Bullizmi kibernetik: si ta njohim atë, çfarë të bëjmë?

Flitet pak për të, por bullizmi kibernetik është ende i pranishëm dhe duhet luftuar

Bullizmi kibernetik [cyberbullying] është një formë e arrogancës virtuale që kryhet përmes internetit dhe teknologjive dixhitale: është manifestimi në rrjet [online] i një fenomeni më të gjerë që njihet shumë si bullizëm.

Ky i fundit karakterizohet nga veprime të dhunshme dhe frikësuese të ushtruara nga një bullizues, ose një grup bullizuesish, ndaj një viktime: një formë abuzimi dhe shtypjeje e përsëritur me kalimin e kohës, në dëm të një personi që perceptohet si më i dobët. Është një fenomen që prek të rinjtë dhe fëmijët e të gjitha moshave dhe gjinive, duke qenë pjesërisht i lidhur me nevojat e rritjes të shfaqura në mënyrë problematike, si frika për të qenë i përjashtuar apo kërkimi për të pasur pëlqimin e të tjerëve. Veprimet kanë të bëjnë me ngacmimet verbale, sulmet fizike, persekutimet, të cilat përgjithësisht kryhet në një mjedis shkollor.

Sot, teknologjia i lejon bullizuesit që të depërtojnë në shtëpitë e viktimave, të materializohen në çdo moment të jetës së tyre, duke i persekutuar me mesazhe, foto, video fyese të dërguara përmes smartfonit ose të publikuara në faqet e web-it nëpërmjet internetit. Prandaj, bullizmi kibernetik përfshin një tërësi veprimesh agresive dhe të qëllimshme, nga një person ose një grup personash, të kryera duke përdorur mjete elektronike (sms, mms, foto, video, email, chat rooms, instant messaging, faqe interneti, telefonata), qëllimi i të cilave është të dëmtojë një bashkëmoshatar të paaftë për të mbrojtur veten. Bullizmi kibernetik ka një audiencë potencialisht të madhe dhe kjo mund ta shtyjë atë të godasë në mënyrë edhe më agresive dhe të dhunshme, me pasoja të rënda dhe të vazhdueshme si në bullizmin tradicional.

Si të kuptoni nëse fëmijët tuaj janë viktima të bullizmit kibernetik?

Një studim i fundit tregon se 35% e fëmijëve të intervistuar kanë qenë viktima të bullizmit kibernetik, por vetëm 1 në 2 ka lajmëruar prindërit. Kur fëmijët nuk flasin drejtpërdrejt për këtë gjë, mjeti më i rëndësishëm për ta kuptuar është marrëdhënia që keni ndërtuar me ta, komunikimi, dialogu që keni krijuar.

Megjithatë, pikërisht për shkak të llojit të dhunës që pësojnë, konfuzionit që ndjejnë, ndjenjës së fajit dhe pafuqisë, viktimat shpesh tërhiqen në vetvete dhe mendojnë se duhet të dalin vetë/m prej saj. Kësisoj, ata gjenden në një rreth vicioz nga i cili është gjithnjë e më e vështirë të dalësh. Me rëndësi themelore, atëherë, është vëzhgimi dhe disa mënyra të sjelljes, më shumë se të tjerat, mund t’ju ndihmojnë të kuptoni nëse ka diçka që nuk shkon:

  • Ndryshon papritur sjellja me miqtë, në shkollë ose në vende të tjera ku ata socializohen.
  • Nuk kanë dëshirë të shkojnë në vende ose organizime ku përfshihen njerëz të tjerë.
  • Shmangin përdorimin e kompjuterëve, celularëve dhe teknologjive të tjera të komunikimit me të tjerët.
  • Janë veçanërisht të stresuar sa herë që mbërrin një mesazh ose njoftim.
  • Shfaqin vetëbesim të ulët, depresion, çrregullime të ushqyerjes ose fjetjes.

Këshilla për të parandaluar rënien viktimë para bullizuesve kibernetikë

Komuniko me fëmijët tuaj

Bëji ata të ndjejnë se mund të të kërkojnë këshilla. Mos harro se nëse kanë frikë nga ndëshkimi ose pasojat negative, do ta kenë më të vështirë të përballen me ty. Nëse merr vesh se fëmija yt ka rënë shënjestër, pyete atë se çfarë mund të bësh për të dhe kupto se si të veprosh. Ata shpesh kanë frikë se prindi do të reagojë në mënyrë të tepruar, duke e përkeqësuar situatën e tyre. Për të kuptuar se si është fëmija yt, dil nga pozicioni yt dhe vëre veten në pozicionin e tij, duke kërkuar ndihmë nëse nuk di si ta trajtosh situatën.

Ktheji fëmijët në botën reale

Sigurohu që interneti dhe smartfonat të mos zëvendësojnë jetën “reale”. Sa më shumë që identifikohen në atë që bashkëndajnë në internet, aq më shumë mund të lëndohen nga ai që do t’i sulmojë.

Mësoju atyre empatinë

Lejoji ata të bëjnë përvoja në të cilat kuptojnë “pikëpamjen e tjetrit”, në mënyrë që edhe në internet të mund të vënë në jetë kurdoherë sjellje që respektojnë mendimet e të tjerëve.

Informoji mbi privatësinë

Ata nuk duhet të publikojnë askurrë të dhëna personale ose shumë informacione, foto, video të vetes së tyre, sepse bullizuesit kibernetikë mund t’i përdorin këto materiale për të ofenduar, shantazhuar, diskredituar ose çnderuar. Në varësi të moshës, sigurohu personalisht që caktimet e privatësisë të jenë të sakta.

Përgjegjësoji fëmijët

Bashkëndaj një sistem vlerash të bazuara mbi dëgjimin dhe respektimin e tjetrit, kundër dhunës dhe heshtjes para një të keqeje. Bullizmi kibenetik përfiton nga një publik që ndonjëherë është i frikësuar dhe i paaftë për të marrë një qëndrim. Nëse provokohen në internet, këshilloji ata të mos reagojnë me të njëjtin nivel: nëse fëmija provokohet nga një bullizues kibernetik, është e rëndësishme të mos reagojë me të njëjtin nivel. Shpjegoji atij se është e rëndësishme të ruajnë gjurmët e asaj që ndodh në internet: fëmijët duhet të ruajnë gjithmonë gjurmët e mesazheve dhe provokimeve që marrin, pasi ato mund të përbëjnë provë të krimit dhe janë të përndjekura me ligj.

Je në vështirësi? Ja kujt t’i drejtohesh:

  • Drejtorit të shkollës që ndjek fëmija juaj;
  • Policisë postare;
  • Linjës telefonike për ndihmë.