-0.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Pleqëria kërkon dinjitet, jo vetëm plane ndihme, po ndihmë jete
HomeKryesorPapa Françesku: Pleqëria kërkon dinjitet, jo vetëm plane ndihme, po ndihmë jete

Papa Françesku: Pleqëria kërkon dinjitet, jo vetëm plane ndihme, po ndihmë jete

Materiale për t’u hedhur, viktima të një pandemie, e cila i bëri t’i paguajnë “haraçin më të lartë” një kulture, që interesohet vetëm për prodhimin e i shikon pleqtë si barrë. Ndërsa janë “bekim për shoqërinë”. Si e përfundoi ciklin e katekizmave kushtuar Shën Jozefit, Papa Françesku nisi një cikël të ri, kushtuar kuptimit dhe vlerës së pleqërisë, me synimin që të kuptohet mirë pasuria e kësaj kategorie e të inkurajojë dialogun me të rinjtë, duke shmangur rrezikun që të rinjtë të hutohen e pleqtë t’i lëshojë zemra.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Kemi mbaruar katekezat mbi shën Jozefin. Sot fillojmë një rrugëtim katekezash që kërkon frymëzim në Fjalën e Hyjit mbi kuptimin dhe vlerën e pleqërisë. Do të reflektojmë mbi pleqërinë. Prej disa dekadash, kjo moshë e jetës ka të bëjë me një “popull të ri” të mirëfilltë, që janë të moshuarit. Nuk kemi qenë asnjëherë kaq të shumtë në historinë njerëzore. Rreziku për t’u skartuar është edhe më i shpeshtë: asnjëherë aq të shumtë sa tani, por asnjëherë si tani rreziku për t’u skartuar. Të moshuarit shpesh shihen si “një barrë”. Në fazën e parë dramatike të pandemisë, ishin ata që paguan çmimin më të lartë. Ata tashmë ishin pjesa më e dobët dhe më e lënë pas dore: sa ishin gjallë nuk ua hodhëm shumë sytë, e nuk i pamë as të vdisnin. Kam gjetur edhe këtë Kartë për të drejtat e të moshuarve dhe detyrat e komunitetit: kjo është hartuar nga qeveritë, nuk është hartuar nga Kisha, është një gjë laike: është e mirë, është interesante, për të mësuar se të moshuarit kanë të drejta. Do të bëni mirë ta lexoni.

Pleqëria, së bashku me migrimin, është ndër çështjet më urgjente me të cilat familja njerëzore është e thirrur të përballet në këtë kohë. Nuk bëhet fjalë vetëm për një ndryshim sasior; është në rrezik uniteti i moshave të jetës: domethënë pika reale e referimit për të kuptuarit dhe vlerësimin e jetës njerëzore në tërësinë e saj. E pyesim veten: a ka miqësi, a ka besëlidhje mes moshave të ndryshme të jetës apo mbizotëron ndarja dhe skartimi?

Të gjithë jetojmë në një të tashme ku bashkëjetojnë fëmijët, të rinjtë, të rriturit dhe të moshuarit. Megjithatë, proporcioni ka ndryshuar: jetëgjatësia është bërë masive dhe, në rajone të mëdha të botës, fëmijëria shpërndahet në doza të vogla. Kemi folur edhe për dimrin demografik. Një çekuilibër që ka shumë pasoja. Kultura mbizotëruese ka si model të vetëm të riun-madhor, pra një individ që vetë-bëhet dhe mbetet gjithmonë i ri. Por a është e vërtetë që rinia përmban kuptimin e plotë të jetës, ndërsa pleqëria thjesht përfaqëson boshatisjen dhe humbjen e saj? Është e vërtetë? Vetëm rinia e ka kuptimin e plotë të jetës, dhe pleqëria është boshatisja e jetës, humbja e jetës? Lartësimi i rinisë si e vetmja moshë e denjë për të mishëruar idealin njerëzor, krahas me përçmimin e pleqërisë që shihet si brishtësi, si degradim apo paaftësi, ka qenë ikona mbizotëruese e totalitarizmave të shekullit të njëzetë. E kemi harruar këtë?

Zgjatja e jetës ka një ndikim strukturor në historinë e individëve, familjeve dhe shoqërive. Por duhet të pyesim veten: a janë objekt i mendimit dhe i dashurisë, që përputhen me këtë fakt, cilësia shpirtërore e jetës dhe ndjenja bashkësiore e saj? A thua të moshuarit duhet të kërkojnë falje për ngulmimin e tyre për të mbijetuar me çmim që paguajnë të tjerët? Apo mund të nderohen për dhuratat që sjellin për kuptimin e jetës së secilit? Në fakt, në përfaqësimin e kuptimit të jetës – dhe pikërisht në të ashtuquajturat kultura të “zhvilluara” – pleqëria ka pak ndikim. Pse? Sepse çmohet si një moshë që nuk ka përmbajtje të veçanta për të ofruar, as domethënie të veta për të përjetuar. Për më tepër, mungon inkurajimi nga njerëzit për t’i kërkuar ato, dhe mungon edukimi nga komuniteti për t’i pranuar ato. Me një fjalë, për një moshë që tashmë është një pjesë vendimtare e hapësirës bashkësiore dhe shtrihet në një të tretën tërë jetës [së dikujt], ka – nganjëherë – plane ndihme, por jo projekte ekzistence. Plane të ndihmës, po; por nuk ka projekte për të bërë që ata ta jetojnë jetën në plotësi. Dhe kjo është një zbrazëti e mendimit, e imagjinatës, e krijimtarisë. Sipas këtij mendimi, ajo që krijon boshllëkun është se i moshuari, e moshuara janë materiale skartimi: në këtë kulturë të skartimit, të moshuarit hyjnë si material për t’u skartuar.

Rinia është shumë e bukur, por rinia e përjetshme është një halucinacion shumë i rrezikshëm. Të jesh i moshuar është po aq e rëndësishme – dhe e bukur – është po aq e rëndësishme sa të jesh i ri. Le ta kujtojmë këtë. Besëlidhja midis brezave, e cila rikthen të gjitha moshat e jetës te njerëzimi, është dhurata jonë e humbur dhe ne duhet ta rimarrim atë. Ajo duhet gjetur përsëri, në këtë kulturë të skartimit dhe në këtë kulturë të produktivitetit.

Fjala e Hyjit ka shumë për të thënë në lidhje me këtë besëlidhje. Pak më parë dëgjuam profecinë e Joelit: «Pleqtë tuaj ëndrra do të shohin, djelmoshat tuaj do të kenë vegime» (3,1). Mund të interpretohet kështu: kur të moshuarit i bëjnë rezistencë Shpirtit, duke varrosur ëndrrat e tyre në të kaluarën, të rinjtë nuk janë më në gjendje të shohin gjërat që duhen bërë për të hapur të ardhmen. Nga ana tjetër, kur të moshuarit komunikojnë ëndrrat e tyre, djelmoshat shohin mirë se çfarë duhet të bëjnë. Të rinjtë që nuk hulumtojnë më te ëndrrat e të moshuarve, duke synuar, me kokën ulur, vizione që nuk shkojnë përtej hundës së tyre, do të lodhen duke bartur të tashmen e tyre dhe duke përballuar të ardhmen e tyre. Nëse gjyshërit do të përkulen mbi melankolitë e tyre, të rinjtë do të përkulen edhe më shumë në smartfonët e tyre. Ekrani mund të mbetet i ndezur, por jeta shuhet para kohe. A nuk është pasoja më e rëndë e pandemisë pikërisht përhumbja e më të rinjve? Të moshuarit kanë burime të jetës tashmë të jetuara, të cilave mund t’u drejtohen në çdo moment. A do të shikojnë të rinjtë që humbasin vizionin e tyre apo do t’i shoqërojnë ata duke ngrohur ëndrrat e tyre? Përballë ëndrrave të të moshuarve, çfarë do të bëjnë të rinjtë?

Urtia e rrugëtimit të gjatë që shoqëron pleqërinë deri në lamtumirën e saj duhet të jetohet si një ofertë kuptimi të jetës, jo të konsumohet si inercia e mbijetesës së tij. Pleqëria, nëse nuk i kthehet dinjitetit të një jete njerëzisht të denjë, është e destinuar të mbyllet në një dëshpërim që u heq të gjithëve dashurinë. Kjo sfidë njerëzishmërie dhe qytetërimi kërkon angazhimin tonë dhe ndihmën e Hyjit. T’ia kërkojmë Shpirtit Shenjt.

Me këto katekeza mbi pleqërinë, do të doja t’i nxisja të gjithë që të investojnë mendime dhe dashuri për dhuratat që ajo sjell me vete dhe për moshat e tjera të jetës. Pleqëria është një dhuratë për të gjitha moshat e jetës. Është një dhuratë e pjekurisë, e urtisë. Fjala e Hyjit do të na ndihmojë të dallojmë kuptimin dhe vlerën e pleqërisë; Shpirti Shenjt na dhëntë edhe neve ëndrrat dhe vegimet për të cilat kemi nevojë. Dhe do të doja të theksoja, siç kemi dëgjuar në profecinë e Joelit, në fillim, se e rëndësishme nuk është vetëm që i moshuari të zërë vendin e urtisë që i përket, të historisë së jetuar në shoqëri, por që të ekzistojë gjithashtu një bashkëbisedim, që të bisedojë me të rinjtë. Të rinjtë duhet të bisedojnë me të moshuarit, dhe të moshuarit me të rinjtë. Dhe kjo urë do të jetë përçimi i urtisë te njerëzimi. Uroj që këto reflektime të jenë të dobishme për të gjithë ne, për të çuar përpara këtë realitet që thoshte Joeli profet, që në dialogun mes të rinjve dhe të moshuarve, të moshuarit të mund të japin ëndrra dhe të rinjtë t’i marrin ato dhe t’i çojnë përpara. Të mos harrojmë se si në kulturën familjare ashtu edhe në atë shoqërore, të moshuarit janë si rrënjët e pemës: aty kanë gjithë historinë dhe të rinjtë janë si lulet dhe frutat. Nëse lëngu nuk vjen – si të thuash – nga kjo “venë”, që merr nga rrënjët, ato nuk do të mund të lulëzojnë kurrë. Të mos harrojmë atë poetin që e kam cituar shumë herë: “Gjithçka e lulëzuar në pemë vjen nga ajo që është nën dhe”  (Francisco Luis Bernárdez). Gjithçka që është e bukur në një shoqëri lidhet me rrënjët e të moshuarve. Për këtë arsye, në këto katekeza do të doja që të nxirrej në pah figura e të moshuarit, që të kuptohet mirë se i moshuari nuk është material për skartim: është një bekim për një shoqëri.

Përkthyer nga Vatican Press

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme