U paraqit dje veprimtaria, në të cilin do të marrin pjesë 200 delegatë nga 39 konferenca ipeshkvnore kombëtare dhe organizmat më të rëndësishme kishtare. Në sfond, lufta në Evropën Lindore. Imzot Grušas, kryetar i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE): çka ndodh në Ukrainë, ndikon edhe mbi jetën kishtare. Kardinali Hollerich: Sinod vendimtar, për Kishën misionare.
Bashkim, pjesëmarrje, mision. Këto tri fjalë kyçe do të udhëheqin fazën kontinentale të Sinodit për Evropën, e cila do të zhvillohet në Pragë nga 5 deri më 12 shkurtin e ardhshëm. Ngjarja, e organizuar nga Këshilli i Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë (CCEE), Konferenca e Ipeshkvijve Çekë dhe kryeipeshkvnia e Pragës, e paraqitur dje në mëngjes në Radio Vatikan – Vatican News, merr shkas nga Dokumenti për etapën kontinentale, botuar kohët e fundit, në të cilin përmblidhen reflektimet e popullit të Zotit mbi temat sinodale në nivel kombëtar dhe dioqezan.
Pjesëmarrësit në skenën kontinentale evropiane
Në kryeqytetin e Republikës Çeke do të marrin pjesë 200 delegatë, d.m.th 39 kryetarët e konferencave kombëtare të ipeshkvijve, secili i shoqëruar nga tre përfaqësues dhe 44 përfaqësues të realiteteve kishtare më aktive në nivel evropian, të ftuar drejtpërdrejt nga CCEE. Këtyre do t’u shtohen 390 pjesëmarrës larg nga ambienti kishtar, dhjetë për çdo konferencë ipeshkvnore. Përveç kësaj, në punime do të marrin pjesë edhe disa delegatë nga konfesione të tjera të krishtera. Asambleja do të ndahet në dy faza: në të parën, nga 5 deri më 9 shkurt, do të jenë të pranishëm të gjithë delegatët; në të dytën, nga ora 9 deri në 12, vetëm kryetarët e konferencave ipeshkvnore.
Të ecim së bashku
“Dëshirojmë të ecim së bashku, siç na nxit Papa Françesku, për ta jetuar përvojën e një Kishe që e merr dhe e jeton dhuratën e unitetit dhe ia hap zemrën zërit të Shpirtit Shenjt, për të qenë me të vërtetë kishë sinodale, kishë që dëgjon, Kishë afërsie” – theksoi Imzot Gintaras Grušas, kryeipeshkëv i Vilniusit dhe kryetar i CCEE, i cili kujtoi dy Sinodet për Evropën organizuar nën papninë e Gjon Pali II pas luftës së ftohtë, në sa afrohej mijëvjeçari i ri.
Etapa kontinentale evropiane do të zhvillohet rreth një vit pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. “Të gjithë e ndiejmë barrën e luftës, e cila prek edhe jetën tonë kishtare, që e ndjek me shumë bamirësi e lutje popullin ukrainas, përpiqet ta ndalojë luftën dhe të vendosë paqen” – nënvizon për Vatican News Imzot Grušas i cili, nga Lituania, e jetoi nga afër eksodin e refugjatëve:
“Si kryeipeshkëv i Vilniusit, më kënaq përgjigjja që po i japin njerëzit e Kishës Ukrainës në këto çaste kur kanë nevojë për gjithçka” – thotë ai – “ne kemi mbledhur gjëra nga më të ndryshmet, që duhen për jetën. E kemi strehuar një mori refugjatësh. Njerëzit tanë i hapën zemrat e portat për ta ndihmuar popullin fqinj ukrainas me lutje dhe ndihmë bamirëse. E kjo flet vetë e tregon kush jemi ne si Kishë”.
Për një kishë misionare
“Sinodi do ta ndihmojë Kishën të jetë vërtet misionare – tha kardinali Jean-Claude Hollerich, kryepeshkop i Luksemburgut dhe nënkryetar i CCEE. “Kemi pasur një farë zbehjeje të krishterimit në Evropë, ndaj ky Sinod duhet të na nxisë të jemi misionarë të rinj”. “Misioni i Kishës është të shpallë Krishtin, të shpallë angazhimin tonë për gjithësinë, por edhe për drejtësisë dhe paqen, e edhe një angazhim të të gjithë popullit të Zotit”- pohoi kardinali, duke theksuar, në përfundim, se “Kisha sinodale është, mbi të gjitha, kishë misionare”.