Dokument i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar
Sfida epokale e antropologjisë së krishterë në epokën e Inteligjencës Artificiale dhe të Pas-humanizmit
«Quo vadis, humanitas? – Mendimi mbi antropologjinë e krishterë përballë disa skenarëve mbi të ardhmen e njeriut» është titulli i dokumentit të ri të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar (KTN), botuar të mërkurën më 4 mars.
Teksti – që reflekton mbi «sfidën epokale» të antropologjisë së krishterë në epokën e Inteligjencës Artificiale – trajton tema vendimtare si: rreziqet e «infosferës» dhe kriza e demokracisë; rëndësia e historisë për të luftuar «amnezinë kulturore»; devijimet e «urban age» që i shndërron pragjet në kufij. Përballë një skenari kaq të ndërlikuar, KTN nënvizon: të realizosh veten nuk do të thotë të vetë-fuqizohesh, por të pranosh lirisht dhuratën e jetës e të dashurisë së Hyjit, siç bëri Virgjëra Mari. Më poshtë po botojmë një përmbledhje të dokumentit.
nga Isabella Piro
«Quo vadis, humanitas? – Ku po shkon, o njerëzim?». Titulli i dokumentit të ri të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar (KTN) – i miratuar nga Leoni XIV më 9 shkurt dhe i botuar më 4 mars – përmbledh plotësisht arsyet themelore dhe qëllimin përfundimtar të tij: sot, përballë një përshpejtimi teknologjik të paprecedentë, teologjia dëshiron të ofrojë «një propozim teologjik dhe baritor» që e kupton jetën njerëzore si «thirrje tërësore» dhe «bashkëpërgjegjësi ndaj të tjerëve dhe ndaj Hyjit», nën dritën e Ungjillit. Kushtetuta konciliare Gaudium et spes, e publikuar pothuajse 61 vjet më parë, është referim qendror: dokumenti i KTN-së merr prej saj si dialogun «e hapur» ndërmjet Kishës dhe botës bashkëkohore, ashtu edhe konceptin e qenies njerëzore «tërësore, në unitetin e trupit e të shpirtit, të zemrës e të ndërgjegjes, të mendjes e të vullnetit».
Zhvillimi mes trans-humanizmit dhe pas-humanizmit
Kapitulli i parë, nga katër kapitujt e tekstit, i kushtohet zhvillimit, i karakterizuar nga dy pole: trans-humanizmi dhe pas-humanizmi. I pari përfshin vullnetin për të përmirësuar konkretisht, përmes shkencës dhe teknologjisë, kushtet e jetës së popujve, duke kapërcyer kufijtë e tyre fizikë dhe biologjikë. I dyti jeton «ëndrrën» për ta zëvendësuar madje vetë njeriun, duke emfatizuar figurën e cyborg-ut, domethënë të hibridit që e bën fluid kufirin ndërmjet njeriut dhe makinës. Midis këtyre dy poleve vendoset feja e krishterë që «shtyn të kërkohet një sintezë» e hapjes njerëzore në Krishtin, Birin e Hyjit të bërë njeri, të vdekur e të ngjallur.
Digjitalja si mjedis jete
Pas një përshkrimi të shkurtër të marrëdhënies ndërmjet zhvillimit dhe teknologjisë në Magjisterin më të fundit – nga shën Gjoni XXIII deri te Françesku – dokumenti ndalet veçanërisht te teknologjia digjitale, nën dritën e reflektimeve të Leonit XIV. «Teknologjia digjitale – theksohet – nuk është më vetëm një mjet, por përbën një mjedis të vërtetë jete», sepse strukturon veprimtaritë njerëzore dhe marrëdhëniet. Prandaj epoka digjitale ka hapur «një horizont të ri kuptimi», duke ndryshuar edhe nocionin e «universales», që sot kuptohet si «ajo që bashkëndahet në lidhjen globale», më shumë se «një natyrë e përbashkët».
Borxhi ekologjik dhe vetmia e virtuales
Nga kjo rrjedhin disa rreziqe: në fushën mjedisore, zgjerimi i botës artificiale bashkëmbart një ekonomi të bazuar në shfrytëzimin e pakufishëm të burimeve, në emër të fitimit maksimal. «Pasojë tragjike» e kësaj është borxhi ekologjik ndërmjet Veriut dhe Jugut të botës, urbanizimi «i egër dhe abuziv», politikat shfrytëzuese ndotëse. Në marrëdhënien me të tjerët, revolucioni digjital mund ta bëjë individin të ndihet i parëndësishëm dhe i humbur në një rrjedhë të pakontrollueshme dhe destabilizuese informacioni, mes kontakteve thjesht virtuale, pa kohë e pa vend.
Rritja e fuqisë së Inteligjencës Artificiale
Shfaqet, kësisoj, gjithnjë e më shumë fuqia e Inteligjencës Artificiale, si ajo e kuptuar në vështrimin e ngushtë (IA), ashtu edhe ajo e përgjithshme (IAG). E para mund të përpunojë me shpejtësi sasi të mëdha të dhënash, në një mënyrë jo gjithmonë të kontrollueshme nga njeriu, nga kompanitë apo nga shtetet, duke rezultuar kështu jo gjithmonë e besueshme. E dyta, shumë më depërtuese, në të ardhmen do të jetë në gjendje të zëvendësojë të gjitha aspektet e inteligjencës njerëzore, si ato llogaritëse ashtu edhe ato operative, me pasoja të thella dhe rrënjësore. Në një botë kaq të hiper-lidhur – thuhet në dokument – dinamikat ekonomike, politike, shoqërore ose ushtarake rrezikojnë të bëhen «të pakontrollueshme dhe për rrjedhojë të paqeverisshme», duke u rritur kështu rreziku i «kontrollit shoqëror dhe i manipulimit».
Humbja e neutralitetit në mass-media
Edhe komunikimi ndjen pasojat e këtij skenari: megjithëse nënvizon përparësitë e zhvillimit tekniko-shkencor në këtë fushë – si për shembull «një qytetari aktive», «një informacion të drejtpërdrejtë dhe pjesëmarrës» dhe «një informacion të pavarur» që lejon, fjala vjen, të denoncohen shkeljet e të drejtave të njeriut – KTN paralajmëron për «një treg të pafund lajmesh dhe të dhënash personale, jo gjithmonë të verifikueshme dhe shumë herë të manipuluara». Në thelb, sot mass-media-t nuk janë më «mjete neutrale» dhe për këtë arsye ndikimi i tyre mbi etikën dhe kulturën e interpelon antropologjinë.
Info-sfera dhe kriza e demokracive perëndimore
Në këtë «info-sferë» individi është gjithnjë e më i pasigurt për identitetin e vet dhe, për këtë arsye, kërkon njohjen nga të tjerët: një njohje që duhet fituar madje edhe «duke shtrembëruar realitetin» ose duke pohuar të drejtat e veta «kundër tjetrit». Prej këtej lindin konfliktet shoqërore që shpesh bëhen konflikte identitare. Po prej këtej buron edhe «kriza në zhvillim e demokracive perëndimore», të pavetëdijshme për «mundin në rritje» për të njohur, në mënyrë të bashkëndarë, «atë që na bashkon si qenie njerëzore». Për më tepër, kur opinioni njëjtësohet nga pëlqimet (like), debati politik «klanizohet», domethënë copëzohet në grupe fort të polarizuara që përballen në mënyrë «konfliktuale e të dhunshme». Në thelb – nënvizon KTN – mungon ai «dialog shoqëror» për të ndërtuar konsensusin nga poshtë, mbi bazën e «lidhjeve solidare».
Human enhancement [përmirësimi i aftësive njerëzore] dhe kërkimi i ekuilibrit ndërmjet teknologjisë dhe njeriut
Revolucioni i informacionit ndryshon edhe mënyrën se si perceptohet njohja, horizonti i së cilës mund të reduktohet vetëm në atë që Inteligjenca Artificiale mund të përpunojë. Parimet e filozofisë, të teologjisë ose të etikës mund të konsiderohen kështu çështje subjektive ose «çështje shijeje» personale. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me trupësinë: nëse, nga njëra anë, përparimet e bioteknologjive për shëndetin dhe mirëqenien e popujve të ndryshëm janë të çmueshme, nga ana tjetër dokumenti paralajmëron mbi përhapjen e «kultit të trupit», sidomos në Perëndim, ku priret drejt «figurës së përsosur, gjithmonë në formë, të re e të bukur». Po aq i rrezikshëm është edhe human enhancement: në vetvete ai shënon të gjitha ato teknologji biomjekësore, gjenetike, farmakologjike dhe kibernetike që synojnë të përmirësojnë aftësitë e qenies njerëzore. Por nëse ky koncept merret «pa kufij e pa kujdes», atëherë bëhet urgjente një reflektim mbi nevojën për ekuilibër ndërmjet «asaj që është teknikisht e mundur dhe asaj që është njerëzisht e arsyeshme».
Marrëdhënia ndërmjet digjitales dhe religjionit: dritë dhe hije
Reflektimi mbi marrëdhënien ndërmjet teknologjisë digjitale dhe religjionit zë një vend të gjerë: edhe në këtë fushë ekzistojnë si aspekte pozitive – siç është lehtësia e njohjes dhe e informacionit – ashtu edhe negative. Ndër këto të fundit është krijimi në internet i «një “tregu fetar” gjigant që ofron një zgjedhje à la carte [nga menuja] sipas interesave individuale», ose edhe një farë komunikimi të krishterë që, në rrjetet sociale, përdoret për «të ushqyer polemika dhe madje për të shkatërruar reputacionin e mirë të personave të tjerë». Jo vetëm kaq: në këtë «metamorfozë të mënyrës së të besuarit», vetë teknologjia përfundon duke vepruar si «udhërrëfyese shpirtërore dhe ndërmjetëse e së shenjtës», me raste ekstreme të «bekimeve dhe ekzorcizmave virtuale dhe të një spiritualizmi digjital». Nuk mungojnë as forma të «neo-gnosticizmit» që, në emër të një njerëzimi të lirë nga çdo kufi, bashkësi e histori, e shohin religjionin vetëm si pengesë për kërkimin dhe përparimin.
Kultura e anamnezës dhe amnezia e kulturës
Kapitulli i dytë i dokumentit përqendrohet në thirrjen tërësore: përvoja njerëzore duhet të çmohet në kategoritë konkrete të kohës, të hapësirës dhe të marrëdhënies. Sot – shpjegon KTN – ka humbur kuptimi i historisë, gjithçka është reduktuar në një «të tashme të mbyllur në vetvete» dhe «kultura e anamnezës» i ka lënë vendin «amnezisë së kulturës». Nuk ekzistojnë më tradita të jetuara, por të dhëna të përpunuara që mund të thirren në çdo çast nga një kompjuter. Teknologjia e bën gjithçka bashkëkohore, por «një e tashme që nuk njeh më një të kaluar nuk ka më asnjë të ardhme», asnjë shpresë. Kjo mund të sjellë «forma revizionizmi dhe negacionizmi», si edhe «kultura të rreme (të shpërdorimit, të mureve, të izolimit)» ose «populizma». Përballë gjithë kësaj, Ungjilli paraqitet si një «kundërkulturë» për dy arsye: sepse vlerëson dhe promovon të gjitha përmasat njerëzore autentike dhe sepse, në «përshpejtimin horizontal» që pëson historia, Fjala i jep asaj një kuptim, domethënë Jezu Krishtin, pikë takimi ndërmjet kohës së njeriut dhe amshimit të Hyjit.
Fenomeni i “urban age”
Po aq i gjerë është reflektimi mbi hapësirën, sidomos përballë fenomenit të «urban age», domethënë formimit të rajoneve metropolitane që bashkojnë qendra dhe periferi në hapësira të mëdha, jo pa probleme, si mungesa e shërbimeve thelbësore. Për më tepër, kultura globale dhe lehtësia e lëvizjes e bëjnë njeriun njëkohësisht «qytetar të botës», por edhe «nomad» që endet në jo-vende anonime dhe uniforme si aeroportet dhe qendrat tregtare. «Kështu humbet figura e shtegtarit», thekson dokumenti, domethënë e atij që, pa humbur lidhjen me tokën e vet, vihet në udhëtim për t’iu përgjigjur thirrjes së Hyjit.
Dallimi ndërmjet kufirit dhe pragut
Hapësira globale nuk e bën njeriun më mikpritës dhe të hapur ndaj tjetrit. Përkundrazi, ajo sjell «reagime të forta identitare», rrit «ndjenjat e pushtimit» që e shohin tjetrin si kërcënim, krijon kufij aty ku të krishterët shohin «pragje», domethënë «zona që të vënë në kontakt» me të afërmin. Njëmend, Krishti «çel hapësirën e popujve e të personave», duke e bërë atë vend mikpritës, pa mure dhe pa mbyllje, në një të tashme shpëtimtare, në ecje drejt një të ardhmeje transhendente.
Marrëdhëniet si pritë ndaj globalizimit uniformues
Pastaj marrëdhënia, ndërsubjektiviteti i kuptuar si përkatësi e njeriut në një familje, në një popull e në një traditë. Këto përkatësi, thekson dokumenti, formësojnë identitetin personal dhe përbëjnë «pothuajse një pritë ndaj përhapjes së globalizimit uniformues». Njëmend, bërthama familjare, sidomos në «të bërit një gjë e vetme e burrit dhe gruas në frytin e fëmijës», shpreh «plotësi dhe premtim» të dhuratës së jetës. Po ashtu, populli realizohet «në bashkëndarjen» e një kulture dhe të një toke, duke iu kundërvënë kështu një vizioni «kozmopolit, anonim dhe të globalizuar» që i zhduk dallimet dhe identitetet e veçanta. Uniteti në ndryshmëri është parimi që kujton KTN-ja në emër të «vëllazërisë» dhe të «miqësisë shoqërore». Në këtë kuadër vendoset edhe «Populli i Hyjit që është Kisha», udhëtimi i të cilit është i themeluar mbi fenë dhe i hapur ndaj ndryshmërive për një «projekt të përbashkët më të madh».
Të varfrit nuk janë “dëme kolaterale” të teknologjisë
Parimi i së mirës së përbashkët është gjithashtu qendror në këtë kapitull të dytë, që vjen me një thirrje drejtuar institucioneve financiare për të qenë «të vëmendshme ndaj ekonomisë reale më shumë sesa ndaj logjikave të fitimit» dhe për të mos e humbur qasjen etike dhe solidaritetin ndaj më të dobëtëve. Sepse «misteri i Kryqit» tërheq vëmendjen te këndvështrimi i viktimave; prandaj, pa drejtësi dhe pa vëmendje ndaj më të dobëtëve, nuk mund të ketë «një përmbushje njerëzore» të historisë. Në këtë drejtim, një pikë e veçantë e dokumentit nxit që të kthehet vështrimi te më të varfrit, të cilët, për shkak të fuqisë teknologjike, rrezikojnë të bëhen «dëme kolaterale» për t’u zhdukur «pa mëshirë».
Dinjiteti i pafund i çdo jete njerëzore dhe lutja
Thirrja tërësore e qenies njerëzore është edhe realizimi në dashuri: jeta e secilit është fryt «i dashurisë krijuese të Atit» që e ka dashur para se ta formonte. Kjo do të thotë se «çdo ekzistencë njerëzore ka në vetvete një vlerë të pafund» dhe njeriu nuk mund t’i nënshtrohet asnjë mase – politike, ekonomike apo shoqërore – që e zvogëlon «dinjitetin e tij të pafund». Perceptimi i jetës si dhuratë bën që askush të mos ndihet «i tepërt» në botë, sepse të gjithë jemi të thirrur për t’iu përgjigjur një projekti që Hyji ka menduar për ne, që jemi bijtë e tij dhe që i drejtohemi Atij në lutje. Ky qëndrim «e kualifikon njerëzimin», sepse lutja shpreh njerëzimin që beson përtej vetes, pa u shpërbërë dhe pa u vetë-projektuar.
Kultura e mos-thirrjes u heq shpresën të rinjve
Fatkeqësisht sot, sidomos në Perëndim – thekson dokumenti – nxitet një «kulturë e mos-thirrjes» që ua heq të rinjve hapjen ndaj kuptimit fundor të ekzistencës dhe ndaj shpresës. E ardhmja reduktohet kështu në zgjedhjen e punës, në fitimin ekonomik, në plotësimin e nevojave materiale. Përkundrazi, «kultura e thirrjes» është më se e nevojshme për të mundësuar procesin e duhur të pjekurisë së identitetit të personit dhe të popujve.
Identiteti piqet në dashuri
Identiteti është pikërisht tema e kapitullit të tretë: «Asnjë qenie njerëzore nuk mund të jetë e lumtur nëse nuk e di kush është», pohon KTN; prandaj secili duhet të marrë mbi vete «detyrën» për t’u bërë vetvetja dhe për ta shndërruar botën sipas planit të Hyjit. Për më tepër, si bij të dashur të Zotit, qeniet njerëzore e pjekin identitetin e tyre posaçërisht në dashuri. Megjithatë ekzistojnë edhe faktorë të tjerë – kulturorë, natyrorë, shoqërorë dhe fetarë – që e bëjnë identitetin veçanërisht kompleks. Për këtë arsye ai duhet kërkuar mbi të gjitha në zemër, «qendra e personit», ku përftohet uniteti dhe ndërtohen lidhje autentike, në një marrëdhënie të drejtë me botën.
Trupësia dhe aftësia e kufizuar
Për të formësuar identitetin përkatës është gjithashtu e nevojshme «të pranohet trupi në dimensionin seksual, i parë si dhuratë dhe jo si burg që na pengon të jemi vërtet vetvetja, apo si material biologjik për t’u ndryshuar». Në këtë kontekst merr rëndësi të veçantë edhe aftësia e kufizuar: «Duke mbajtur parasysh se aftësitë e kufizuara të lindura nuk janë drejtpërdrejt të dashura nga Hyji», shpjegon dokumenti, duhet mbrojtur dinjiteti i pafund i çdo personi, duke përqafuar «gjendjen e tij të veçantë», sepse edhe ajo «mund të jetë rast për të mirë, për urti e për bukuri».
Marrëdhëniet ndërpersonale dhe me kozmosin
Nga teksti del qartë rëndësia e marrëdhënieve ndërpersonale, sepse sa më shumë që njeriu i jeton ato «në mënyrë autentike», aq më shumë piqet «identiteti i tij personal». Të jesh dhuratë për të tjerët bëhet kështu mënyra në të cilën personi i përgjigjet thirrjes për një «bashkim shoqëror» që realizohet në «aftësinë për të pranuar të tjerët, duke krijuar lidhje të forta», të bazuara në dialog, në dëgjim dhe në të drejtën për të qenë vetvetja dhe për të qenë i ndryshëm. Një reflektim i mëtejshëm ofrohet mbi marrëdhënien ndërmjet njerëzimit dhe kozmosit. Ai nuk mund të reduktohet në një «objekt» të thjeshtë – theksohet – as nuk mund të «humanizohet», siç ndodh shpesh në Perëndim me kafshët shtëpiake. Përkundrazi, qeniet njerëzore duhet të marrin rolin e «administruesve të përgjegjshëm» të Krijimit, duke u bërë agjentë të evolucionit të universit fizik, «por gjithmonë duke respektuar ligjet e tij».
Tensionet polare të identitetit njerëzor
Kapitulli i katërt dhe i fundit i dokumentit analizon gjendjen dramatike të procesit të realizimit të identitetit njerëzor, i cili kalon përmes disa «tensioneve ose polariteteve» mes materiales dhe shpirtërores, mashkullit dhe femrës, individit dhe bashkësisë, të kufishmes dhe të pakufishmes. Këto tensione – shpjegohet – «nuk duhen interpretuar në një logjikë dualiste, por si “njësi e të dyjave”», në mënyrë që të shfaqet «vlera e drejtë dhe e patjetërsueshme e së ndryshmes». Referimi është te «jeta trinitare», në sajë të së cilës marrëdhënia ndërmjet dyve nuk mbyllet në vetvete dhe as nuk e anulon tjetrin, por «hapet drejt përmbushjes në të tretin». Mbi të gjitha, përmes këtyre kundërvënieve polare «mbetet i paprekur dhurimi zanafillor që paraprin dhe themelon». «Harmonia e përsosur» ndërmjet Personave të Trinisë na kujton vëllazërinë universale dhe shprehet në mënyrë kulmore në Eukaristi, e cila «rigjeneron marrëdhëniet njerëzore dhe i hap ato ndaj bashkimit».
Mashkulli dhe femra janë dhuratë e Hyjit, jo një variabël jo qenësor
Dy janë në veçanti theksimet: në tensionin ndërmjet mashkullit dhe femrës theksohet se identiteti i burrit dhe i gruas «nuk është një variabël jo qenësor» që mund të formësohet në mënyrë të pavarur ose në kundërshtim me domethënien e saj «zanafillore dhe të përhershme»; as nuk është «një pronë për t’u qasur» në mënyrë subjektive. Përkundrazi, ky identitet është dhuratë e Hyjit. Për pasojë, prirja e sotme për «ta mohuar ose për ta shpërfillur këtë dallim natyror» bëhet «një mënyrë e rrezikshme për të fshirë identitetin real trupor», në dobi të një «vetë-kundrimi endogamik». Në këndvështrimin teologjik, përkundrazi, tensioni burrë/grua gjen perspektivën e vet të përshtatshme në thirrjen për unitetin e të dyve «me dinjitet të njëjtë».
Zanafilla e krizës ekologjike
Theksimi i dytë lidhet me polaritetin ndërmjet materiales dhe shpirtërores: kur humbet «harmonia» ndërmjet këtyre dy përmasave, gjërat nuk janë më «shenja të një misteri më të madh», por reduktohen në «material për t’u manipuluar në mënyrë arbitrare vetëm për përfitim». Dhe kjo gjë qëndron «në rrënjë të krizës ekologjike të sotme», e cila reflektohet edhe në marrëdhëniet ndërmjet personave dhe popujve, në një «zgjerim të konfliktualitetit njerëzor». Kështu, vëllazëria universale, «e brendashkruar në origjinën e përbashkët», nuk njihet më; përkundrazi ajo «fyhet vazhdimisht». Nga pikëpamja teologjike, ndërkaq, tensioni ndërmjet materiales dhe shpirtërores gjen «kuptimin e vet të plotë» në ngjallje: falë saj, qenia njerëzore shpëtohet plotësisht, në trup dhe në shpirt.
Shembulli i Virgjërës Mari
Në përfundim, dokumenti i KTN-së thekson qartë se «e ardhmja e njerëzimit nuk vendoset në laboratorët e bioinxhinierisë, por në aftësinë për të jetuar tensionet e së tashmes», pa humbur kuptimin e kufirit dhe të hapjes ndaj misterit të Krishtit të ngjallur. Shembull i mrekullueshëm është Virgjëra Mari: ajo që e pranoi lirisht dhuratën e Hyjit bëhet «paradigma» e qenies njerëzore që realizohet në plotësi. «Humanizimi i vërtetë», atëherë, do të jetë lejimi për t’u «hyjnizuar» nga një Dashuri që «na paraprin dhe na bën protagonistë të një njerëzimi të ri».

