11.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësReflektim mbi dokumentin “Ecjet katekumenale për jetën martesore”
HomeJeta e KishësReflektim mbi dokumentin “Ecjet katekumenale për jetën martesore”

Reflektim mbi dokumentin “Ecjet katekumenale për jetën martesore”

Papa Françesku disa herë ka shprehur nevojën që Kisha të përgatisë çiftet më mirë e në mënyrë më të thellë për martesë, ka këmbëngulur që ecja drejt martesës të jetë më e gjatë dhe të marrë frymëzim nga katekumenati i pagëzimit, në mënyrë që çiftet të arrijnë të kremtojnë dhe të jetojnë të vetëdijshëm sakramentin e martesës, pikërisht duke filluar nga një përvojë feje e takimi me Jezusin. Këtij shqetësimi të Papës dëshiron ti japë përgjigjie Dokumenti i fundit mbi Martesën që na ka dhuruar Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, në qershor 2022.

Dokumenti, që ka titullin “Ecjet katekumenale për jetën martesore” propozon disa hapa konkret mbi përgatitjen për martesë dhe vazhdimin e ecjes pas martese. Më pas janë kishat e çdo vendi që duhet të konkretizojnë atë që mendojnë se është e mundur të realizohet në kontekstin e gjithsecilës.

Së pari është e rëndësishme që të kujtojmë se ka vite që Kisha flet mbi përgjegjësitë që kanë Meshtarët dhe operatorët e tjerë që janë të angazhuar në pastoralen e martesës për të përgatitur MIRË të fejuarit për këtë Sakrament. Një përgatitje e mirë, si pikë e parë, është e pamundur që të bëhet me pak takime! Një pyetje që dëgjohet shpesh është: Si ka mundësi se një i ri për tu bërë Meshtar duhet të bëje të paktën 6-7 vite ecje, formim, ndërsa një çift merr Sakramentin e Martesës shpesh herë vetëm me 2-3 takime që zgjasin afersisht 1 orë?!

Për këtë arsye Papa nënvizon, në hyrje te dokumentit: «nëse një personi nuk i kushtojmë kohë është shenjë që nuk i duam të mirën». Nëse përgatisim çiftet në menyrë sipërfaqësore për Martesë ështe shumë e lehtë që të kremtojmë martesa të pavlefshme ose martesa pa themele të forta, që mund të rrëzohen që në krizën e parë. E si mund të zgjidhet ky problem?

Kisha, nëpërmjet Papa Françeskut e nëpërmjet këtij dokumenti na pergjigjet se është e domosdoshme që përgatitja për Martesë të jetë e organizuar në mënyrë që të ndihmoje çiftin për një rritje njerëzore dhe për një rritje në Fe. Qëllimi kryesor i takimeve para martesore është që të ndihmohen çiftet që gradualisht të kenë nje raport të gjallë me Krishtin, një raport që ushqehet në Kishë dhe jetohet me Kishën. Është themelore që të fejuarit të kuptojnë – kjo vlen edhe për të martuarit që duhet shpesh të rikujtojnë – se misteri i Hirit të Sakramentit të Martesës është se Jezu Krishti është në qendër të raportit martesor dhe vetëm prej Tij mund të mësojmë se si duhet të Duam tjetrin.

Nëse një çift kupton se Martesa është një Sakrament i lidhur në mënyrë të thellë me logjikën e Kryqit të Krishtit, kur të arrijnë vështirësitë në jetë, mundohet ti kalojë duke qëndruar në Kryq e vetëm kështu arrin të shijoje Ringjalljen. Por kjo arrihet të bëhet nëse çifti është munduar që në jetën e përditshme të ketë një raport konkret me Krishtin; kjo do të thotë që janë munduar të jetojnë një jetë sakramentale, kanë lexuar fjalën e Zotit e janë munduar ta vendosin në praktikë; gjithashtu para çdo vendimi që marrin i kërkojnë Zotit që ti ndihmoje të kuptojnë se cila është zgjidhja më e mirë sipas Vullnetit të Tij. Në këtë mënyrë çifti arrin të ndryshoje logjikë edhe në lidhje me mënyrën e përballimit të vështirësive, ku avash avash pyetja shndërrohet nga “çfarë dua unë?” në “cila është e mira jonë si çift dhe familje para Zotit?”.

E për të ndihmuar të rinjtë dhe familjet në këtë ndryshim logjike është e nevojshme që të kenë një ndihmë për rritje në fe gjatë ecjes para-martesore.

Martesa është një Thirrje e Zotit, dmth është një ecje shenjtërie e jo thjesht një pikë arritjeje. Ecja e shenjtërise zgjat gjithe jetën. Për këtë arsye, pikërisht për të ndihmuar familjet, është e nevojshme që ecja të vazhdojë edhe pas martesës. Kjo do të thotë se nuk mjafton vetëm që ti përgatisim mirë çiftet për martesë, por duhet edhe të angazhohemi që të martuarit të kenë një pikë takimi në famulli edhe pas martese. Pra, marrim përsipër që të mos i lejmë vetëm familjet. Realiteti vërteton se në famullitë ku ka grupe pas-martesore, krijohet një kontekst ku ecja e krishterë së bashku, trasformohet edhe në miqësi, edhe në aftësi bashkëndarje, e kjo e fundit ndihmon çiftet edhe për të parë me më shumë ekuilibër problemet që kanë mes tyre.

Dokumenti propozon disa hapa konkret për një përgatitje ideale për martesë. Sipas meje është e rëndësishme që hapat e propozuara të konkretizohen në takimet para-martesore dhe në vazhdimin e ecjes pas martese në të pakten 3 elemente: a) Kohë të duhur e persona të përgatitur: përgatitja para-martesore duhet të jetë e gjatë – të paktën 1 vit – dhe duhet të jetë një ecje që ndihmon të rinjtë të bëjnë një ecje feje. Gjithashtu është e domosdoshme që në ekipin që përgatit të fejuarit të bëjnë pjesë edhe çifte të martuara të përgatitura dhe që bëjnë një ecje serioze feje, sepse jetojnë personalisht atë që u propozojnë çifteve; b) Fejesë nuk do të thotë se duhet me domosdo të martohesh: përgatitja për martesë është nje ecje për të zbuluar nëse personi është i thirrur për jetën martesore; nëse po, është një ecje që duhet të ndihmojë për të kuptuar se a është per tu martuar pikërisht me personin që tjetri ka përkrah; c) Vazhdim ecjeje pas martese: është themelore që çiftet të mos ecin në jetën e tyre martesore vetëm. Në Kishë duhet të gjejnë një familje që vazhdon të ofroje mundësi rritjeje në fe dhe bashkëndarje.

Mirjana Gegaj

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme