10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: të përpiqemi për një jetë të drejtë, sipas planeve të...
HomeKryesorPapa Françesku: të përpiqemi për një jetë të drejtë, sipas planeve të...

Papa Françesku: të përpiqemi për një jetë të drejtë, sipas planeve të Zotit

Në audiencën e parë të përgjithshme të Kohës së Ardhjes, Papa Françesku vijoi katekizmin kushtuar Shën Jozefit, duke u ndalur në “fejesën” e tij me Marinë, ashtu siç e përshkruan shën Mateu ungjilltar. Ati i Shenjtë deshi kështu t’u drejtohej të gjitha çifteve të fejuara të krishtera, të cilat mund të marrin shembull nga fati i Shën Marisë. Papa kujtoi se Maria, “para se të shkonin për të jetuar së bashku, mbeti shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt” e Jozefi, duke mos dashur ta kthente mbrapsht, “vendosi ta linte fshehurazi”. Siç e dimë të gjithë, më pas, vjen engjëlli për ta qetësuar, për t’i thënë të mos ketë frikë ta marrë me vete, sepse çka mbante në kraharor ishte fryt i Shpirtit Shenjt.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME:

Katekeza mbi shën Jozefin – 3. Jozefi, njeri i drejtë dhe fati i Marisë

Audienca e Përgjithshme e paradites së sotme u zhvillua në orën 9.00 në sallën Pali VI, ku Papa Françesku takoi grupe shtegtarësh dhe besimtarësh nga Italia dhe nga e gjithë bota.

Në fjalimin e tij në italisht, Papa, duke vazhduar ciklin e ri të katekezave mbi shën Jozefin, e përqendroi reflektimin e tij mbi temën: Jozefi, njeri i drejtë dhe fati i Marisë (krh. Leximi: Mt 1,18-19).

Pasi përmblodhi katekezën e tij në gjuhë të ndryshme, Ati Shenjt u drejtoi grupeve të besimtarëve të pranishëm përshëndetje të veçanta. Ai bëri një apel me rastin e Ditës Botërore kundër SIDA-s që kujtohet sot dhe një ftesë për lutje për udhëtimin e tij në Qipro dhe Greqi që fillon nesër.

Katekeza e plotë

Vëllezër e motra, mirëdita!

Vazhdojmë rrugëtimin tonë të reflektimit mbi figurën e shën Jozefit. Sot do të doja të thelloheshim mbi të qenurit e tij “i drejtë” dhe “i fejuar i Marisë”, dhe kështu të jepja një mesazh për të gjithë të fejuarit, edhe për të sapomartuarit. Shumë ngjarje që lidhen me Jozefin gjenden te historitë e ungjijve apokrifë, domethënë jokanonikë, të cilët kanë ndikuar edhe në art dhe në vende të ndryshme kulti. Këto shkrime që nuk janë në Bibël – janë histori të devotshmërisë së krishterë të asaj kohe – i përgjigjen dëshirës për të mbushur boshllëqet narrative të Ungjijve kanonikë, të atyre që janë në Bibël, të cilët na japin gjithçka që është thelbësore për fenë dhe jetën e krishterë.

Mateu Ungjilltar. Kjo është e rëndësishme: çfarë thotë Ungjilli për Jozefin? Jo çfarë thonë këta ungjij apokrifë, të cilët nuk janë diçka e shëmtuar apo e keqe; ato janë të bukur, por nuk janë Fjala e Hyjit. Ndërsa Ungjijtë, të cilët janë në Bibël, janë Fjala e Hyjit. Midis tyre është Mateu ungjilltar, i cili e përkufizon Jozefin si një njeri “të drejtë”. Le të dëgjojmë historinë e tij: «Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt. Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi»(1,18-19). Kjo për arsye se i fejuari, kur e fejuara nuk ishte besnike ose mbetej shtatzënë, duhej ta denonconte! Dhe gratë në atë kohë vriteshin me gurë. Por Jozefi ishte i drejtë. Ai thotë: «Jo, nuk do ta bëj këtë. Po hesht».

Për të kuptuar sjelljen e Jozefit ndaj Marisë, është me dobi të kujtojmë zakonet martesore të Izraelit të lashtë. Martesa përfshinte dy faza të përcaktuara mirë. E para ishte si një fejesë zyrtare, e cila tashmë sillte një situatë të re: veçanërisht e fejuara, ndërsa vazhdonte të jetonte në shtëpinë atërore edhe për një vit, faktikisht konsiderohej “gruaja” e të fejuarit. Ata nuk jetonin ende bashkë, por ishte sikur ajo të ishte gruaja e tij. Akti i dytë ishte kalimi i nuses nga shtëpia atërore në shtëpinë e dhëndrit. Kjo bëhej me një kortezh festiv, i cili plotësonte martesën; dhe mikeshat e nuses e shoqëronin atje. Sipas këtyre zakoneve, fakti që «përpara se të jetonin së bashku, Maria u gjend shtatzënë» e shpërfaqte Virgjërën para akuzës për tradhti. Dhe ky faj, sipas Ligjit të lashtë, duhej të dënohej me vrasje me gurë (krh. Lp 22, 20-21). Megjithatë, në praktikën e mëvonshme judaike kishte zënë vend një interpretim më i moderuar që caktonte vetëm aktin e lëshimit me pasoja civile dhe penale për gruan, por jo vrasje me gurë.

Ungjilli thotë se Jozefi ishte «i drejtë» pikërisht sepse i nënshtruar para ligjit si çdo izraelit i devotshëm. Por brenda tij dashuria për Marinë dhe besimi që ka tek ajo i sugjerojnë atij një mënyrë që i shpëton zbatimit të ligjit dhe ruan nderin e nuses: ai vendos ta lëshojë atë në fshehtësi, pa bujë, pa e nënshtruar para një poshtërimi publik. Ai zgjedh rrugën e të qenurit i rezervuar, pa hapur proces dhe pa kërkuar zhdëmtim. Sa shumë shenjtëri ka te Jozefi! Ne, sapo kemi marrë një lajm pak si folklorik ose disi të keq për dikë, menjëherë e fjalosim me të madhe! Ndërsa Jozefi hesht.

Por Mateu ungjilltar menjëherë shton: «Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij”» (1,20-21). Zëri i Hyjit ndërhyn në shoshitjen e Jozefit dhe, nëpërmjet një ëndrre, i zbulon atij një kuptim më të madh se vetë drejtësia e tij. Sa e rëndësishme është që secili prej nesh të kultivojë një jetë të drejtë dhe në të njëjtën kohë të ndiejë gjithmonë nevojë për ndihmën e Hyjit! Në mënyrë që të zgjerojmë horizontet tona dhe t’i çmojmë rrethanat e jetës nga një këndvështrim tjetër, më i gjerë. Shumë herë ndihemi të burgosur të asaj që na ndodh: «Pa shiko ç’më gjeti!» dhe ngelemi të burgosur të asaj të keqeje që na ka ndodhur; por pikërisht përballë disa rrethanave të jetës, që fillimisht na duken dramatike, fshihet një provani që me kalimin e kohës merr formë dhe ndriçon me kuptim edhe dhimbjen që na ka goditur. Tundimi është të mbyllemi në atë dhimbje, në atë mendim për gjërat jo të bukura që na kanë ndodhur. Kjo nuk është gjë e mirë. Kjo na çon në trishtim dhe hidhërim. Zemra e hidhëruar është aq e pahijshme.

Unë do të doja që ne të ndaleshim dhe të reflektojmë mbi një detaj të kësaj historie të treguar nga Ungjilli që shpeshherë e anashkalojmë. Maria dhe Jozefi janë dy të fejuar që me shumë gjasë kanë kultivuar ëndrra dhe pritshmëri për jetën dhe të ardhmen e tyre. Hyji duket se futet si një i papritur në historinë e tyre dhe, megjithëse me një vështirësi fillestare, të dy i hapin fort zemrat e tyre ndaj realitetit që vihet përpara tyre.

Të dashur vëllezër dhe motra, shpeshherë jeta jonë nuk është ashtu siç e imagjinojmë. Sidomos në marrëdhëniet e dashurisë, ngrohtësisë, e kemi të vështirë të kalojmë nga logjika e dashurimit në atë të dashurisë së pjekur. E pra, duhet kaluar nga dashurimi në dashuri të pjekur. Ju të sapomartuar, mendojeni mirë këtë. Faza e parë është gjithmonë e shënuar nga një magjepsje e caktuar, e cila na bën të jetojmë të zhytur në një përfytyrim që shpeshherë nuk përkon me realitetin e fakteve. Por pikërisht kur dashurimi me pritjet e tij duket se përfundon, atëherë mund të fillojë dashuria e vërtetë. Në të vërtetë, të duash nuk do të thotë të presësh që tjetri ose jeta të përkojë me përfytyrimin tonë; përkundrazi, do të thotë të zgjedhësh, në liri të plotë, për të marrë përgjegjësinë për jetën ashtu siç na ofrohet. Ja pse Jozefi na jep një mësim të rëndësishëm, ai e zgjedh Marinë “jo symbyllazi”. Dhe mund të themi se e zgjedh me të gjitha rreziqet. Mendoni sesi, në Ungjillin e Gjonit, mësuesit e ligjit e qortojnë Jezusin duke i thënë: «Ne s’kemi lindur nga fëlligështia», duke iu referuar lavirësisë. Kjo për faktin se ata e dinin se si mbeti shtatzënë Maria dhe donin të hidhnin baltë mbi nënën e Jezusit. Për mua ky është pasazhi më i ndyrë, më djallëzor në Ungjill. Dhe ajo çfarë rrezikon Jozefi bëhet mësim për ne: ai e merr jetën ashtu siç i vjen. A ndërhyri Zoti në atë pikë? Unë do ta marr atë. Dhe Jozefi bëri sikurse i urdhëroi engjëlli i Zotit: Njëmend, Ungjilli thotë: «Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. E, pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus». (Mt 1,24-25). Të fejuarit e krishterë janë thirrur të dëshmojnë një dashuri të tillë, e cila ka guximin të kalojë nga logjika e dashurimit në atë të dashurisë së pjekur. Kjo është një zgjedhje kërkuese, e cila në vend qe ta burgosë jetën, mund ta forcojë dashurinë që të qëndrojë përballë sprovave të kohës. Dashuria e një çifti ecën para në jetë dhe piqet çdo ditë. Dashuria në fejesë është pak – ma lejoni fjalën -, pak romantike. Ju e keni jetuar të gjithën, por më pas fillon dashuria e pjekur, e përditshmja, puna, ardhja e fëmijëve. Dhe ndonjëherë ai romantizëm zhduket pak. Po, a nuk ka dashuri? Po, por dashuri e pjekur. «Po, at’, ne zihemi ndonjëherë…». Kjo ka ndodhur që nga koha e Adamit dhe Evës e deri më sot: se grindja e bashkëshortëve është buka jonë e përditshme. «Po, a nuk duhet të zihemi?». Po, është e mundur. «Eh, at’, ndonjëherë ne ngremë zërin» – «Ndodh». «Dhe ndonjëherë fluturojnë pjatat» – «Ndodh». Po, si t’ia bëjmë që kjo të mos e dëmtojë jetën martesore? Dëgjoni me kujdes: mos e mbyllni kurrë ditën pa bërë paqe. Jemi grindur, të kam thënë fjalë të këqija, Zoti im, të kam thënë fjalë pa hije. Por tani dita po mbyllet: duhet të bëj paqe. A e dini pse? Sepse lufta e ftohtë e të nesërmes është shumë e rrezikshme. Mos lejoni që të nesërmen të fillojë lufta. Për këtë arsye bëni paqe para se të flini. Kujtojeni gjithmonë: mos e përfundoni kurrë ditën pa bërë paqe. Kjo gjë do t’ju ndihmojë në jetën martesore. Ky rrugëtim nga dashurimi në dashurinë e pjekur është një zgjedhje kërkuese, por ne duhet të ecim asaj rruge.

Edhe kësaj here po e mbyllim me një lutje drejtuar shën Jozefit.

Shën Jozef,

ti që e deshe Marinë me liri,

dhe zgjodhe të heqësh dorë nga përfytyrimi yt për t’i bërë vend realitetit,

ndihmoje secilin prej nesh që të lejojë të befasohet nga Hyji

dhe për ta pranuar jetën jo si një gjë e papritur nga e cila duhet mbrojtur,

por si një mister që fsheh sekretin e gëzimit të vërtetë.

Nxirr për të gjithë të fejuarit e krishterë gëzim dhe gjëra që kanë themel,

por gjithmonë duke pasur vetëdijen se vetëm mëshira dhe falja

e bëjnë të mundur dashurinë. Amen!

Përkthyer nga Vatican Press

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme