10.5 C
Tirana
HomeKISH“Sajimi” i Betlehemit
HomeKISH“Sajimi” i Betlehemit

“Sajimi” i Betlehemit

«Në atë lagje ishte një burrë i quajtur Gjon, me famë të mirë e me një jetë akoma më të mirë, dhe i Lumi Françesk e kishte mjaft për zemër sepse, megjithëse ishte fisnik dhe shumë i nderuar në rrethinën e tij, ai çmonte më shumë fisnikërinë e shpirtit sesa atë të mishit. Rreth dy javë para festës së Krishtlindjes, i Lumi Françesk, siç bënte shpesh, e thirri pranë vetes dhe i tha: “Nëse do që ta festojmë Lindjen e Jezusit në Greccio, shko përpara meje dhe përgatit atë që të them: do të doja të përkujtoja fëmijën e lindur në Betlehem dhe në ndonjë mënyrë t’i shihja me sytë e trupit vështirësitë në të cilat u gjend për shkak të mungesës së gjërave të nevojshme për një të porsalindur, se si u vendos në një grazhd dhe si prehej mbi sanë midis kaut dhe gomarit”. Sapo e dëgjoi, miku besnik dhe i devotshëm u largua menjëherë për të përgatitur gjithçka që duhej në vendin e caktuar, sipas planit të përcaktuar nga shenjti» (Tommaso da Celano, Vita Prima, 84: Burimet françeskane, nr. 468).

“Sajimi” i betlehemit daton saktësisht tetëqind vjet më parë. Sipas tregimit të biografit të parë të Shenjtit, është një betlehem “i gjallë”. Skena e Lindjes ishte paraqitur tashmë disa herë, duke filluar me figurën më të vjetër të Virgjërës me Foshnjën Jezus, të përshkruar në Katakombet e Priscila-s, pikturuar nga një artist i panjohur i shekullit të tretë, brenda një arkosoliumi [varr brenda një katakombe] të shekullit të dytë. Në traditën bizantine, Lindja e Jezusit paraqitej në një shpellë, me Virgjërën Mari të shtrirë në një shtrojë, me djalin e saj në grazhd, ndërsa shën Jozefi paraqitej jashtë, veçmas. Pas shën Françeskut pati një shpërthim skenash të Lindjes së Jezusit. Shembuj të kësaj janë pikturat e Pietro Cavallini-t në Romë. Betlehemi i parë skulpturor besohet të jetë ai i Arnolfo di Cambio në Bazilikën Santa Maria Maggiore në Romë.

Giotto qe piktori i parë që portretizoi, në Kapelën Scrovegni në Padova, një Lindje të Krishtit me ngjashmëri natyraliste, edhe pse ende të lidhur me kanonet bizantine. Më pas duhet të kalojmë përmes Katërqindës kur mjeshtrit e mëdhenj të pikturës italiane paraqitën skena të Lindjes së Krishtit, të quajtura gjithashtu “betlehem” [it. presepe-grazhd]: Adhurimi i Dijetarëve nga Botticelli dhe Lindja e Krishtit nga Filippino Lippi (të dyja në Galerinë Uffizi në Firence). Piero della Francesca me Lindjen e National Gallery në Londër dhe Correggio që pikturoi Lindjen, që sot mund të shihet në Pinacoteca di Brera në Milano.

Le të kthehemi te “sajimi” i skenës së grazhdit të betlehemit. Pa tregimin e Tommaso da Celano-s nuk do të kishim strukturën e shumë Lindjeve [të Krishtit] që kanë yjëzuar panoramën e artit italian dhe më gjerë. Mirëpo, betlehemi “i gjallë” i Françeskut nuk paraqet aq skenën e lindjes sa Adhurimin e Fëmijës Hyjnor. Ai i vendos elementet e skenës së lindjes së Jezusit (grazhdi, sana, kau dhe gomari), por nuk janë protagonistët (Maria, Jozefi, Fëmija dhe engjëjt). Ai dëshiron “të shohë me sytë e trupit”, por përgatit një skenë ku tregohen «vështirësitë në të cilat u gjend nga mungesa e gjërave të nevojshme për një të porsalindur». Grazhdi “i tij” është si varri i zbrazët i ngjalljes, është shenja e një mungese, që duhet të soditet me sytë e fesë. Sytë e trupit shohin shenjat e varfërisë së Betlehemit, shikimi i fesë sodit Mbretin qiellor i cili bëhet fëmijë! “Sajimi” i betlehemit, siç e thotë emri që rrjedh nga folja latine invenire, do të thotë “të kërkosh për të gjetur” diçka që ka humbur sepse nuk mund të shihet menjëherë. “Grazhdi i betlehemit”  të Françeskut është çështje shikimi! Shihet varfëria e grazhdit, brishtësia e sanës, shoqëria e kaut dhe gomarit, në mënyrë që shikimi i besimtarit të sodisë «Zoti im e Hyji im» (Gjn 20,28).

Tani e tutje të gjitha skenat e Lindjes së Krishtit bëhen Adhurime të këtij Fëmije hyjnor. Shohim një foshnjë të zhveshur dhe të brishtë, por adhurojmë Hyjin që u bë fëmijë. Tregimi i Tommaso da Celano-s vazhdon: «Dhe vjen dita e haresë, koha e ngazëllimit! Për këtë rast, këtu janë thirrur shumë fretër prej anëve të ndryshme; burra dhe gra mbërrijnë të gëzuar nga shtëpitë e krahinës, gjithsecili duke sjellë, sipas mundësive të veta, qirinj dhe pishtarë për të ndriçuar atë natë, në të cilën u ndez i shkëlqyeshëm në qiell Ylli që ndriçoi të gjitha ditët dhe kohët. Në fund vjen Françesku: vëren se gjithçka është rregulluar sipas dëshirës së tij dhe rrezaton nga gëzimi. Tani vendoset grazhdi, vihet sana në të dhe futen kau dhe gomari. Në atë skenë prekëse shkëlqen thjeshtësia ungjillore, lavdërohet varfëria, porositet përvujtëria. Greccio është bërë si një Betlehem i ri» (Tommaso da Celano, Vita Prima, 85: Burimet Françeskane, nr. 469). Nëse “rizbulimi i betlehemit” është çështje vështrimi, gëzimi dhe ngazëllimi janë atmosfera në të cilën «ndizet shkëlqyeshëm në qiell Ylli që ndriçon të gjitha ditët dhe kohët». Ylli ndriçon vështrimin i cili sheh Hyjin fëmijë në përvujtërinë e grazhdit: «Në fund vjen Françesku: vëren se gjithçka është rregulluar sipas dëshirës së tij dhe rrezaton nga gëzimi». Biografi komenton i mrekulluar skenën e betlehemit të parë të historisë, e cila është një kraharor pranues për të mirëpritur Mbretin e qiellit. Ai nuk e sodit me sytë e trupit Fëmijën e Betlehemit, por ia njeh peizazhin e tij të pangatërrueshëm: «Në atë skenë prekëse shkëlqen thjeshtësia ungjillore, lavdërohet varfëria, porositet përvujtëria. Greccio është bërë si një Betlehem i ri».

Sytë e Françeskut kanë “krijuar” betlehemin, sepse në grazhdin e zbrazët ata kanë “rizbuluar” (invenire – të kërkosh për të gjetur) Marinë, Jozefin dhe Jezusin foshnjë. Shenjti i Asizit nuk i sheh, por i sodit ata duke emocionuar të pranishmit e mrekulluar: fretërit që vijnë nga të gjitha anët, burra e gra që mbërrijnë festues prej shtëpive, duke sjellë qirinj dhe pishtarë për të ndriçuar atë natë të kthjellët  mahnitëse. Të gjitha Lindjet [e Krishtit] e Mesjetës dhe Rilindjes, deri në ditët tona, janë Adhurime të Mbretit qiellor, i cili identifikohet në Fëmijën tokësor, i zhveshur, i drejtuar kah Nëna adhuruese dhe Jozefi lutës, me engjëjt muzikantë ose shoqërues të të porsalindurit. Ashtu si në Lindjen tepër të bukur (1526) nga Gaudenzio Ferrari, të cilin mund ta admirojmë në poliptikun e Bazilikës së San Gaudenzio-s në Novara.

Më në fund, sytë e fesë bëjnë të duken imazhet statujore të Nënës me krahët e mbledhur në gjestin që adhuron Hyjin Fëmijë dhe të Atit të butë, me duart e bashkuara, i cili përkulet drejt bamit të vet. Ajo që mungonte në betlehemin e gjallë të Françeskut është e pranishme në Lindjen [e Krishtit] të Gaudenzio-s. Mahnitja e vështrimit soditës tregon një aks që nis nga fytyra e Marisë dhe tërheq në magnetizmin e saj dorën dhe sytë e Jezusit, të shoqëruar nga dy engjëjt “gazmor”, të magjepsur edhe nga fytyra e ëmbël e Nënës. Sa të bukur që janë ata dy engjëj që janë si një grazhd fisnik për Hyjin Fëmijë, të parë tanimë me sytë e shpirtit! Nëse niseni nga fytyra e Zojës, do të shihni se Fëmija shikon Nënën që e ka lindur. Nëse vëzhgoni fytyrat e dy engjëjve, do të vini re se shikimi i Marisë gjallëron me habi dhuratën që engjëjt mbajnë në krahë. Ashtu si përshqoi intuita poetike e Boris Pasternakut në tekstin e famshëm të Doktor Zhivagos: «I drejtohen Zojës: “Lute me gjithë zemër Birin tënd dhe Hyjin tënd…”. Ata vënë në gojë vargje nga psalmi: “Shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: qe se, që tani, të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur”. Këtë ia thotë krijesës së vet, do të jetë Ai që do ta lavdërojë atë (“punë të mëdha bëri për mua Hyji i Gjithëpushtetshëm”), Ai është lavdia e saj. Çdo grua mund të thotë të njëjtën gjë. Hyji i saj është në fëmijë. Nënat e njerëzve të mëdhenj duhet ta njohin këtë ndjenjë. Por të gjitha nënat janë nëna burrash të mëdhenj dhe nuk është faji i tyre nëse jeta zhgënjen» (B. PASTERNAK, Opere narrative, Milano, Mondadori, 1994, f. 365). Piktura përshkohet nga varfëria dhe përvujtëria e betlehemit të Françeskut: ajo synon t’ua paraqesë syve të trupit atë që mund të soditet vetëm me shikimin e fesë. Fat i pashmangshëm i paraqitjes së betlehemit, i cili megjithatë na sugjeron se Hyji Fëmijë nuk mund të shihet nëse ai nuk adhurohet me mahnitjen e fesë së Marisë. Në fund, “sajimi” i betlehemit të Françeskut ruan për ne një surprizë. Ky betlehem i Greccio-s nuk mbetet bosh si një grazhd pa personazhe, por e bën të dukshme Praninë par excellence, atë të sakramentit të Eukaristisë. Njëmend, tregimi i Tommaso da Celano-s përfundon në një mënyrë të papritur: «Kjo natë është e qartë si në mes të ditës dhe e ëmbël për njerëzit dhe për kafshët! Njerëzit nxitojnë dhe gazmohen me një hare që nuk e kanë shijuar më parë, përballë misterit të ri. Pylli kumbon me zëra dhe qetat madhështore jehonë nga koret kremtuese. Fretërit i këndojnë lavde të zgjedhura Zotit dhe nata duket se është e gjitha një kërcim gëzimi. Shenjti është aty i ekstazuar përballë betlehemit, zemra e tij rreh nga dhimbja dhe gëzimi i pashprehshëm. Pastaj meshtari kremton solemnisht Eukaristinë mbi grazhd dhe ai vetë shijon një ngushëllim që nuk e ka shijuar kurrë më parë. Françesku është veshur me petka diakoni sepse ishte diakon dhe këndon me zë kumbues Ungjillin e shenjtë: ai zë i fortë dhe i ëmbël, i qartë dhe kumbues i magjeps të gjithë në dëshirën për parajsë. Pastaj i flet popullit dhe me fjalë shumë të ëmbla kujton Mbretin e varfër të porsalindur dhe qytetin e vogël të Betlehemit» (Tommaso da Celano, Vita Prima, 85-86: Burimet françeskane, nr. 469-470). Askush nuk kishte guxuar më parë: në fytyrën e foshnjës së vogël zbulohet Hyji që bëhet fëmijë, por një Hyj si ky nuk mund të rrëmbehet, nuk mund të bëhet peng i ndjenjave dhe historive padomethënëse, si në betlehemet tonë modern. Gëzimi i brendshëm i “misterit të ri” nuk mund të “zbulohet” plotësisht, por duhet të mbahet nën velin e Hyjit i cili «duke qenë i pasur, u bë i varfër për ne, që ne të bëhemi të pasur prej varfërisë së tij» (2 Kor 8,9). Po, Hyji na pasuron, si dje ashtu sot, me varfërinë e tij, nën velin e bukës së thyer dhe kelkut të bashkëndarë: është Eukaristia e Jezusit që Françesku e kremtoi me fretërit e tij dhe popullin e shenjtë të Hyjit në Greccio në Krishtlindjen e tetëqind viteve më parë.

+ Franco Giulio Brambilla

Ipeshkëv i Novarës

Tetëqindvjetori i betlehemit të Greccio-s

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme