19.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Të qëndrosh i lirë është e mundimshme, por nuk është...
HomeKryesorPapa Françesku: Të qëndrosh i lirë është e mundimshme, por nuk është...

Papa Françesku: Të qëndrosh i lirë është e mundimshme, por nuk është e pamundur

Nuk mund të kalojmë nga liria që na ka sjellë Jezusi në skllavërinë e mëkatit dhe të legalizmit. Papa Françesku e pohon këtë në Audiencën e Përgjithshme kushtuar temës së lirisë, fryt i kryqit të Krishtit. Një predikim që pengon lirinë në Krishtin nuk është ungjillor, thekson Papa, i cili spikat në dhuratën prej anës së Zotit dhe në të vërtetën, dy shtyllat themelore të lirisë së krishterë.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

E mërkurë, 6 tetor 2021

Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 10. Krishti na liroi

Vëllezër e motra, mirëdita!

Rimarrim sot reflektimin tonë mbi Letrën drejtuar Galatasve. Në të, shën Pali ka shkruar fjalë të pavdekshme për lirinë e krishterë. Çfarë është liria e krishterë? Sot do të përqendrohemi mbi këtë temë: liria e krishterë.

Liria është një thesar që vlerësohet përnjëmend vetëm atëherë kur humbet. Për shumëkënd prej nesh, të mësuar me të jetuarit në liri, shpesh duket më shumë si një e drejtë e fituar sesa si një dhuratë dhe një trashëgimi që duhet ruajtur. Sa shumë keqkuptime ka rreth temës së lirisë dhe sa shumë vizione të ndryshme janë përplasur gjatë shekujve!

Në rastin e galatasve, Apostulli nuk mund të duronte që ata të krishterë, pasi kishin njohur dhe pranuar të vërtetën e Krishtit, të tërhiqeshin nga propozime mashtruese, duke kaluar nga liria në skllavëri: nga prania liruese e Jezusit në skllavërinë e mëkatit, të legalizmit e kështu me radhë. Edhe sot legalizmi është problemi ynë, i shumë të krishterëve që strehohen në legalizëm, në kazuistikë. Prandaj Pali i fton të krishterët të qëndrojnë të palëkundur në lirinë që kanë marrë me Pagëzim, pa lejuar që të bien përsëri nën «zgjedhën e skllavërisë» (Gal 5,1). Ai është me të drejtë xheloz i lirisë. Është i vetëdijshëm se disa «vëllezër të rremë» – siç i quan ai – janë futur në bashkësi për të «cenuar – kështu shkruan ai – lirinë që na e jep Jezu Krishti, për të na bërë skllevër» (Gal 2,4), për t’u kthyer prapa, dhe Pali nuk mund ta tolerojë këtë. Një predikim që do të përjashtonte lirinë në Krishtin nuk do të ishte kurrë ungjillor: mbase do të ishte pelagjian ose gjansenist ose diçka e tillë, por jo ungjillor. Nuk mund të detyrojmë kënd askurrë në emër të Jezusit, nuk mund ta bëjmë askënd skllav në emër të Jezusit që na bën të lirë. Liria është një dhuratë që na është dhënë në Pagëzim.

Por mësimi i shën Palit mbi lirinë është mbi të gjitha pozitiv. Apostulli parashtron mësimin e Jezusit, të cilin e gjejmë edhe në Ungjillin e Gjonit: «Nëse do ta mbani fjalën time, vërtet do të jeni nxënësit e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë» (8,31-32). Prandaj thirrja është mbi të gjitha të qëndrojmë në Jezusin, burim i së vërtetës që na liron. Prandaj, liria e krishterë bazohet në dy shtylla themelore: së pari, hiri i Zotit Jezus; së dyti, e vërteta që Krishti na zbulon dhe që është ai vetë.

Para së gjithash është një dhuratë e Zotit. Liria që morën galatasit – dhe ne sikurse ata me Pagëzim – është fryt i vdekjes dhe i ngjalljes së Jezusit. Apostulli e përqendron të gjithë predikimin e tij mbi Krishtin, i cili e liroi atë nga lidhjet me jetën e tij të kaluar: vetëm prej tij lindin frytet e jetës së re sipas Shpirtit. Njëmend, liria më e vërtetë, ajo nga skllavëria e mëkatit, rrjedh nga Kryqi i Krishtit. Ne jemi të lirë nga skllavëria e mëkatit për hir të kryqit të Krishtit. Pikërisht atje ku Jezusi lejoi që të gozhdohej, ta bëjë veten skllav, Hyji përftoi burimin e lirimit të njeriut. Kjo nuk pushon së mahnituri: që vendi ku ne jemi të zhveshur nga çdo liri, domethënë vdekja, mund të bëhet burim lirie. Por ky është misteri i dashurisë së Hyjit: nuk kuptohet lehtë, por jetohet. Vetë Jezusi e kishte lajmëruar atë kur tha: «Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë» (Gjn 10,17-18). Jezusi njëmendëson lirinë e tij të plotë në të dorëzuarit vdekjes; ai e di se vetëm në këtë mënyrë mund të fitojë jetën për të gjithë.

Ne e dimë se Pali e kishte përjetuar personalisht këtë mister të dashurisë. Për këtë arsye ai u thotë galatasve, me një shprehje jashtëzakonisht të guximshme: «U kryqëzova bashkë me Krishtin» (Gal 2,19). Në atë akt të bashkimit suprem me Zotin, ai e di se ka marrë dhuratën më të madhe të jetës së tij: lirinë. Mbi Kryq, në të vërtetë, ai ka gozhduar «mishin me prirjet dhe dëshirat e tij» (5,24). Ne e kuptojmë se sa e madhe ishte feja që e gjallëronte Apostullin, sa i madhe ishte afrimiteti i tij me Jezusin dhe ndërsa, nga njëra anë, ne e ndjejmë se na mungon kjo, nga ana tjetër, dëshmia e Apostullit na jep zemër të ecim përpara në këtë jetë të lirë. I krishteri është i lirë, ai duhet të jetë i lirë dhe është i thirrur të mos kthehet në skllavërinë e urdhërimeve, të gjërave të çuditshme.

Shtylla e dytë e lirisë është e vërteta. Edhe në këtë rast është e nevojshme të kujtoni se e vërteta e fesë nuk është një teori abstrakte, por realiteti i Krishtit të gjallë, i cili prek drejtpërdrejt kuptimin e përditshëm dhe të përgjithshëm të jetës personale. Sa shumë njerëz ka që nuk kanë studiuar, as nuk dinë shkrim e këndim, por e kanë kuptuar mirë mesazhin e Krishtit, e kanë këtë urti që i bën të lirë. Është urtia e Krishtit që hyri përmes Shpirtit Shenjt me Pagëzim. Sa njerëz ne shohim që e jetojnë jetën e Krishtit më shumë se teologët e mëdhenj për shembull, duke ofruar një dëshmi të madhe të lirisë së Ungjillit. Liria liron në masën me të cilën e shndërron jetën e një personi dhe e drejton drejt së mirës. Për të qenë vërtet të lirë, ne kemi nevojë jo vetëm që të njohim veten, në një nivel psikologjik, por mbi të gjitha të zbatojmë të vërtetën brenda vetes, në një nivel më të thellë. Aty, në zemër, t’i hapemi hirit të Krishtit. E vërteta duhet të na shqetësojë – le të kthehemi te kjo fjalë aq e krishterë: shqetësimi. Ne e dimë se ka të krishterë që nuk shqetësohen kurrë: jetojnë gjithmonë njësoj, nuk lëviz gjë në zemrën e tyre, mungon shqetësimi. Përse? Sepse shqetësimi është sinjali që Shpirti Shenjt po punon brenda nesh dhe liria është një liri aktive, e nxitur nga hiri i Shpirtit Shenjt. Për këtë arsye unë them se liria duhet të na shqetësojë, ajo duhet të na bëjë vazhdimisht pyetje, në mënyrë që të shkojmë gjithnjë e më thellë në atë që jemi në të vërtetë. Në këtë mënyrë zbulojmë se rruga e së vërtetës dhe e lirisë është një rrugë e lodhshme që zgjat gjithë jetën. Është e mundimshme të qëndrosh i lirë, është e mundimshme; por nuk është e pamundur. Merrni zemër, le të vazhdojmë kështu, do të na bëjë mirë. Është një udhëtim në të cilin na udhëheq dhe na mbështet Dashuria që vjen nga Kryqi: Dashuria që na zbulon të vërtetën dhe që na jep lirinë. Kjo është rruga e lumturisë. Liria na bën të lirë, na bën të hareshëm, na bën të lumtur.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme