10.5 C
Tirana
HomeKryesorTakimi i Familjeve, rast për të bashkuar Romën me botën
HomeKryesorTakimi i Familjeve, rast për të bashkuar Romën me botën

Takimi i Familjeve, rast për të bashkuar Romën me botën

Fillon nesër e do të vijojë deri më 26 qershor Takimi i dhjetë Botëror i Familjeve. Ngjarje, që do të mbahet me një mënyrë të re, dëshiruar nga Papa Françesku e karakterizuar nga përmasa multicentrike. Roma është selia kryesore e saj, por këto ditë, dioqezat kudo në botë do të promovojnë veprimtari lokale për familjet dhe për bashkësitë vendase. Kështu, çdo familje e jo vetëm ato, që kanë mundësi të vijnë në Romë, do të marrin pjesë në këtë Takim, i cili mbahet në përvjetorin e gjashtë të Nxitjes Apostolike “Amoris Laetitia”, katër vite pas “Gaudete et Exsultate”, siç theksoi vetë Ati i Shenjtë në videomesazhin me rastin e paraqitjes së formës së jashtëzakonshme të kësaj ngjarjeje. “Këtë herë – pati thënë Papa – do të jetë rast providencial për të realizuar një takim botëror, në gjendje të përfshijë të gjitha familjet, që duan të ndihen pjesë e bashkësisë kishtare”.

“Ay ku është e mundur, – pati thënë Françesku – i ftoj bashkësitë dioqezane të planifikojnë iniciativa, duke u nisur nga tema e takimit… Ju kërkoj të jeni të gjallë, aktivë dhe krijues, të organizoheni me familjet, në harmoni me çka ndodh në Romë. Është rast i çmuar për t’iu kushtuar me entuziazëm baritorisë familjare: bashkëshortët, familjet dhe barinjtë e Kishës, të gjithë së bashku. Guxim, pra, të dashur barinj dhe të dashura familje, ndihmojeni njëra-tjetrën për të organizuar takime në dioqeza dhe famulli në të gjitha kontinentet. Rrugë të mbarë drejt Takimit të ardhshëm Botëror të Familjeve!”

Programi

Në Engjëllin e Tënzot të së dielës, 19 qershor, Papa e kujtoi sërish këtë Takim. Ati i Shenjtë falenderoi “ipeshkvijtë, famullitarët dhe punonjësit e baritorisë familjare, që i kanë bashkuar familjet në çaste reflektimi, festimi dhe kremtimi”. “Falënderoj veçanërisht bashkëshortët dhe familjet – pohoi Ati i Shenjtë – që do të dëshmojnë dashurinë familjare si thirrje dhe udhë shenjtërimi”. Nesër, ngjarja e parë e Takimit është Festivali i Familjeve, në praninë e Papës. Më 23 qershor, janë parashikuar katër panele, ndër të cilët ai me temë “Bashkëshortët dhe meshtarët së bashku për të ndërtuar kishën”, si edhe dy konferenca, njëra prej të cilave me temë “Shoqërimi i viteve të para të martesës”. Të premten, më 24 qershor, veprimtaritë do të përqendrohen mbi çështje të tjera, si “Katekumenati bashkëshortor” dhe “Thirrja e misioni në periferitë ekzistenciale”. Të nesërmen, ditën e shtunë, 25 qershor, i kushtohet një konferencë familjes Beltrame Quattrocchi. Më pas, paraqitja e doracakut për Bashkëshortët e Shenjtë e mesha e kryesuar nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit. Takimi përfundon të dielën e 26 qershorit me “Mandatin për familjet”.

Takimet botërore të familjeve: nga 1994 deri më sot

Takimet botërore të familjeve e kanë zanafillën në vitin 1994. Kombet e Bashkuara e shpallën “Vit Ndërkombëtar të Familjes”. Me nxitjen e Papës Gjon Pali II, njëkohësisht, u kremtua edhe në Kishë “Viti i Familjes”: takimi i parë botëror u mbajt në Romë. Tre vite më vonë, më 1997, Papa Wojtyla i thirri familjet nga e gjithë bota në Rio de Zhaneiro të Brazilit, për të reflektuar mbi temën: “Familja: dhuratë dhe impenjim, shpresë për njerëzimin”. Më pas, çdo tre vite, Takimet Botërore të Familjeve u mbajtën në Romë, në Manila të Filipineve, në Valencia të Spanjës, në Qytetin e Meksikos, në Milano të Italisë e, së fundi, në Dublin të Irlandës.

Marrë nga (Radio Vatikani)

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme