Publikojmë parathënien e Papa Françeskut, të hershuar nga e përditshmja “Avvenire”, për librin me titull “Si na mësoi Jezusi. Lutja e shtegtarëve të shpresës” (Edizioni San Paolo) që do të dalë të mërkurën më 9 tetor. Teksti mbledh reflektimet, disa të pabotuara, të Papa Françeskut mbi lutjen.
Papa Françesku
Gjyshja më mësoi të lutem. Gjyshja ime është ajo që më mësoi të lutem e më dhuroi edhe devocionin ndaj Shën Jozefit. Pastaj etërit shpirtërorë që kam pasur, si në seminar ashtu edhe në Shoqërinë e jezuitëve, më kanë ndihmuar që të ecja përpara në përvojën e lutjes.
Ndër këta dua të përmend Atë Miguel Angel Fiorito, një jezuit argjentinas, profesor i filozofisë, por edhe një entuziast i përshpirtërisë. Veprat e tij tani janë botuar edhe në Itali: një mjeshtër i madh shpirtëror që më mësoi të rritem në mënyrën time të lutjes. Ai ka dhënë shumë kurse mbi përshpirtërinë. Më ka mësuar të lutem si bir dhe të mos kërkoj karamelet e ngushëllimit: si ndodh lutja? Si të mësohemi me lutjen? Çfarë duhet të bëjmë kur ndihemi të ngushëlluar apo edhe të pikëlluar, kur nuk kemi dëshirë për t’u lutur? Ai ishte një mësues i jetës shpirtërore për mua. Me kalimin e kohës, formimi im mbi lutjen ka mbetur i njëjtë.
Edhe si Papë, nuk ka ndryshuar asgjë: lutem si gjithmonë, me ritmet e zakonshme. Herë bëj disa lutje me zë, herë të tjera para Sakramentit duroj ndonjë çast thatësie. Lutja ime ka vazhduar përmes gjërave të bukura dhe përmes gjërave jo shumë të bukura. Ndonjëherë mendoj se duhet të lutem më shumë, kjo po. Nuk kam kohë, por duhet të lutem më shumë. Pastaj jam gjithmonë i lidhur me Liturgjinë e Orëve, nuk e lë kurrë këtë: pasdite Mbrëmësoren, pastaj më vonë Shërbesën e leximeve, në mëngjes Lavdet dhe më pas Mesha. Pastaj lutja mendore; në lutjen e meditimit, kur kam pak kohë, përpiqem të bisedoj pak dhe ta pyes Zotin për ndonjë gjë, por kam frikë se do të më përgjigjet…
Pastaj kemi lutjen Ati ynë, lutja e Jezusit. Aty ka gjithçka! Kur dishepujt i kërkojnë Jezusit që t’i mësojë të luten, Ai nuk thirri një katekist për t’u mësuar atyre ndonjë metodologji lutjeje, ose ndonjë specialist në artin e lutjes. Ai tha: «Thoni kështu: Ati ynë» (krh. Lk 11,2). Ati ynë është lutja universale, lutja e fëmijëve, lutja e mirëbesimit, lutja e guximit dhe gjithashtu lutja e dorëzimit. Është lutja e madhe.
Dhe janë pastaj lutjet për Marinë: edhe unë kam shumë besim te Zoja, e lus gjithmonë Rruzaren. Më pëlqen ta ndjej afër, sepse ajo është Nënë dhe na drejton. Ekziston një histori shumë të bukur, sigurisht se është një legjendë, e cila na tregon se si Zoja i shpëton të gjithë! Është tregimi i Zojës së hajnave, mbrojtëse e hajdutëve. Këta vjedhin, por për shkak se i luten asaj, kur njëri prej tyre vdes, Zoja, e cila gjendet te dritarja e parajsës, i bën shenjë të fshihet. Dhe i thotë të mos shkojë te Pjetri, i cili nuk do ta lejojë të hyjë. Por në mbrëmje, ajo ia hapë dritaren e Parajsës dhe e lë të hyjë prej aty. Më pëlqen kjo: Zoja është ajo që të lejon të hysh nga dritarja. Është pothuajse kontrabandë. Si në Kanë. Zoti nuk e pati mundësinë t’i thoshte jo. Ajo vepron kështu me Birin e vet. Është kështu: plotfuqishmëri lutëse.
Pikërisht për këtë besim, në fund të ndërhyrjeve të mia publike, u kërkoj gjithmonë që të luten për mua. Në këtë shërbim për Kishën, kam nevojë që bashkësia të më mbështesë. Nëse Kisha nuk të mbështet me lutje, ti je i mbaruar. Bashkësia duhet ta mbështesë Ipeshkvin e vet dhe Ipeshkvi duhet të lutet për bashkësinë.
Lutja hap zemrën para Zotit dhe, kur Shpirti Shenjt hyn brenda, ta ndryshon jetën. Prandaj ne duhet të lutemi, për të hapur zemrën dhe për të lënë hapësirë për Shpirtin. Ne i lutemi Jezusit, Atit, Zojës, por nuk flasim shpesh në lutje me Shpirtin Shenjt. Njëmend, është Shpirti Shenjt që e ndryshon zemrën tonë, hyn në zemrën tonë dhe e ndryshon atë. Ati nuk na lyen, Biri nuk na lyen. Është Shpirti që na lyen me praninë e tij dhe është lyerja e Shpirtit Shenjt që më bën ta kuptoj mirë realitetin e Kishës dhe misterin e Hyjit.