16.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Shkodër-PultSolemniteti i shën Kjarës
HomeArqidioqeza Shkodër-PultSolemniteti i shën Kjarës

Solemniteti i shën Kjarës

Data 11 gusht në Kishën Katolike lidhet me një figurë mjaft të dashur për shumë njerëz. Bëhet fjalë për themeluesen e motrave klarise, Shën Kjarën e Asizit. Nëse flasim për të është e domosdoshme ta vendosim pranë Atit serafik shën Françeskut të Asizit, i cili pati një ndikim shumë të madh tek ajo. Biografia e jetës së saj, ashtu siç e çdo shenjti a shenjtëreshe, përbëhet nga një rrugëtim sa i bukur aq edhe i vështirë. Shenjtëria dhe shembulli i shën Kjarës bënë që shumë vajza të shkojnë në ndjekje të Krishtit sipas mënyrës së jetesës të propozuar nga shenjtja Kjarë. Edhe në Shqipëri kemi pasur fatin që t’i kemi mes nesh motrat e varfra të shën Kjarës. Përgjatë viteve të shërbimit të tyre në vendin tonë ato kanë dëshmuar më së miri mënyrën e jetesës së një besimtari të vërtetë duke jetuar në pastërti, varfëri dhe dëgjesë, virtyte të cilat janë “të përftuara” pikërisht nga Ungjilli, të cilin të gjithë jemi të ftuar ta shpallim në jetën tonë të përditshme.

Më 10 gusht 2021 në orën 19:00 është lutur Mbrëmësorja në oborrin e Manastirit të motrave klarise në Shkodër. Lutja është udhëhequr nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj, i cili gjatë reflektimit që bëri para të pranishmëve theksoi rolin mjaft të rëndësishëm të motrave të kongregatave dhe urdhrave të ndryshëm në ungjillëzimin nëpër botë e sidomos në tokën tonë shqiptare të larë nga gjaku i martirëve. I pranishëm në këtë lutje të Mbrëmësores ishte Arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult imzot Angelo Massafra dhe zëvendës provinciali fra Aurel Gjerkaj. Gjithashtu janë bashkuar në lutje edhe fretërit kapuçinë, motra të kongregatave të ndryshme, terciarët françeskanë si dhe besimtarë e ndjekës të devotshëm të shën Françeskut dhe shën Kjarës.

Mbrëmësorja është trajtuar në formën e një vigjiljeje pashkvore, pasi riti kishte të ndërthurur disa momente të veçanta për lexime të posaçme, ndezjen e qirit pashkvor etj. Në fund të lutjes abatesha e motrave të manastirit “Shën Kjara” Sonia Gustizieri falënderoi të gjithë të pranishmit që ishin bashkuar në atë moment hiri dhe gëzimi. Lutja u mbyll me bekimin solemn të fra Pashkos.

Të nësermen është kremtuar mesha solemne në oborrin e manastirit në orën 08:30. Meshën e ka udhëhequr imzot Angelo Massafra, ndërsa bashkëkremtues ishin meshtarë të shumtë nga Arqidioqeza e Shkodër-Pultit. Massafra në predikimin e tij ftoi të gjithë të pranishmit që t’i përgjigjen thirrjes së Zotit ashtu siç ka bërë edhe bashkëthemeluesja e Urdhrit të dytë françeskan shën Kjara, e cila e ka bërë këtë gjë me thjeshtësi dhe përvujtëri. Po ashtu qenë të pranishëm rregulltarë, rregulltare e besimtarë të shumtë. Meshën e ka zbukuruar edhe kori me instumentalistin Harlen Nikolli dhe dirigjentin fra Luigi Aluisi, të cilët së bashku me korin e motrave e kanë gjallëruar këtë festë.

Marrë nga Provinca Françeskane Shqiptare

Fra Lorenc Pepniku

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme