Dje, me praninë e Imzot Angelo Massafra, Imzot Arjan Dodaj dhe Kryetares së Bashkisë Kurbin, Znj. Majlinda Cara, u dorëzuan çelësat e banesës së re Z. Shkëlqim Lamaj, përfitues i programit të rindërtimit të Caritas Shqiptar.
Në fjalën e tij, Imzot Angelo Massafra, President i Konferencës Ipeshkvore dhe Caritas Shqiptar nënvizoi se: bashkëpunimi ndërmjet Caritas Shqiptar, Caritase-ve si motra, Habitat, Bashkisë Kurbin dhe firmës së ndërtimit janë faktorë në rindërtimin e banesave, cilësinë e punimeve, kohën e realizimit por edhe në transparencën ndaj partnerëve që i kanë besuar Caritas-it dhe Kishës katolike.
Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi i ri Metropolit i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, i dorëzoi familjes Lamaj çertifikatën e dhurimit të investimit dhe ritheksoi që Kisha Katolike nuk bën dallime fetare, por solidarizohet me nevojat e personave dhe dashuria prevalon.
Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Znj Majlinda Cara, u shpreh që është e lumtur sepse falë këtij bashkëpunimi familja Lamaj do të kalojë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në banesën e re. Ajo theksoi faktin se investimi i Caritas Shqiptar ka shkuar për familjet më të margjinalizuara, ndërsa sot dorëzuam çelësat në familjen e parë, por janë në proces ndërtimi edhe 12 banesa të tjera.
Caritas Shqiptar implementon programin në zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Ky program mundësohet nga bashkëpunimi me partnerët: Caritas Network dhe Habitat for Humanity.