Sekretari i Shtetit të Vatikanit, delegat i Papës në Slloveni në takimin ndërfetar që u zhvillua më 17 dhe 18 qershor në Koper për dialogun dhe paqen në Ballkan, nënvizoi afërsinë e Selisë së Shenjtë me popujt e rajonit, duke mbështetur aspiratën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian, për të “zbutur ndjenjën e braktisjes” dhe “për një të ardhme rritjeje dhe prosperiteti”
Papa Françesku e përfytyron Evropën si një “rrugë vëllazërimi”, një “mburojë paqeje” të përbërë nga shtete “që nuk janë bashkuar nga detyrimi, por nga zgjedhja e lirë për të mirën e përbashkët, duke hequr dorë përgjithmonë nga perspektiva e konfrontimit” dhe ëndërron një Evropë që është e njëjtë për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit “të cilat i ka shumë për zemër” pasi i ka vizituar disa herë. Sekretari Kardinal i Shtetit, Pietro Parolin, në fjalimin e tij në Forumin për dialogun dhe paqen në Ballkan që u mbajt në datat e sipërpërmendura në Koper të Sllovenisë, rikonfirmoi kështu afërsinë e Papës dhe Selisë së Shenjtë. Një takim ndërfetar me titull “Paqe për ty, Evropë! Paqja për ty Ballkan!” promovuar nga Konferenca e Ipeshkvijve Sllovenë, në të cilën morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë të krishterimit, me eksponentë katolikë, ortodoksë dhe luteranë, islam dhe hebrenj, nga 15 vende të gadishullit Ballkanik dhe gadishullit të afërt të Azisë së Vogël.
Ballkani, një “fuçi baruti” por edhe shembull i bashkëjetesës paqësore
Në fjalën e tij në mbledhjen e hapjes, mëngjesin e së shtunës 17 në sallën e protokollit të Shën Françeskut të Asizit, si delegat i posaçëm i Papës, pasi falënderoi imzot Petar Štumpf, ipeshkëv i Murska Sobota dhe nënkryetar i Konferencës Ipeshkvore sllovene, Kardinali Parolin nënvizoi se është domethënëse “që ky Forum organizohet në Slloveni, e cila, megjithëse gjeografikisht nuk është pjesë e rajonit të Ballkanit”, i qëndron besnike “vokacionit të vet si kryqëzim popujsh dhe urë lidhëse midis botëve dhe kulturave të ndryshme”. Ai shtoi se në botën e sotme, “të rrënuar nga luftërat si ajo në Ukrainë dhe konflikte të tjera, është thelbësore të diskutohet për paqen dhe dialogun”. Dhe është edhe më e përshtatshme për ta bërë këtë gjë në lidhje me rajonin e Ballkanit, i cili ndonjëherë është quajtur “fuçia e barutit të Evropës”, por gjithashtu ka qenë dëshmitare e “shembujve të jashtëzakonshëm të bashkëjetesës paqësore midis njerëzve të etnive, kulturave dhe feve të ndryshme gjatë rrjedhës së shekujve”.
Një shoqëri me dallime, që janë një pasuri, e shkatërruar nga lufta
Mund të shihet, nënvizoi sekretari i shtetit, “në arkitekturën e shumë qyteteve ballkanike, ku katedralet katolike dhe ortodokse, xhamitë myslimane dhe sinagogat hebraike shtrihen drejt qiellit”. Historia e këtyre vendeve “ka treguar se si është e mundur të krijohet një shoqëri ku dallimet nuk janë barrë, por burim pasurie”, por gjithashtu, për fat të keq, “se sa pak duhet për të shkatërruar një shoqëri të këtij lloji, siç e kemi parë të gjithë në vitet ’90”.
Angazhimi i Selisë së Shenjtë në rajonin e Ballkanit
Selia e Shenjtë, vijoi kardinali nga Vicenza, e angazhuar në fushën e gjerë të paqes, besnike ndaj fjalëve të Jezusit “Lum pajtuesit, sepse ata do të quhen bij të Hyjit”, është perceptuar gjithmonë “si aktor ndërkombëtar sovran dhe i pavarur, i lirë nga interesat materiale (politike, ekonomike dhe ushtarake)”. Për këtë arsye çmohet e aftë “për të ndërmjetësuar në konfliktet ndërmjet shteteve ose për të ndihmuar në pajtimin e palëve në konflikt, qoftë edhe brenda shteteve”. Dhe kjo është ajo që është përpjekur të bëjë, kujtoi kardinali Parolin, në rajonin e Ballkanit, që para “shpërbërjes së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”, me veprime gjithmonë “koherente dhe në besnikëri të plotë ndaj misionit të Kishës në botë”, siç theksohet nga Koncili II i Vatikanit. Dhe përballë situatës së re të krijuar nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1990, me “tendencat separatiste të shfaqura në Kroaci dhe Slloveni”, Selia e Shenjtë, ripohoi kreu i diplomacisë së Vatikanit, “ka mbajtur një qëndrim me maturi të madhe”.
Përpjekjet për paqe gjatë konfliktit të viteve nëntëdhjetë
Sekretari i Shtetit kujtoi kështu se “që nga janari 1991, Selia e Shenjtë ka ngritur zërin, duke kërkuar respektimin e të drejtës së popujve për vetëvendosje, respektimin e të drejtave të individëve dhe komuniteteve kombëtare dhe refuzimin e përdorimit të forcës për të zgjidhur mosmarrëveshjet”. Ajo e ka bërë këtë gjë duke inkurajuar “kërkimin e palodhur për dialog midis palëve dhe rivendosjen e bashkëjetesës paqësore midis popujve të Jugosllavisë, bazuar në respektin reciprok dhe drejtësinë”. Me fillimin e operacioneve të armatosura në Slloveni dhe Kroaci, më 25 qershor 1991, vazhdoi kardinali, veprimi i Selisë së Shenjtë u bë “edhe më këmbëngulës”, dhe me përkeqësimin e situatës, “u rrit bindja se njohja ndërkombëtare e Pavarësisë së Kroacisë dhe Sllovenisë mund të lehtësonte arritjen e paqes”. Për këtë arsye, Selia e Shenjtë përkrahi “shfaqjen e një konsensusi ndërkombëtar për njohjen e menjëhershme të dy Republikave”.
Thirrjet e Shën Gjon Palit II drejtuar udhëheqësve fetarë
Por në të njëjtën kohë, Papa Gjon Pali II, për të promovuar “një vepër të thellë pajtimi – kujtoi Kardinali Parolin – u bëri thirrje vazhdimisht besimtarëve dhe udhëheqësve fetarë të tre komuniteteve të pranishme në ato Republika: Katolikëve, Ortodoksëve dhe Myslimanëve, duke i nxitur që të intensifikonin dialogun dhe veprimin e përbashkët në kërkimin e një klime paqeje dhe një kulture takimi midis popullsive të ndryshme, të destinuara për të jetuar së bashku në Evropën e re të sapolindur”. Edhe sot, nënvizoi Sekretari i Shtetit, “Ballkani duhet të investojë shumë në këtë kulturë takimi për të kapërcyer kulturën e konfrontimit”, një temë shumë e dashur për Papa Françeskun.
Dialogu ndërfetar është thelbësor për të ardhmen e Ballkanit
Një nga elementët e rëndësishëm të kulturës së takimit, krahas mikpritjes dhe angazhimit, sqaroi kardinali, është dialogu, që do të thotë, shpjegon Papa në enciklikën Fratelli tutti, “T’i afrohemi njëri-tjetrit, të shprehemi te njëri-tjetri, ta dëgjojmë njëri-tjetrin, ta shohim njëri-tjetrin, ta njohim njëri-tjetrin, të përpiqemi ta kuptojmë njëri-tjetrin, të kërkojmë pika takimi”. Dialogu, çështje kyçe kjo në epokën e globalizimit, dhe po qe ndërfetar “është edhe i një rëndësie të veçantë për të ardhmen paqësore të Ballkanit, ku kultura latine, bizantine dhe islame janë takuar dhe nganjëherë përplasur për shekuj me radhë”.
Françesku në Sarajevë: udhëheqësit fetarë kujdestarët e parë të paqes
Parolin solli në vëmendje fjalët e Françeskut në vizitën e tij në Sarajevë në qershor 2015, ku ai nënvizoi se “dialogu ndërfetar, këtu si kudo tjetër në botë, është një kusht thelbësor për paqen dhe për rrjedhojë një detyrë për të gjithë besimtarët” dhe se për këtë arsye udhëheqësit fetarë “janë rojtarët e parë të paqes”. Duke forcuar këtë dialog, komentoi Sekretari i Shtetit “mund t’i bëhet ballë ekstremizmit, i cili fatkeqësisht shfaqet edhe brenda feve”. Shumë herë Papa aktual ka nxitur dialogun ekumenik dhe ndërfetar për të “ndërtuar ura në vend të mureve”, sepse kështu ndërtohet e ardhmja. “Një urë bashkon, krijon bashkësi, hap dyert e dialogut dhe të njohjes dhe konsolidon territoret – nënvizoi kardinali. Ndërsa një mur, nga ana tjetër, ndan, shpërbën, promovon vetë-referencialitetin dhe mbylljen dhe kufizon horizontet”. Ballkani ka nevojë për ura si ajo mbi lumin Drina, “protagoniste e romanit të famshëm të Ivo Andrić, bir dhe interpretues i këtyre trojeve” Çmimi Nobel për Letërsinë 1961. Ura e Vishegradit, e cila është kthyer në simbol të shkrirjes së dy botëve të ndryshme, për Parolin, “i fton këto troje dhe të gjithë ata që banojnë në to, që të qëndrojnë të rrënjosur në këto themele për të ndërtuar një të ardhme bashkimi dhe marrëdhëniesh konstruktive”.
Selia e Shenjtë mbështet aspiratat e vendeve për t’u anëtarësuar në BE
Sekretari i Shtetit më pas citoi fjalët e Papa Françeskut në një vizitë tjetër në rajon, në Maqedoninë e Veriut në maj 2019, ku në Shkup deklaroi se karakteristikat e veçanta të kësaj toke, të lidhura me “përbërjen e saj shumëkombëshe dhe multifetare” kanë “rëndësi të veçantë edhe në rrugën drejt integrimit më të ngushtë me vendet evropiane”. Duke shpërfaqur shpresën “që ky integrim do të zhvillohet pozitivisht për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke respektuar diversitetin dhe të drejtat themelore”, Selia e Shenjtë, ripohoi Kardinali Parolin, e sheh me sy të mirë aspiratën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian, “e mbështet fuqimisht dhe shpreson që të shohë një realizim të vlefshëm dhe të plotë për të zbutur ndjenjën e braktisjes që i mundon qytetarët që shikojnë kah Bashkimi Evropian me shpresë për një të ardhme rritjeje dhe prosperiteti”.
Pasdite aktiviteti për të rinjtë, mesha e së dielës
Të shtunën pasdite, Forumi vazhdoi në orën 17:00 me manifestimin “Rinia për Paqe” në Tavernën e Koperit, të përgatitur nga të rinjtë e komuniteteve të ndryshme fetare në Slloveni dhe vende të tjera të Ballkanit. Filli i kuq i programit ishte dëshira e të rinjve për paqe dhe vullneti i tyre për të qenë të gatshëm për të punuar për paqen në komunitetet e tyre fetare dhe në mjediset e tyre së bashku me të rriturit. Në orën 21, në Katedralen e Zojës në Koper, u shfaq koncerti në organo, në prani të udhëheqësve fetarë dhe shtetëror. Të dielën në mëngjes, në orën 10, në të njëjtën katedrale, kardinali Parolin kryesoi Meshën e shenjtë solemne, të bashkëkremtuar nga Nunci apostolik në Slloveni, arqipeshkvi Jean Marie-Speich, nga ipeshkvi i Koperit Jurija Bizjak dhe nga ipeshkvijtë dhe priftërinjtë sllovenë.