21.8 C
Tirana
HomeKisha Universale«Të presim shumë risi nga Papa. Zgjedhja e tij? Graduale»
HomeKisha Universale«Të presim shumë risi nga Papa. Zgjedhja e tij? Graduale»

«Të presim shumë risi nga Papa. Zgjedhja e tij? Graduale»

Flet prefekti për Çështjet e shenjtërve: zgjedhja e Leonit XIV nuk ishte aspak e mundimshme dhe ishte fryt i dëgjimit. Ati i Shenjtë ka një stil delikat, por është i vendosur. Jo një sinodalitet sociologjik.

Kardinali Marcello Semeraro nuk e fsheh. «Kur Kolegji i Kardinalëve filloi të mblidhej për t’u përgatitur për Konklavën, ishim të gjithë të shqetësuar. Prejardhjet e ndryshme, mungesa e njohjes reciproke, ndjeshmëritë e ndryshme mund të sugjeronin ditë të vështira. Edhe ato brenda Kapelës Sikstine. Por zgjedhja e Leonit XIV nuk ishte aspak e lodhshme. Edhe koha e konfirmon këtë: njëzet e katër orë nga ‘Extra omnes’. Dhe jam vërtet i lumtur që zgjodhëm Robert Prevost si Papë. Është një njeri që e vlerësoj shumë». Prefekti i Dikasterit për Çështjet e shenjtërve e njeh mirë. «Dhe jo vetëm sepse takohemi gjithnjë në ashensor apo në shkallë», thotë me shaka. Njëmend, ai ka bashkëndarë me kardinalin Prevost të njëjtën ndërtesë pune: Pallatin e Kongregacioneve në sheshin Piu XII, ku ndodhen si Dikasteri për ipeshkvijtë – të cilin Papa aktual e ka drejtuar – ashtu edhe ai për shenjtërit. Dhe kardinali energjik nga Pulia, 77 vjeç, vazhdon të bashkëndajë me Atin e Shenjtë anën e Pallatit ku ndodhet Dikasteri për Doktrinën e Fesë, ku banojnë të dy. Edhe tani, duke qenë se Leoni XIV vazhdon të qëndrojë për momentin në apartamentin ku ishte zhvendosur pak muaj më parë, në pritje të vendimit për banesën e tij. «Ka një stil të dashur e delikat, herë-herë të butë – tregon Semeraro –. Por në të njëjtën kohë është një person me vendosmëri, i aftë të marrë vendime kur është e domosdoshme. E ka dëshmuar si prefekt i Dikasterit për ipeshkvijtë; e kishte treguar më herët si epror i përgjithshëm i augustinianëve».

Eminencë, Konklava ishte e shkurtër. Ishte një sinjal që deshët të jepnit?
Do të thosha që zgjedhja e Papa Leonit u arrit përmes një sërë rrethanash. Para së gjithash, dëgjimi. Në një Kolegj kardinalësh kaq të larmishëm kemi vepruar sipas fjalëve të Shën Benediktit i cili, duke folur për abatin, kërkonte që të dëgjoheshin të gjithë. Besoj se ishte një mundësi nga qielli. Dhe, në të njëjtën kohë, Shpirti Shenjt na udhëhoqi gjatë ditëve të gjata të reflektimit për Kishën e tanishme dhe atë të ardhshme. Më pas filloi Konklava. Kur vonuam në votimin e parë, mendova: «Kush e di çfarë do të thonë jashtë se përse nuk del tymi… Ndoshta do të mendojnë se po zihemi…». Në realitet, vonesa erdhi nga procesi i votimit, pasi ishte dita e parë. Shumica që çoi në zgjedhjen e Leonit XIV u formua hap pas hapi, gradualisht, jo befas. Dhe e shoh këtë si një dhuratë nga Zoti. Ashtu siç ishte dhuratë edhe hapja e zemrës së atyre që, në një moment të caktuar, hoqën dorë kur kuptuan se era frynte në drejtim tjetër. Brenda një kohe të shkurtër u arrit shumica e nevojshme.

Çfarë të presim nga pontifikati i Leonit XIV?
Nuk do të jetë një fotokopje e Françeskut, ashtu siç Papa Bergolio nuk ishte fotokopje e Benediktit XVI. Ka disa elemente biografike për Leonin XIV që duhet t’i kemi parasysh. I pari është se ai është një Papë migrant, më saktë “bir” i emigracionit: familja e tij vjen nga Evropa dhe ka emigruar drejt kontinentit amerikan. Edhe kjo është një shenjë që Zoti ia dërgon botës përmes Kishës: vëmendja ndaj migrantëve, ndaj atyre që duhet të lënë gjithçka për një jetë më të mirë. Ndoshta ndonjë politikan nuk do të jetë i kënaqur me zgjedhjen e tij… Disa thonë se Shtetet e Bashkuara kanë Papën [Papa] e tyre të parë; unë preferoj të mendoj se të ardhurit në Amerikë kanë Papën [Pontefice] e tyre të parë. Jo më kot ai zgjodhi të fliste edhe në spanjisht nga Lozha qendrore.

Dhe cilësia e dytë e Papa Leonit?
Ajo misionare: Papa aktual ka qenë në Peru, madje si ipeshkëv, pra në pozita përgjegjësie. Të gjithë kemi parë fotografitë e tij mbi kalë ose me çizme në baltë. Me Papën Françesku e bashkon një vizion i përbashkët për promovimin njerëzor dhe shoqëror që buron nga Ungjilli. Zgjedhja e emrit e konfirmon: Leoni. Siç tha vetë ai kur u takua me ne kardinalët, i referohet Leonit XIII, Papës së “Rerum Novarum”. Sot, si një shekull e gjysmë më parë, nuk jemi në një epokë ndryshimesh, por përjetojmë një ndryshim epoke, do të thoshte Papa Françesku. Inteligjenca artificiale është emblema e një çështjeje antropologjike që na thërret. Por Papa Leoni nuk është vetëm kjo.

Çfarë tjetër është, sipas jush?
Është një augustinian, përvojë ndryshe nga ajo jezuite e Françeskut. Ka njohuri të thella teologjike; është ekspert në patristikë dhe me doktoraturë në të drejtën kanonike. Prandaj do të ketë pa dyshim një vazhdimësi mes dy pontifikateve, por do të thosha se duhet të presim të paktën tetëdhjetë për qind risi. Gjithashtu, mendoj se do të jetë një pontifikat i katolicitetit, ku me “katolicitet” nuk nënkuptohet vetëm universaliteti i Kishës, që është nocion hapësinor, por takimi i larmive që vlerësohen në mënyrë harmonike.

Papa ka përmendur Koncilin si busull udhërrëfyese.
Gjon Pali II kishte folur për profecinë e Vatikanit II duke reflektuar mbi mijëvjeçarin e ri. Ka shumë intuita të Koncilit që ende presin të përkthehen në realitet. Për ta bërë këtë, kërkohet edhe virtyti i maturisë që përfshin dallimin, durimin, lodhjen e kërkimit, këshillën.

Papa Françesku ndryshoi strukturën e Kuries Romake. Është një reformë që duhet përfunduar?
Jam më se i bindur. Edhe unë kam punuar për këtë çështje deri në një farë pike si sekretar i Këshillit të kardinalëve. Edhe Pali VI kishte ndier nevojën për të vënë dorë duke synuar përforcimin e misionit të Papës e të Kishës. Kuria është një mjet shërbimi dhe si e tillë mund të përshtatet sipas nevojave. Edhe në reformën e Françeskut, një rol themelor duhet ta ketë e drejta kanonike. Ajo është një garanci: nganjëherë realitetet njerëzore respektohen më mirë duke zbatuar ligjin.

Papa ka folur për kolegjialitet dhe sinodalitet. Disa kritikojnë një sinodalitet të tepruar.
Termi “Sinod” dhe mbiemri “sinodal” janë pjesë e historisë së Kishës. Pastaj u kalua te një abstraksion: “sinodaliteti”, një koncept aq i paqartë sa mund të përfshijë çfarëdo. Më pëlqen më shumë ideja e “takimit”: Sinodi është takimi në Krishtin. Ndërsa kolegjialiteti është tipike e ipeshkvijve. Tani po ngatërrohet procesi i formimit të ideve me atë të vendimmarrjes. Na pëlqen apo jo, duhet të rikthehemi tek Ungjilli: Zoti zgjodhi Marinë për të mbartur në bark Fjalën që u bë mish dhe për ta bërë mbrojtësen tonë; zgjodhi Marinë Magdalenë si dëshmitare të parë të Ngjalljes; por thirri apostujt për të udhëhequr Kishën. Prandaj vetë Kisha nuk mund të ndihet e autorizuar për të ndryshuar praktikën e Krishtit. Rreziku është një lexim sociologjik i thesarit sinodal, shoqëruar me supozimin që dikush mund të vendosë në vend të ipeshkvit. Besoj se Papa Leoni do të përcaktojë se si është më e përshtatshme të veprohet. Dhe duhet të mbahet parasysh fraza e Shën Augustinit, që Papa e shqiptoi në përshëndetjen e tij të parë: «Me ju jam i krishterë dhe për ju jam ipeshkëv».

Papa ka një lidhje të veçantë me Kishën italiane. Çfarë të presim?
Papa është ipeshkëv i Romës dhe, në të njëjtën kohë, udhëheqës i Kishës universale. Leoni e njeh mirë bashkësinë kishtare të Italisë: për shembull, përmes emërimeve të ipeshkvijve gjatë viteve të fundit. Vështrimi i tij i dashur dhe atëror ndaj Kishës italiane është padyshim burim gëzimi, por ka edhe një aspekt qeverisës. Papës i nevojiten bashkëpunëtorë, jo ekzekutues urdhrash, dhe duhet të ndodhë ajo që ndodh edhe në kombet e tjera.

Papa Leoni do duhet të kryesojë dy kanonizime shumë të pritura: atë të Carlo Acutis dhe Pier Giorgio Frassati.
Do t’ia paraqes Papës këtë çështje. Duhet të jetë ai që vendos për njërin dhe për tjetrin. Janë dy të rinj. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për të vënë në pah një moshë, por hapësirat e jetës. Në këtë drejtim mendoj për burrin e shtetit Alcide De Gasperi, për të cilin është mbyllur faza dioqezane e procesit të lumnimit dhe kanonizimit, ose për arkitektin spanjoll Antoni Gaudí, i shpallur së fundmi i Nderuar. Si të rinjtë, ashtu edhe politika, po edhe bota e artit, kanë nevojë urgjente për modele shenjtërie.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme