11.5 C
Tirana
HomeDioqeza RrëshenRrëshen, zhvillohet konferenca “Pakti Global për Edukimin”
HomeDioqeza RrëshenRrëshen, zhvillohet konferenca “Pakti Global për Edukimin”

Rrëshen, zhvillohet konferenca “Pakti Global për Edukimin”

Lindita KOKAJ

Në Shkollën e Mesme Profesionale “Shën Jozefi Punëtor” në Rrëshen, është organizuar një konferencë mbi arsimin me temë “Pakti Global për Edukimin”, iniciuar nga Papa Françesku.

Drejtori i shkollës, Padre Michele Leovino, e mori fjalën i pari në këtë takim duke falenderuar gjithë të pranishmit. Më tej ai theksoi faktin se Pakti Global për Edukimin është shumë i gjerë dhe përfshin të gjithë jetën e njeriut, formimin, edukimin dhe integrimin e tij. Padre Michele tha se ky takim është një nismë e thjeshtë për ta njohur këtë Pakt si dhe për të përjellë mesazhet e tij tek të rinjtë. Është e rëndësishme që ta promovojmë këtë Pakt edukativ duke bashkëpunuar dhe duke u angazhuar për të synuar formimin e njerëzve të pjekur dhe të aftë për shoqërinë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Nunci Apostolik, Mons. Luigi Bonazzi, e vuri theksin te sfidat e arsimit sot dhe te roli i Papa Françeskut nëpërmjet këtij Pakti.

“Papa Françesku ka treguar se ai nuk është vetëm një udhëheqës shpirtëror i Kishës Katolike, por edhe një lider që po e drejton njerëzimin për të përballuar sfidat e sotme, jo vetëm në arsim, me vizionin për të ardhmen globale, duke e parë realitetin me sytë e tij, duke shkuar edhe më tej për të krijuar një aleancë të gjerë edukative duke u bashkuar së bashku. Pakti Global për Edukimin është një udhëzues i vlefshëm për secilin prej nesh.”, tha ndër të tjera Mons. Bonazzi.

Presidenti i shkollës, njëherësh Ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit, Mons. Gjergj Meta, pasi bëri përshëndetjet e rastit, parashtroi dhe prozoi katër fjalë: pasionin, empatinë, simpatinë dhe dashurinë, si themele mbi të cilat duhet të ndërtohet kolona e edukimit.

“Pakti Global për Edukimin është një sfidë e rëndësishme. Papa Françesku na ka ftuar të gjithëve që të jemi instrumente për ruajtjen e shtëpisë sonë të përbashkët, shoqërisë. Institucionet arsimore duhet të lidhin besën për ta ndërtuar së bashku këtë fshat dhe për ta zbatuar Paktin Global të Edukimit. Ky i fundit është një përgjegjësi e përbashkët dhe të vetëm nuk mund t’ia dalim, ndaj duhet të jemi bashkë për ta arritur këtë qëllim. Të gjithë ne, shkollat publike dhe jopublike, prindërit dhe mësuesit, duhet të kemi besim tek institucionet për të krijuar një Pakt për Edukimin për brezin e ri këtu në Shqipëri dhe jo vetëm. Edukimi në të gjithë globin është një katastrofë, prandaj ky Pakt është një domosdoshmëri, siç është edhe nevoja që të krijojmë së bashku projekte ndryshimi, duke synuar përmirësimin e edukimit jo vetëm në shkolla, por edhe në familje.” – deklaroi Mons. Gjergj Meta duke e vënë theksin edhe në dëgjimin e zërit të nxënësve, siç ishte dhe rasti më i fundit i maturantëve, të cilët protesuan për provimet e maturës.

Ndërkohë, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Bardhok Pulaj, e vlerësoi Paktin Global për Edukimin si një këmbanë që na thërret të orientohemi të gjithë bashkë drejt edukimit.

“Pakti Global për Edukimin është një këmbanë për shoqërinë e sotme njerëzore. Ky Pakt na thërret që të orientohemi drejt edukimit, duke i dhënë rol të rëndësishëm familjes, barazisë por edhe dëgjesës së zërit të më të voglit. Në qendër të edukimit jemi natyrisht ne mësuesit. Sot para meje bien dy këmbana, ajo e mësuesit si edhe ajo e zyrtarit të arsimit. Edukimi është dhe duhet të jetë një mision kombëtar i të gjithëve. Kemi bërë shpesh eksperimente me arsimin, por alternativa më e sigurt mbetet kthimi tek shpirti. Janë bërë ndryshime të shpeshta në programet shkollore, por duhet të ndryshojmë mënyrën e komunikimit. Të kuptojmë tendencat e së ardhmes dhe të mos gënjehemi nga shkëlqimi i përciptë i teknologjisë. Shkolla “Shën Jozefi Punëtor” është model i seriozitetit, punës, bashkëpunimit me komunitetin dhe si e tillë duhet marrë shembull edhe nga shkollat publike, për të arritur aty ku duhet me edukimin dhe përmbushjen e misionit tonë.” – tha kreu i Arsimit Rajonal, Bardhok Pulaj.

Ana Zakaria, inxhiniere dhe konsulente e pavarur në arsimin dhe aftësimin profesional, vlerësoi rolin e shkollave profesionale për edukimin e brezit të ri duke nxitur dashurinë për punën.

“Pakti Global për Edukimin është një testament, janë këshilla që duhet t’i lexojë secili prej nesh dhe të ripozicionohemi apo riformatohemi duke thirrur pasionet me dashuri. T’i orientojmë fëmijët drejt pasioneve dhe mos t’i detyrojmë në zgjedhje, pasi nëpërmjet orientimit drejt profesionit dhe punës, ata e njohin më mirë vetveten dhe aftësohen më mirë. Zbuloni dhe ushqeni pasionin e fëmijëve tuaj!” Ky ishte apeli me të cilin iu drejtua prindërve dhe mësuesve, konsulentja Zakaria.

Motër Teuta Buka, Koordinatorja e KKEKSH-it, përmendi se ky Pakt ka gjetur vend në 59 institucione arsimore dhe tek rreth 8 000 nxënës, pjesë e rrjetit të KKEKSH-it.“Me Paktin Global për Edukimin, Papa Françesku nuk thërret vetëm shkollat katolike por të gjithë globin. Papa na ka ftuar që t’i japim përgjigje katastrofës globale të edukimit, duke vendosur në qendër të vëmendjes fëmijët. Edukimi është një e mirë publike, ku secili duhet të japë kontributin e tij. Ndaj janë të rëndësishme katër angazhime rrjeti bashkëpunimi: rritja e bashkëpunimit të rrjetit brenda shkollës, rrjetit mes shkollave katolike, rrjetit rreth bashkimit të fëmijëve si edhe përfshirja në ecje edhe e besimeve të tjera. Madje Imzot Angelo Massafra i ka kërkuar Këshillit Ndërfetar në Shqipëri ngritjen e një komisioni të përbashkët për edukimin”, deklaroi Motër Teuta Buka.

Takimi u moderua nga Referenti i Shkollës “Shën Jozefi Punëtor” pranë KKEKSH-it, Albert Mëlyshi, i cili solli në vëmendje një ndër thëniet më të rëndësishme të Aristotelit “Të edukosh mendjen pa edukuar zemrën, nuk është edukim.

Në fund u përcollën edhe mesazhe nga nxënësit e shkollës nëpërmjet një videomontazhi.

Të gjitha diskutimet si edhe mesazhet e të pranishmëve në këtë takim, u përqëndruan në shtatë propozimet themelore udhërrëfyese për edukimin nga Papa Françesku:

  1. Vendosni në qendër të çdo procesi edukativ personin, vlerën dhe dinjitetin e tij.
  2. Angazhohuni për të studiuar dhe gjetur mënyra të tjera për rritjen dhe progresin në shërbim të personit dhe familjes njerëzore.
  3. Të edukojmë dhe të edukohemi për të mirëpritur më të dobëtit dhe më të margjinalizuarit.
  4. Promovoni pjesëmarrjen e plotë të vajzave në edukim.
  5. Konsiderojeni familjen si edukatorin e parë dhe më të domosdoshëm.
  6. Mbrojeni dhe kultivojeni shtëpinë tonë të përbashkët.
  7. Dëgjojeni zërin e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.

Lindita KOKAJ

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme