6.5 C
Tirana
HomeKISH“Sonila si je?”
HomeKISH“Sonila si je?”

“Sonila si je?”

Sonila Meco

Nga dera karshi ikonës së Shna Ndout të Padovës, që shpie tek dhoma e përgatitjes për meshën e shenjtë më drejtohet me një zë liturgjik, në shqipe të pastër, por lehtë “marinuar” alla italiana, një prift me flokë të bardhë si fjolla dëbore, me sy të shndritshëm kaltërosh.

Tek Kisha e Don Boskos hyja prej kohësh, dikur pranë shtëpisë ku jetoja, as dy hapa. Një zonë, që mori emrin e themeluesit të urdhërit salezian, që iu vu qendrës edukative ndërtuar mbi tokën ku para viteve ‘90 vegjetonin veç bunkerë në pritje të armikut nga përtej Adriatikut.

Armiku nuk erdhi kurrë, por në vend të tij, një grup salezianësh punëtorë e të devotshëm ngritën një qendër të madhe me auditorë, shkolla, oratorio, kishë, qendër ditore për fëmijët romë dhe ca lulishte parfumosur aromash trëndafilash, jargavanësh e lulequmështi të freskëta, ku shëtiste edhe e vogla ime, Amaris me gjyshërit e saj.

Në kureshtinë time për njohjen e besimeve të ndryshme fetare, ajo kishë qe shndërruar në një ndalesë rutinore, nga ku leximet liturgjike, librat me këngë kishtare, meshat dhe festimet më ndihmonin të njihja katolicizmin, duke respektuar njëkohshëm bektashizmin e babit, myslymanizmin e mamit dhe ortodoksinë e partnerit tim. Por me atë pyetje, atë ditë, ndërsa vëzhgoja Shna Ndoun e Padovas, në thjeshtësinë, përulësinë e dlirësinë e tij françeskane do të nisja një ndër miqësitë e lume me Dom Michele Gentile, priftin katolik italian, ardhur qysh në vitin 1993 në Shqipëri, fillimisht në Shkodër e më pas në Tiranë, salezianin e urtë, pasuesin e Don Bosco-s, themeluesin e metodës së edukimit përmes dashurisë e jo ndëshkimit.

Nga ajo ditë, përpos Dervish Mikelit të Teqesë të Turanit, një kleriku, miku të dashur dhe udhëheqës shpirtëror qysh nga koha e Dede Reshat Bardhit, nje tjetër Mikel iu shtua itinerarit tim fetar drejt njohjes e konsolidimit të besimit, si një proces vetjak i ndjekjes së dritës në hullinë e errët shpirtërore. Dom Michele i salezianëve të Don Bosco-s, këshilluesi im i devotshëm katolik, italiani i natyralizuar shqiptar, që më ndihmon të njoh, kuptoj e ndjek një rrugëtim më shumë në hartën e ndërlikuar shpirtërore drejt kuptimit të jetës.

Për Dom Michele-n e çdo mbajtës të përulur drite, që i lejon arsyes me anë të besimit të zhvillohet mes zemrave të një komuniteti njerëzor në shërbim e respekt ndaj njëri-tjetrit: Gëzuar Pashkën!

Lindjen, në një shpresë të re, që me ringjalljen e Krishtit dhe simbolikën e saj na fton për zgjim, si gurkyçi i parë në kuptimin e jetës, misionit tonë dhe shërbimit ndaj hyjnores.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme