Më datë 30 maj pranë qendrës kulturore “Atë Zef Valentini” u bë paraqitja e librit “Kryqi dhe Islami, sfida dhe reflektime për takimin mes të krishterëve dhe myslimanëve”, të Ambrogio Bongiovanni profesor dhe drejtor i Qendrës së Studimeve Ndërfetare të Universitetit Papnor Gregorian të Romës. Ky event u organizua me një bashkëpunim i gjerë të famullisë “Shën Piu X-të” Elbasan, Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, Qendra Kulturore “Atë Zef Valentini”, nga Komisioni Kombëtar i Edukimit Katolik si edhe nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë.
Morën pjesë dhe patën rastin të ndërhyjnë në këtë event: Mons. Arjan Dodaj, Arqipeshkëv Metropolit Tiranë – Durrës, Mons Gjergj Meta Ipeshkëv i Rrëshenit, President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Dom Dorian Mjeshtri kurator i përkthimit të librit e famullitar i “Shën Piu i X-të” Elbasan, Dr. Arben Ramkaj President i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar – Elbasan, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, President i Këshillave Ndërfetarë të Europës, Dr. Hysni Skura, Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Atë Mario Imperatori S.J. teolog, profesor në Fakultetin e Teologjisë së Italisë Jugore në Napoli, Loreta Tomaj psikologe dhe përkthyese e librit. Ishte e ftuar edhe Rektorja e Universitetit Aleksandër Xhuvani Elbasan Prof. Dr. Elvira Fetahu. Në pamundësi për të marrë pjesë delegoi në këtë event Prof. Asoc. Dr. Elisabeta Osmanaj dhe njëkohësisht edhe Dekane e Fakultetit të Shkencave Sociale të këtij Universiteti.


Morën pjesë në event edhe i dërguari me punë i Selisë së Shenjtë në Shqipëri Mons. Ionut Paul Strejac, Hirësi Andon Sirdani Peshkop i Elbasanit dhe Librazhdit, Myfti Agim Duka, Pop Andrea Ranxa dhe shumë besimtarë të të dyja besimeve.
Eventi u moderua nga Elona Mustafaraj, psikologe, anëtare e Qendrës së Bashkpunimit Ndërfetar Elbasan dhe pjesëtare e komunitetit bektashian.
Gjatë ndërhyrjeve u theksua rëndësia e paraqitjes së këtij studimi në shqip, pasi jep një mundësi reale për t’u ballafaquar në një klimë dialogu mbi tema tologjike, që pakkush ka kurajon t’i përballojë. Në fakt, nga shumë recensione të bëra mbi librin në fjalë, nënvizohet guximi i autorit pasi nga njëra anë paraqet domethënien e kryqit për të krishterët, ku zbulohet dashuria e pafund e Hyjit të zbuluar nëpërmjet flijimit të Birit të tij Jezusit, e nga ana tjetër paraqet mohimin e refuzimin e realitetit të kryqit, pasi është e pamundur që Hyji i gjithëpushtetshëm e mëshirmadh ta lejojë një gjë të tillë. Ndërhyrjet e pjesëtarëve kompetentë të komunitetit mysliman mund t’i përmbledhim në këtë shprehje: Ky libër është një kontribut i menduar, i lëmuar, i kuptueshëm i një argumenti të vështirë.
Në fund fjala iu dha autorit të librit prof. Ambrogio Bongiovanni-t, i cili falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen dhe hapësirën e dhënë trajtimit të këtyre temave, ku theksoi; për të arritur këtu është dashur punë, angazhim e kultivim i marrëdhënieve miqësore. Marrëdhënia është themelore për ndërtimin e dialogut. Ky i fundit, më pas kërkon durim, studim, e mbi të gjitha hapje ndaj tjetrit. Përtej dallimeve dokritonre ajo që ka rëndësi është bamirësia hermeneutike, ose të vihesh në lojë për tjetrin. Kujtdo besimi t’i përkasim tha në përfundim e sipër porf. Ambrogio qëllimi i fundit i të gjithëve, nuk është e nuk mund të jetë një formulë e thjeshtë istitucionale, apo doktrinore, por kërkimi i së vërtetës dhe takimi me Hyjin.
Takimi u mbyll në një klimë harmonie e vëllazërie dhe me perceptimin e dëshirën për të kultivuar e rritur, pikërisht, harmoninë e vëllazërinë.