19.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa Françesku: Pas pandemisë, të rinisim me përgjegjësi dhe pa egoizëm
HomeJeta e KishësPapa Françesku: Pas pandemisë, të rinisim me përgjegjësi dhe pa egoizëm

Papa Françesku: Pas pandemisë, të rinisim me përgjegjësi dhe pa egoizëm

Në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit Pietro Parolin, Papa Françesku bekon pjesëmarrësit e pranishëm në fillimin e Takimit të Riminit: “Është e nevojshme të sigurohen burime dhe mjete për të rivënë në lëvizje shoqërinë, por para së gjithash ka nevojë për asi që kanë guximin të thonë ‘unë’ duke komunikuar me jetë se mund të fillohet dita me shpresë”.

“Rinisje”, me një përgjegjësi kolektive dhe jo me egoizëm. Kjo është kryefjala që Papa Françesku u thotë pjesëmarrësve në edicionin e 42-të të Takimit për Miqësinë e popujve – që fillon nesër (sot), 20 gusht, në Rimini – në këtë kohë dramatike të pandemisë që ka bërë të dalë në pah egoizmi dhe idhujtaria e pushtetit dhe e parasë, por në të njëjtën kohë edhe solidariteti mes qenieve njerëzore. Në një mesazh drejtuar Imzot Françesko Lambiazit, ipeshkvit të qytetit të Riminit që ka pritur ngjarjen që nga viti 1980 (me firmën e kardinalit Sekretar i Shtetit, Pietro Parolin), përsëritet ftesa për vëllazërim dhe miqësi shoqërore për të kapërcyer vaun e krizës së shkaktuar nga Covid-19. Aty citohet Kierkegaard, shën Tomë Akuini, don Gjusani gjithashtu edhe Manzoni, dhe kujtohen fjalët e papës Benedikti XVI, kur pohonte se “liria duhet kurdoherë të fitohet përsëri për të mirën”.

Ndërmarrja e rrezikut si akt lirie

Pikërisht koncepti i lirisë, lexohet në mesazh, është i lidhur ngushtë me temën e zgjedhur për edicionin e 2021-shit mbi Takimin i cili kthehet të zhvillohet me pjesëmarrës të pranishëm deri më 25 gusht: “Guximi për të thënë unë”, marrë nga Ditari i filozofit Søren Kierkegaard. Një titull ky, vë në dukje Papa, “si asnjëherë domethënës kur bëhet fjalë për të rinisur me këmbë të mbarë, në mënyrë që të mos humbasë mundësia e dhënë nga kriza e pandemisë”. “Rinisje” që nuk ndodh automatikisht sepse, “pas çdo nismë njerëzore qëndron liria”. “Liria supozon që, në vendimet themelore, çdo njeri të jetë një fillim i ri”, pohonte Benedikti XVI, “liria duhet kurdoherë të fitohet përsëri për të mirën. Në këtë kuptim, guximi për të ndërmarrë rreziqe është para së gjithash një akt lirie”.

Drama e shpërdorimit të krizës

Mesazhi kujton fjalët e thëna nga Papa Françesku gjatë lockdown-it të parë mars-prill 2020; paralajmërimi pastaj u përsërit dhe u shtjellua në shumë forma: “Më keq se kjo krizë ekziston vetëm drama e shpërdorimit të saj”.

“Ndërsa ka imponuar distancimin fizik, pandemia e ka vënë në qendër personin, unin e secilit, duke shkaktuar në shumë raste një rizgjim të pyetjeve themelore në lidhje me kuptimin e ekzistencës dhe dobinë e të jetuarit që, për një kohë të gjatë, qëndronin të fjetura ose edhe më keq, të censuruara. Dhe gjithashtu ka ngjallur vështrimin e një përgjegjësie personale”.

Solidariteti dhe idhujtaritë

“Shumë e kanë dëshmuar në situata të ndryshme. Përballë sëmundjes dhe dhimbjes, përballë shfaqjes së një nevoje, shumë njerëz nuk u sprapsen dhe thanë: ‘Ja ku jam’”, lexohet në tekstin e firmosur nga Parolin.

Shoqëria ka një nevojë jetike për njerëz që janë prani të përgjegjshme. Pa personin nuk kemi shoqëri, por një grumbullim të rastësishëm të qenieve që nuk e dinë pse janë bashkë. I vetmi ngjitës do të mbetej egoizmi i rënies së lapsit dhe interesi i veçantë që të bën indiferent ndaj gjithçkaje dhe ndaj të gjithëve”.

Për më tepër, “idhujtaritë e pushtetit dhe të parave preferojnë të merren me individë më tepër se me persona, domethënë me një ‘unë’ të fokusuar mbi nevojat vetjake dhe mbi të drejtat subjektive sesa me një ‘unë’ të hapur për të tjerët, duke u përpjekur të formojë ‘ne’-në e vëllazërisë dhe miqësisë shoqërore”.

Tundimi për të hedhur tej personin

Papa nuk lodhet, prandaj, duke “paralajmëruar ata që kanë përgjegjësi publike kundër tundimit për të përdorur personin dhe për ta hedhur tej kur ai nuk është më i nevojshëm, në vend që t’i shërbejë atij”.

“Pas asaj që kemi përjetuar në këtë kohë, ndoshta është më e qartë për të gjithë se personi është pikërisht pika nga e cila gjithçka mund të rinisë”.

Sigurisht që është e nevojshme të “sigurohen burime dhe mjete për të rivënë në lëvizje shoqërinë”, por “para së gjithash ka nevojë për dikë që ka guximin të thotë ‘unë’ me përgjegjësi dhe jo me egoizëm, duke komunikuar me vetë jetën e tij që mund të fillohet dita me një shpresë të besueshme”.

Guximi për të kundërshtuar frikën

Mirëpo, guximi “nuk është gjithmonë një dhunti spontane dhe askush nuk mund t’ia japë vetes”, thoshte don Abondio i Manzonit, veçanërisht në një kohë si ajo e sotmja ku “frika – zbuluese e një pasigurie të thellë ekzistenciale – luan një rol kaq vendimtar sa të bllokojë kaq shumë energji dhe hove drejt së ardhmes, të perceptuar gjithnjë e më shumë si të pasigurt veçanërisht nga të rinjtë”.

Don Luigji Gjusani paralajmëronte për një rrezik të dyfishtë: “Dyshim dhe rehatllëk”, si “armiq të unit”. Nga ku mund të vijë, atëherë, guximi për të thënë ‘unë’? Kjo ndodh falë një “fenomeni” që quhet takim, falë të cilit “unit i jepet mundësia të vendosë, të bëhet i aftë për të mirëpritur, për të njohur dhe mirëpritur. Guximi për të thënë ‘unë’ lind para të së vërtetës dhe e vërteta është një prani”.

“Që nga dita kur u mishërua dhe erdhi të banojë mes nesh, Hyji i ka dhënë njeriut mundësinë të dalë nga frika dhe të gjejë energjinë e së mirës duke ndjekur Birin e tij, i cili vdiq dhe u ngjall”, pohohet në mesazh.

“Marrëdhënia birnore me Atin e amshuar, i cili bëhet i pranishëm te njerëzit që i ka mbërritur dhe ndryshuar Krishti, i jep qëndrueshmëri unit, duke e liruar atë nga frika dhe duke e hapur atë ndaj botës me një qëndrim pozitiv”.

Duke përshkuar rrugë të reja

Prandaj “arsyeja e thellë për guximin e një të krishteri është Krishti”. “Zoti i ngjallur është siguria jonë, e cila na bën të përjetojmë një paqe të thellë edhe në mes të stuhive të jetës”, thuhet në mesazh.

Mesazhi në fjalë përfundon me urimin e Papës që në javën e Takimit organizatorët dhe mysafirët të japin “dëshmi të gjallë” për “gëzimin e Ungjillit” i cili “ngjall brenda nesh guximin për të marrë rrugë të reja”.

“Ne duhet të kemi guximin të gjejmë shenjat e reja, simbolet e reja, një mish të ri, veçanërisht tërheqës për të tjerët”, lexohet në rreshtat e fundit të tekstit, duke cituar dokumentin programor të pontifikatit Evangelii Gaudium. “Është kontributi që Ati i shenjtë pret që Takimi të japë për të rinisur, në vetëdijen se siguria e fesë na vë në ecje dhe bën të mundur dëshminë dhe dialogun me të gjithë”. Askush i përjashtuar, “sepse horizonti i fesë në Krishtin është mbarë bota”.

Marrë nga Vatican.Va.it

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme