HomeKryesorNata e Pashkëve/ Papa: me Jezusin e Ngjallur, asnjë natë nuk është...
HomeKryesorNata e Pashkëve/ Papa: me Jezusin e Ngjallur, asnjë natë nuk është...

Nata e Pashkëve/ Papa: me Jezusin e Ngjallur, asnjë natë nuk është e pafund

Vigjilja e natës së Pashkëve shënon kalimin nga errësira në dritë, nga vdekja në jetë, sepse kremton Krishtin e Ngjallur, Krishtin e gjallë që “ende sot kalon, shndërron dhe çliron”. Ftesa që Ai na drejton këtë mbrëmje është të rrokullisim gurin nga varri për t’i sjellë të gjithëve gëzimin e Jezusit. Edhe në errësirën e luftës qё kemi në zemër të Evropës, shpallja e Ringjalljes është një burim shprese dhe balsam në mesin e kaq shumë vuajtjeve. Kёshtu tha mes tjerash Papa Françesku nё predikimin e Meshёs sё Natёs sё Shenjtё tё Pashkёve, kremtuar nё Bazilikёn e Shёn Pjetrit, nё Vatikan.

Mesha e Natës së madhe të Pashkëve, nënë e të gjitha netëve të pagjumë, nisi me Ritin e bekimit tradicional të zjarrit të ri, në tremen e Bazilikës, ndjekur nga procesioni me qiriun e Pashkëve dhe Exultet, kumt gazmor, që këndon ngadhënjimin e Zotit të Ngjallur mbi vdekjen e mbi errësirën e botës. Nё vazhdim homelia e Papёs Françesku:

“O netë plot yje të Ukrainës, që zemra aq i do!

Oh, paqe e qetësi, që shpirtin ta preh” (M. BULGAKOV, Roja e Bardhë, Milano 2012, 392).

Kështu i këndoi një shkrimtar i madh  bukurisë së netëve, të shndritura nga yjet. Ndërsa sot netët e luftës janë plot me gjurmët e ndritshme të vdekjes. Në këtë natë, vëllezër e motra, le të na marrin për dore gratë e Ungjillit, për të zbuluar bashkë me to agun e dritës së Zotit, që ndriçon në errësirën e botës. Ato gra, ndërsa nata davaritej e shpërthente drita e parë e agimit, shkojnë heshturazi tek varri për të vajosur trupin e Jezusit. E atje jetojnë një çast tronditës: së pari, zbulojnë se varri është bosh; pastaj shikojnë dy figura veshur me dritë verbuese, të cilat u thonë se Jezusi u ngjall;  e ato menjëherë vrapojnë për t’ua çuar këtë lajm edhe dishepujve të tjerë (krh. Lk 24, 1-10)Shikojnëdëgjojnë, shpallin: me këto tre veprime hyjmë edhe ne në Pashkët e Zotit.

Gratë shikojnë. Kumtimi i parë i Ngjalljes nuk i besohet ndonjë formule që duhet kuptuar, por një shenje, që duhet kundruar! Në një varrezë, pranë një varri, ku çdo gjë duhet të ishte e rregullt dhe e qetë, gratë “shikojnë se guri qe flakur nga varri e, duke hyrë brenda, nuk e gjejnë trupin e Zotit Jezus” (v. 2-3. ). Pashkët, pra, nisin duke i përmbysur skemat tona. Vijnë  me dhuratën një shprese mahnitëse. Por që nuk mirëpritet aq lehtë. Ndonjëherë – duhet ta pranojmë – kjo shpresë nuk gjen vend në zemrat tona. Ashtu si gratë e Ungjillit, edhe ne na lindin në shpirt pyetjet dhe dyshimet. E reagimi i parë përballë shenjës së papritur, është frika, “koka e ulur përdhe” (krh. v.v. 4-5)

Shumë shpesh e shikojmë jetën dhe realitetin me sytë e ulur përposhtë;  shikojmë vetëm të sotmen që kalon, zhgënjehemi nga e ardhmja, mbyllemi në nevojat tona, kënaqemi në burgun e apatisë, ndërsa vazhdojmë të ankohemi dhe të mendojmë se gjërat nuk do të ndryshojnë kurrë. Dhe kështu rrimë pa lëvizur para varrit të dorëzimit dhe të fatalizmit. Varrosim, kështu, gëzimin e të jetuarit. E pra Zoti, në këtë natë, dëshiron të na japë sy të rinj,  përplot me shpresën se frika, dhimbja dhe vdekja nuk do ta kenë fjalën e fundit. Falë Pashkëve të Jezusit, ne mund të  kalojmë nga asgjëja – në jetë, “e vdekja nuk do të ketë më fuqi të na e rrëmbejë jetën” (K. RAHNER, Ç’kuptim ka fjala Pashkë, Brescia 2021, 28): sepse ajo tashmë është e gjitha, e përgjithmonë, e përqafuar nga dashuria e pakufishme e Zotit. Është e vërtetë, mund të na trembë, të na paralizojë. Por Zoti u ringjall! T’i ngremë, prandaj, sytë lart, ta heqim velin e hidhërimit dhe të trishtimit nga sytë tanë, t’i hapim zemrat, që në to të hyjë shpresa e Zotit!

 Së dyti, gratë dëgjojnë. Pasi panë varrin bosh, dy burra me veshje verbuese u thanë: “Pse e kërkoni të gjallin ndër të vdekur? Nuk është më këtu, u ngjall” (v. 5-6). Na bën mirë t’i dëgjojmë dhe t’i përsërisim këto fjalë: nuk është këtu! Sa herë pretendojmë se kemi kuptuar gjithçka për Zotin, që të mund ta mbyllim në skemat tona, sa herë i përsërisim vetes: Nuk është këtu! Sa herë e kërkojmë vetëm në çaste emocionesh kalimtare ose në çaste nevoje, e më pas e lëmë mënjanë dhe e harrojmë, e, në situatat e përditshme konkrete, përsërisim: ai nuk është këtu! E sa herë mendojmë ta burgosim në fjalët, formulat dhe zakonet tona, duke harruar ta kërkojmë në skutat më të errëta të jetës, ku dikush  qan, lufton, vuan dhe shpreson, përsërisim: nuk është këtu!

Le të dëgjojmë edhe ne pyetjen drejtuar grave: “Pse e kërkoni të gjallin ndër të vdekur?”. Ne nuk mund t’i kremtojmë Pashkët, nëse vazhdojmë të zhytemi në vdekje; nëse rrimë të burgosur në të kaluarën; nëse në jetë nuk kemi guximin t’i kërkojmë falje Zotit, të ndryshojmë, të shkëputemi nga veprat e së keqes, të  ecim në rrugën e Jezusit dhe të dashurisë e Tij; nëse e katandisim besimin në relike, duke e shndërruar Zotin në një kujtim të bukur të kohëve të kaluara, në vend që ta takojmë sot të gjallë, gati për ta shndërruar jetën tonë. Krishterimi, që e kërkon Zotin ndër reliket e së kaluarës dhe e mbyll në varrin e zakonit, është krishterim pa Pashkë. Por Zoti u gjall! Të mos vonohemi rreth varreve, por të shkojmë dhe ta rizbulojmë Atë, të Gjallin! Ta kërkojmë pa frikë edhe në fytyrat e vëllezërve, në historinë e atyre që shpresojnë dhe atyre që ëndërrojnë, në dhimbjen e atyre që qajnë e të atyre, që vuajnë: Zoti është atje!

Së treti, gratë kumtojnë. Por, çfarë është kumtimi? Gëzimi i ngjalljes, Pashkët nuk vijnë për të ngushëlluar kë qan për vdekjen e Jezusit, por për t’ia hapur zemrat kumtit të jashtëzakonshëm të fitores së Zotit mbi të keqen e mbi vdekjen. Prandaj, drita e Ringjalljes nuk dëshiron t’i lërë gratë në ekstazën e kënaqësisë personale, nuk toleron qëndrime të ngrira, por lind dishepuj misionarë që “kthehen nga varri” (krh v.9) dhe ua çojnë të gjithëve Ungjillin e të Ngjallurit. Ja, pra, pse, pasi panë dhe dëgjuan, gratë vrapojnë për t’u shpallur dishepujve gëzimin e Ringjalljes. Ata e dinë se mund të shikohen si të çmendura, aq sa Ungjilli thotë se fjalët e tyre dukeshin “pa pikë kuptimi” (v. 11), por nuk shqetësohen për namin e tyre, për të mbrojtur figurën e tyre; nuk kanë masë për ndjenjat, nuk i llogaritin fjalët.

Sa e bukur është Kisha, që ecën kështu nëpër rrugët e botës! Pa frikë, pa taktika dhe oportunizma; me një dëshirë të vetme, për t’ua çuar të gjithëve gëzimin e Ungjillit. Jemi thirrur për këtë: për ta përjetuar të Ngjallurin dhe për ta ndarë me të tjerët; për ta rrokullisur atë gur nga varri, në të cilin ne vetë e vulosëm shpesh Zotin, për të përhapur gëzimin e tij në botë. Le ta nxjerrim Jezusin, të Gjallin, nga varret ku e mbyllëm; ta çlirojmë nga formalitetet, në të cilat shpesh e burgosëm; të zgjohemi nga dremitja e jetës së qetë, në të cilën ndonjëherë e kemi shtrirë, që të mos na shqetësojë dhe të mos na e prishë rehatinë. Ta sjellim në jetën e përditshme: me gjeste paqeje, në këtë kohë të pushtuar nga tmerret e luftës; me vepra pajtimi, në marrëdhëniet e copëtuara; me dhembshuri në mes të trishtimit; me veprime drejtësie, në mes të pabarazive; me të  vërtetën, në mes të gënjeshtrave. Dhe mbi të gjitha, me vepra dashurie dhe vëllazërimi.

Vëllezër dhe motra, shpresa jonë quhet Jezus. Ai hyri në varrin e mëkatit tonë, arriti në pikën më të largët, ku kishim humbur, eci nëpër lëmishtet e frikës sonë, mbajti barrën e shtypjes sonë dhe, nga honet më të errëta të vdekjes sonë, na solli përsëri në jetë, e vajtimin tonë e shndërroi në valle. T’i festojmë, pra, Pashkët me Krishtin! Ai është gjallë e edhe sot kalon, shndërron e çliron. Me Të, e keqja nuk ka më pushtet, dështimi nuk mund të na pengojë të fillojmë nga e para, vdekja bëhet kalim për fillimin e një jete të re. Sepse me Jezusin, të Ngjallurin, asnjë natë nuk është e pafundme; e edhe edhe në terrin më të dendur,  shkëlqen ylli i mëngjesit.

Marrë nga (Radio Vatikani)

Na ndiqni

1,210FansLike
252FollowersFollow
126FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme