15.5 C
Tirana
HomeKISHPapa Françesku: Shenjtëria vjen nga Shpirti, jo nga fundamentalizmat
HomeKISHPapa Françesku: Shenjtëria vjen nga Shpirti, jo nga fundamentalizmat

Papa Françesku: Shenjtëria vjen nga Shpirti, jo nga fundamentalizmat

Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, në Vatikan, Papa Françesku na kujton se duhet të ruhemi nga ngurtësia e nga ashpërsia.
Ndodh shpesh edhe sot, çka u ndodhi galatasve, kur patën fatin t’u fliste Shën Pali: “Edhe sot vjen e na i shurdhon veshët ndokush, që thotë: ‘Jo, shenjtëria është pikërisht në këto rregulla, në këto ligje, në këto gjëra … duhet të bëni këtë e atë …e na predikojnë një besim të ngurtë, me një ngurtësi, e cila na e heq atë liri në Shpirtin Shenjt, që është dhanti e ngjalljes së Krishtit: kujdes! Pas çdo ngurtësie, fshihet diçka e shëmtuar e jo Shpirti i Zotit!”.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME:

E mërkurë, 1 shtator 2021

Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 7. Galatas të pamendë

Vëllezër e motra, mirëdita!

Ne do të vazhdojmë me shpjegimin e Letrës së shën Palit drejtuar Galatasve. Ky shpjegim nuk është një gjë e re, jo diçka e imja: ajo që ne po studiojmë është ajo që thotë shën Pali në një konflikt shumë serioz me galatasit. Është gjithashtu Fjala e Hyjit, sepse gjendet në Bibël. Këto nuk janë gjëra që dikush i sajon: jo. Është diçka që ka ndodhur në atë kohë dhe mund të përsëritet. E njëmend, ne kemi parë që kjo gjë është përsëritur në histori. Kjo është thjesht një katekezë mbi Fjalën e Hyjit të shprehur në Letrën e Palit drejtuar Galatasve: nuk është gjë tjetër. Kjo duhet mbajtur gjithmonë parasysh. Në katekezat e mëparshme kemi parë sesi Pali apostull u tregon të krishterëve të parë të Galacisë se sa e rrezikshme është të heqin dorë nga rruga ku kanë filluar të ecin duke pranuar Ungjillin. Në të vërtetë, rreziku është ai i rënies në formalizëm, i cili është një nga tundimet që na shpie në hipokrizi, për të cilën folëm herën tjetër. Rënia, pra, në formalizëm dhe mohimi i dinjitetit të ri që kanë marrë: dinjitetit të të qenurit të shëlbuar nga Krishti. Me tekstin që sapo dëgjuam fillon pjesa e dytë e Letrës. Deri tani, Pali ka folur për jetën e tij dhe thirrjen e tij: se si hiri i Hyjit e ka shndërruar ekzistencën e tij, duke e vënë atë plotësisht në shërbim të ungjillëzimit. Në këtë pikë, ai i pyet drejtpërdrejt galatasit: ai i vendos ata para zgjedhjeve që kanë bërë dhe gjendjes së tyre aktuale, e cila mund ta çojë dëm përvojën e hirit të jetuar.

Termet me të cilat Apostulli u drejtohet galatasve sigurisht që nuk tregojnë mirësjellje: ne e kemi dëgjuar atë. Në Letrat e tjera është e lehtë të ndeshësh shprehjen “vëllezër” ose “ fort të dashur”, por jo këtu. Sepse ai është i zemëruar. Ai flet në mënyrë të përgjithshme “galatas” dhe i quan dy herë “të pamendë”, e nuk është një term mirësjelljeje. Të pamendë, të marrë dhe shumë gjëra të tjera që mund të thotë … Ai flet kështu jo sepse ata nuk janë inteligjentë, por sepse, pothuajse pa e kuptuar, rrezikojnë të humbasin atë fe në Krishtin që e kanë pranuar me aq entuziazëm. Ata janë të pamendë sepse nuk e kuptojnë që rreziku është ai i humbjes së visarit të çmuar, i bukurisë së risisë së Krishtit. Çudia dhe trishtimi i Apostullit janë të dukshme. Jo pa hidhërim, ai i shtyn ata të krishterë të kujtojnë kumtimin e parë të kryer prej tij, me të cilin ai u ofroi atyre mundësinë për të fituar një liri deri asokohe të pashpresuar.

Apostulli u drejton galatasve disa pyetje me qëllim që t’i shkundë ndërgjegjet e tyre: kjo është arsyeja pse ai është kaq i fortë. Bëhet fjalë për pyetje retorike, sepse galatasit e dinë fare mirë se ardhja e tyre në besimin në Krishtin është fryt i hirit të marrë me predikimin e Ungjillit. I çon ata në fillimin e thirrjes së krishterë. Fjala që kishin dëgjuar nga Pali përqendrohej në dashurinë e Hyjit, e dëftuar plotësisht në vdekjen dhe ngjalljen e Jezusit. Pali nuk mund të gjente një shprehje tjetër më bindëse sesa ajo që, me shumë gjasë, ua kishte përsëritur atyre disa herë në predikimin e tij: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua” (Gal 2,20). Pali nuk donte t’ia dinte për asgjë tjetër përveçse për Krishtin e kryqëzuar (krh. 1 Kor 2,2). Galatasit duhet ta hedhin shikimin kah kjo ngjarje, pa lejuar që të shpërqendrohen nga kumtime të tjera. Me pak fjalë, qëllimi i Palit është t’i zërë ngusht të krishterët në mënyrë që ata të kuptojnë se çfarë rrezikojnë dhe të mos e lënë veten të magjepsen nga zëri i shtojzovalleve që duan t’i çojnë ata në një religjiozitet të bazuar vetëm në zbatimin e përpiktë të urdhërimeve. Sepse ata, këta predikues të rinj që mbërritën në Galaci, i bindën të krishterët se duhej të ktheheshin prapa e të merrnin edhe urdhërimet që zbatoheshin dhe që çonin në përsosmëri para ardhjes së Krishtit, që është falasshmëria e shpëtimit.

Galatasit, nga ana tjetër, e kuptonin mjaft mirë se kujt i referohej Apostulli. Ata sigurisht se kishin bërë përvojë me veprimin e Shpirtit Shenjt nëpër bashkësi: ashtu si në Kishat e tjera, edhe në mesin tyre ishin shfaqur dashuria dhe karizma të tjera të ndryshme. Të zënë ngusht, ata duhet të përgjigjen domosdoshmërisht se ajo që përjetuan ishte fryt i risisë së Shpirtit. Kështu që, në fillim të ardhjes së tyre në fe gjendej nisma e Hyjit, jo ajo e njerëzve. Shpirti Shenjt kishte qenë protagonisti i përvojës së tyre; prandaj, ta vendosësh atë në plan të dytë për t’i dhënë përparësi veprave vetjake – domethënë përmbushjes së rregulloreve të Ligjit – do të ishte marrëzi. Shenjtëria vjen nga Shpirti Shenjt dhe është falasshmëria e shëlbimit: kjo na shfajëson.

Në këtë mënyrë, shën Pali na fton edhe ne që të reflektojmë: si e jetojmë fenë? A mbetet dashuria e Krishtit të kryqëzuar dhe të ngjallur në qendër të jetës sonë të përditshme si burim shpëtimi, apo kënaqemi me ndonjë formalitet fetar për të rehatuar ndërgjegjen tonë? Si e jetojmë ne besimin? A jemi të lidhur me visarin e çmuar, me bukurinë e risisë së Krishtit, apo preferojmë diçka që na tërheq për momentin, por pastaj na lë bosh brenda? Gjërat kalimtare shpesh trokasin në derën e ditëve tona, por është një iluzion i trishtuar, i cili na bën të biem në sipërfaqësi dhe na pengon të dallojmë atë që vërtet ia vlen të jetohet. Vëllezër dhe motra, le të qëndrojmë prapëseprapë të palëkundur në sigurinë që, edhe kur tundohemi që të largohemi, Hyji vazhdon përsëri të japë me bollëk dhuratat e tij. Gjithmonë gjatë historisë, edhe sot, ndodhin gjëra që ngjajnë me atë që u ndodhi galatasve. Edhe sot disa na i fryjnë veshët duke thënë: “Jo, shenjtëria qëndron në këto urdhra, në këto gjëra, duhet të bëni këtë gjë apo atë gjë”, dhe na propozojnë një religjiozitet të ngurtë, ngurtësinë që na heq atë liri në Shpirtin Shenjt që jep shëlbimi i Krishtit. Bëni kujdes përballë ngurtësisë që ju propozojnë: jini të vëmendshëm. Sepse pas çdo ngurtësie ka diçka të shëmtuar, nuk është Shpirti i Hyjit. Për këtë arsye, kjo Letër do të na ndihmojë që të mos i dëgjojmë këto propozime disi fondamentaliste të cilat na kthejnë prapa në jetën tonë shpirtërore dhe do të na ndihmojë të ecim përpara në thirrjen pashkore të Jezusit. Kjo është ajo që Apostulli ua përsërit galatasve, duke kujtuar se Ati “jep Shpirtin Shenjt me bollëk dhe bën ndër ju vepra të mrekullueshme” (3,5). Ai flet në të tashmen, nuk thotë “Ati e ka dhënë Shpirtin me bollëk”, kapitulli 3, vargu 5, jo: ai thotë “jep”; nuk thotë “ka bërë”, jo: por “bën”. Sepse, pavarësisht të gjitha vështirësive që mund t’i vëmë para veprimit të tij, dhe pavarësisht mëkateve tona, Hyji nuk na braktis, por mbetet me ne me dashurinë e tij të mëshirshme. Hyji është gjithmonë pranë nesh me mirësinë e tij. Është si ai ati që ngjitej në tarracë çdo ditë për të parë nëse djali i tij po kthehej: dashuria e Atit nuk njeh lodhje kundrejt nesh. Le ta kërkojmë urtinë për ta vënë re gjithmonë këtë realitet dhe t’i largojmë fondamentalistët që na ofrojnë një jetë asketizmi artificial, larg nga ngjallja e Krishtit. Askeza është e nevojshme, por një askezë e urtë, jo artificiale.

Marrë nga Vatican.Va

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme