke pasur parasysh të gjitha ndryshimet e shkaktuara nga Lufta e Parë Botërore, ne do duhet të supozojmë se ato kishin gabuar në mënyrë spektakolare. Imagjinoni sesi mendjet më të zgjuara në vitin 1920 do ta kishin parashikuar botën e 1940-ës, ato të 1940-ës botën e 1960-ës e kështu me radhë. Të mendosh për parashikime të këtij lloji është një përvojë frustruese. E ardhmja e punës është një temë e nxehtë në këtë periudhë dhe ndoshta do të na angazhojë shumë përpara shpërthimit të mëtejshëm të inteligjencës artificiale. Shumica e ekspertëve besojnë se, si me valët e mëparshme të inovacionit, ndryshimet në vendin e punës do të ndryshojnë shumë linja prodhimi dhe do të eliminojnë disa – por në përgjithësi, pasi të arrihet fundi i tunelit, gjërat do të jenë më mirë se sa janë tani.

Njerëzit do të punojnë më pak dhe profesionet që do të mbeten prerogativë e njerëzve do të jenë më interesante. Por a mund të jetë ndryshe këtë herë? Një përgjigje është se format e mëparshme të krijimit të pasurisë janë varur gjithmonë nga një lumpenproletariat [klasë shoqërore e ulët nga pikëpamja ekonomike] i gjerë ekonomik. Pronësia e tokës është fitimprurëse vetëm nëse njerëzit e japin tokën me qira për të punuar në të. Pronësia e makinerive është fitimprurëse vetëm nëse njerëzit blejnë gjërat që makinat prodhojnë. Me krijimin e pasurisë gjithnjë e më të bazuar në kontrollin e të dhënave, ekzistenca e një nënklase të tillë ekonomike mund të pushojë së shërbyeri qëllimit në favor të të pasurve. Shumë vende evropiane kanë një sistem të mirëqenies [welfare] që nuk duhet të shqetësohen shumë për këtë aspekt. Por solidariteti social është pak i pazhvilluar në Shtetet e Bashkuara dhe këto përparime, së bashku me luftërat e vazhdueshme kulturore, mund ta copëtojnë vendin.

Një nga krijuesit dhe përkrahësit kryesorë të teknologjisë në shekullin e 20-të ishte matematikani John von Neumann. Pak para vdekjes së tij në 1957, ai botoi “A mund t’i mbijetojmë teknologjisë?”, një artikull në të cilin ai reflektonte – si anëtar i Komisionit të Energjisë Atomike të SHBA – mbi botën që po krijonte teknologjia dhe përparimin e pandalshëm të së cilës ai kishte kontribuar kaq shumë. Von Neumann filloi duke vënë re se planeti ynë tani është shumë i vogël për të thithur shumë nga ato që mund të shkojnë keq me përhapjen e teknologjisë dhe politikisht shumë i decentralizuar për të menaxhuar mirë përparimin e tij. Dhe ai përfundonte duke thënë se gjithçka që dimë me siguri është se për të ecur përpara kemi nevojë për “durim, fleksibilitet dhe inteligjencë”. Dhe kishte të drejtë edhe për situatën aktuale përballë Inteligjencës Artificiale.

Ngjarja në Romë – Përsiatja mbi etikën dhe politikën në epokën dixhitale

Mathias Risse, autor i këtij artikulli, i shkruar posaçërisht për “Avvenire”, është profesor në Human Rights, Global Affairs and Philosophy në Universitetin e Harvardit (Boston, SHBA); ai ka botuar së fundmi “Teoria Politike e Epokës Dixhitale” (Cambridge University Press, 2023). Në datat 9 dhe 10 qershor ai do të jetë i ftuar në Universitetin Roma Tre me rastin e takimit vjetor të Shoqatës Italiane të Filozofisë Morale e cila do të ketë titullin “Etikat e aplikuara dhe subjektet e rinj moral”. Përveç filozofëve të mëdhenj moralë italianë, në takim do të marrë pjesë edhe Erin Kelly (profesoreshë në Universitetin Tufts), fituese e çmimit Pulitzer në vitin 2022.

BurimiAvvenire

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme