Sot bie përvjetori i themelimit të Shtet-Qytetit të Vatikanit, që përkon me Paktet e Lateranit të 11 shkurtit të vitit 1929. Qyteti i Vatikanit lindi nga Konkordati ndërmjet Shtetit dhe Kishës nënshkruar ndërmjet Italisë së Musolinit e Papës Piu XII (nënshkroi kardinali Gasparri) të Pakteve të Lateranit të 11 shkurtit 1929. Marrëveshja, që njeh Katolicizmin si fe të shtetit, i jepte fund kundërshtive të hapura të nesërmen e marrjes së Romë më 20 shtator të vitit 1870. Pakti është ripërtërirë, me disa ndryshime, më 18 shkurt 1984.
“Ai territor” të fitojë “sovranitetin territorial”, “të nevojshëm dhe të detyrueshëm për atë që s’mund të jetë nënshtetas i asnjë sovraniteti tokësor”. Janë këto fjalët e Papës Piu XI cituar shpesh nga historianët për të kujtuar pikërisht firmën historike, që sanksionoi lindjen e 44 kilometrave katrore më të famshme të botës.
E vërtetë është se mund të pohohet me të drejtë se ai territor, të cilin Vatikani ia rezervoi vetes e që u njoh edhe ndërkombëtarisht, është materialisht e territorialisht i vogël, por si i tërë është i madh, më i madhi në botë, nga çdo lloj pikëpamje të shihet! Kur një territor mund të mburret me Kolonatin e Berninit, Kupolën e Mikelaxhelos, thesaret e shkencës dhe të artit në arkiva e biblioteka, në muzetë e në galeritë e Vatikanit, kur një territor mbulon e ruan Varrin e Princit të Apostujve, Pjetrit Apostull, mund të thuhet se ka edhe të drejtën të pohojë se nuk ka në botë territor më të madh e më të çmueshëm.Në këtë përvjetor “territori i vogël për një mision të madh” – siç quhet shpesh – e ka kryer mirë funksionin për të cilin u impenjua Papa Achille Ratti – Piu XI.
Shteti i Vatikanit ka kuptim, sepse i jep Selisë së Shenjtë Apostolike një mbështetje, për të qenë e sigurt në lirinë dhe pavarësinë e saj, de facto e de jure, dhe me të vërtetë, ka shërbyer për këtë që nga themelimi e deri më sot: i ka siguruar Papës pavarësinë dhe lirinë nga çdo pushtet politik. Papa nuk është subjekt i asnjë pushteti politik.
Paktet e 11 shkurtit të vitit 1929-tës ndërmjet Italisë e Selisë së Shenjtë gjithnjë aktuale, u nënshkruan me qëllimin e renditjes së veprimtarisë, së bashku e veçmas, në shërbim të së mirës së njeriut, për të arritur kështu në cakun e harmonisë shoqërore.
11 shkurti, përvjetori i Pakteve Lateranense, mbetet një ngjarje e madhe, e cila më 1929 shënoi “fundin e kundërvënies ndërmjet Shtetit e Kishës. Një kundërvënie e tillë vijonte që nga koha Lëvizjes për Bashkimin e Italisë në shekullin XIX, që i pati ndarë veçmas fatet e fesë nga ato të shtetit. Këto dokumente i dhanë fund në Itali ndarjes së dhimbshme ndërmjet qytetarit e besimtarit, duke krijuar mundësitë që besimtarët të marrin pjesë me të drejtë të plotë qytetarie në jetën e vendit dhe të thonë fjalën e tyre si besimtar katolikë në të gjitha fushat e jetës.
Vlerat e 11 shkurtit ndikuan fuqimisht edhe për vënien në dukje të rolit që luan Selia e Shenjtë Apostolike si Shtet në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të konkretizohet mesazhi, mbartës e zëdhënës i të cilit është vetë Kisha katolike, e cila në çdo vend e në çdo kohë ka si qëllim të mbështesë kauzën e njeriut.
Paktet e Lateranit dhe Marrëveshja e Vilës Madama e vitit 1984, e cila harmonizoi normat konkordare me Kushtetutën republikane, përfaqësojnë, një të dhënë me peshë: janë mjete pozitive të mbrojtjes e të promovimit të lirisë fetare, parë si e drejtë individuale, kolektive dhe institucionale. Mbrojtja e saj, nuk mund të konsiderohet si objektiv i arritur një herë e përgjithmonë. Ajo kërkon tension të përhershëm e përshtatje të përvojës juridike me kërkesat, që krijohen nga evolucioni i vazhdueshëm i shoqërisë.
Mund të pohohet se thelbi i këtyre Pakteve ndërkombëtare nuk duhet kuptuar si shprehje e vullnetit të Kishës ose Selisë së Shenjtë për të ruajtur pushtetin, privilegjet ose pozitat ekonomike e shoqërore. Përkundrazi Paktet e Lateranit shprehin vullnetin e mirë nga ana e Shtetit, për t’u garantuar njerëzve të veçantë dhe Kishës mundësinë e ushtrimit të plotë të lirisë fetare.
Përfundimi pozitiv i “Çështjes romake”, që çoi në nënshkrimin e Pakteve të 1929-tës, u realizuan gjatë papnisë së Piut XI. “Mbetesh vërtet i prekur përballë veprës së urtë e të fortë të këtij Pape, që për Kishën deshi vetëm lirinë, e cila do t’i krijonte mundësinë për ta kryer plotësisht misionin e saj. Edhe Qytet-Shtetin e Vatikanit, lindur pas Pakteve Lateranense e, në veçanti, pas Traktatit, Piu XI e konsideroi si mjet për të garantuar pavarësinë e nevojshme nga çdo pushtet njerëzor, për t’i dhënë Kishës dhe Kryebariut të saj mundësinë ta vërë plotësisht në jetë mandatin e marrë nga Krishti Zot (14 shkurt 2009, Fjalimi Benediktit XVI me rastin e 80-vjetorit të Qytet-Shtetit të Vatikanit)
Konkordati ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, njohje reciproke ndërmjet dy palëve, shikohet si model për Evropën. Marrëveshja, tashmë e konsoliduar, ndërmjet Italisë e Selisë së Shenjtë, me Konkordatin e rishikuar më 1984, në përkim me mësimet e Koncilit të II të Vatikanit dhe me pjekurinë demokratike të vendit, mund të bëhet një model i vërtetë për Evropën, për të përcaktuar rregulla të qarta në marrëdhëniet ndërmjet dy realiteteve, mbi të cilat bazohet bashkëjetesa e tyre.
Kështu Kisha katolike fitoi të drejtën e plotë për zhvillimin e misionit të saj fetar dhe, në të njëjtën kohë, për të punuar në shërbim të paqes e të progresit të popujve. Shteti e Kisha, duke shmangur çdo rrezik kundërvënieje, bashkëpunojnë me sukses për njeriun dhe lartësimin e tij shpirtëror e material. Në drejtpeshimin ndërmjet dy përkatësive qëndron edhe e fshehta e lirisë dhe e progresit në kontinent. Ajo që ishte arritja e veçantë konkordatare, mund të bëhet referim i qartë për Evropën që po kërkon stabilitetin e zhvillimin.
(Marrë nga Radio Vatikani)