10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Ne jemi të shfajësuar me anë të hirit, të thirrur...
HomeKryesorPapa Françesku: Ne jemi të shfajësuar me anë të hirit, të thirrur...

Papa Françesku: Ne jemi të shfajësuar me anë të hirit, të thirrur për të dëshmuar dashurinë e Hyjit

Në Audiencën e Përgjithshme në Sallën e Palit VI, Papa Françesku u përqendrua mbi temën e shfajësimit: dashuria e Krishtit na ka shpëtuar të gjithëve “gratis”. Përgjigja duhet të na shohë aktivë në dashurinë për Hyjin dhe të afërmin, përndryshe shfajësimi pa vepra “do të ngelet aty, nën tokë, si i vdekur”.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

E mërkurë, 29 shtator 2021

Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 9. Jeta në fe

Vëllezër e motra, mirëdita!

Në rrugëtimin tonë duke dashur të kuptojmë më mirë mësimin e shën Palit, ne takohemi sot me një temë të vështirë, por të rëndësishme, ajo e shfajësimit. Çfarë është shfajësimi [përdrejtësimi]? Ne, nga mëkatarë, jemi bërë të drejtë. Kush na bëri të drejtë? Ky proces ndryshimi është shfajësimi [përdrejtësimi]. Ne, para Hyjit, jemi të drejtë. Vërtetë, ne kemi mëkatet tona personale, por në bazë jemi të drejtë. Ky është shfajësimi. Është diskutuar shumë mbi këtë argument, për të gjetur interpretimin më koherent me mendimin e Apostullit dhe, siç ndodh shpesh, është arritur deri aty sa të kundërvihen qëndrimet. Në Letrën drejtuar Galatasve, si dhe në atë drejtuar Romakëve, Pali këmbëngul mbi faktin se shfajësimi vjen nga feja në Krishtin. “Po, unë jam i drejtë sepse i zbatoj të gjitha urdhërimet!”. Po, por shfajësimi nuk vjen prej kësaj, të vjen më përpara: dikush të ka shfajësuar, dikush të ka bërë të drejtë para Hyjit. “Po, por unë jam një mëkatar!”. Po, je i drejtë, por mëkatar, porse në bazë je i drejtë. Kush të bëri të drejtë? Jezu Krishti. Ky është shfajësimi.

Çfarë fshihet pas fjalës “shfajësim”, e cila është kaq vendimtare për fenë? Nuk është e lehtë të arrihet në një përkufizim shterues, por në tërësinë e mendimit të shën Palit mund të thuhet thjesht se shfajësimi është pasoja e “mëshirës së Hyjit që jep faljen” (Katekizmi i Kishës Katolike, n. 1990). Ky është Hyji ynë, kaq i mirë, i mëshirshëm, i durueshëm, plot mëshirë, i cili vazhdimisht jep faljen, vazhdimisht. Ai fal dhe shfajësimi është Hyji që fal të gjithë, që nga fillimi, në Krishtin. Mëshira e Hyjit që jep faljen. Njëmend, Hyji, përmes vdekjes së Jezusit – dhe këtë ne duhet ta theksojmë mirë: përmes vdekjes së Jezusit – ka shkatërruar mëkatin dhe na ka dhuruar, në mënyrë përfundimtare, faljen dhe shpëtimin. Kështu të shfajësuar, mëkatarët janë pranuar nga Hyji dhe pajtuar me Të. Është si një kthim në marrëdhënien zanafillore midis Krijuesit dhe krijesës, para se të ndërhynte padëgjesa e mëkatit. Prandaj, shfajësimi që Hyji kryen, na lejon të rimarrim pafajësinë e humbur me anë të mëkatit. Si ndodh shfajësimi? T’i përgjigjesh kësaj pyetjeje do të thotë të zbulosh një risi tjetër të mësimit të shën Palit: që shfajësimi ndodh me anë të hirit. Vetëm me hir: ne jemi shfajësuar vetëm falë hirit. “Po a nuk mundem unë, siç bën dikush, të shkoj te gjykatësi dhe të paguaj për të më dhënë drejtësinë?”. Jo, për këtë nuk mund të paguash, njëri ka paguar për të gjithë ne: Krishti. Dhe nga Krishti, që vdiq për ne, vjen ai hir që Ati ua jep të gjithëve: shfajësimi ndodh me anë të hirit.

Apostulli e ka gjithmonë në mendje përvojën që ia ka ndryshuar jetën: takimin me Jezusin e ngjallur në rrugën për në Damask. Pali ishte një njeri krenar, fetar, i zellshëm, i bindur se drejtësia qëndronte në zbatimin e përpiktë të urdhërimeve. Mirëpo, tani, ai është fituar nga Krishti dhe besimi në Të e ka shndërruar thellësisht, duke e lejuar atë të zbulojë një të vërtetë të fshehur deri atëherë: nuk jemi ne me përpjekjet tona ata që bëhen të drejtë, jo: nuk jemi ne; por është Krishti me hirin e tij që na bën të drejtë. Atëherë, Pali, për të pasur një njohuri të plotë mbi misterin e Jezusit, është i gatshëm të heqë dorë nga gjithçka që më parë e bënte atë të pasur (krh. Fil 3,7), sepse ka zbuluar se vetëm hiri i Hyjit e ka shpëtuar. Ne kemi qenë shfajësuar, kemi qenë shpëtuar vetëm nga hiri, jo nga meritat tona. Dhe kjo na jep besim të madh. Ne jemi mëkatarë, po; por ecim në rrugën e jetës me këtë hir të Hyjit i cili na shfajëson sa herë që kërkojmë falje. Por, nuk na shfajëson në atë moment: ne tashmë jemi të shfajësuar, por ai vjen për të na falur edhe një herë.

Feja ka një vlerë gjithëpërfshirëse për Apostullin. Prek çdo moment dhe çdo aspekt të jetës së besimtarit: nga pagëzimi deri në largimin nga kjo botë, gjithçka është e përshkuar nga besimi në vdekjen dhe ngjalljen e Jezusit, i cili dhuron shpëtimin. Shfajësimi me anë të fesë nënvizon përparësinë e hirit, që Hyji u ofron atyre që besojnë në Birin e tij pa asnjë dallim.

Prandaj, ne nuk duhet, sidoqoftë, të arrijmë në përfundimin se për Palin Ligji i Moisiut nuk është më i vlefshëm; përkundrazi, ai mbetet një dhuratë e pakthyeshme e Hyjit, është – shkruan Apostulli – “i shenjtë” (Rom 7,12). Edhe për jetën tonë shpirtërore është thelbësore të zbatojmë urdhërimet, por edhe në këtë nuk mund të mbështetemi mbi forcat tona: hiri i Hyjit që marrim në Krishtin është themelor, ai hir që na vjen nga shfajësimi që na ka dhënë Krishti , i cili tashmë ka paguar për ne. Prej tij ne marrim atë dashuri falas që na lejon, nga ana jonë, të duam në një mënyrë konkrete.

Në këtë kontekst, është mirë të kujtojmë edhe mësimin që vjen nga Jakobi Apostull, i cili shkruan: “Njeriu shfajësohet me vepra e jo vetëm me fe – duket e kundërta e asaj që thamë, por nuk është ashtu – […] Sepse, sikurse trupi pa shpirt është i vdekur, kështu edhe feja pa vepra është e vdekur” (Jak 2,24.26). Nëse shfajësimi nuk lulëzon me veprat tona, do të ngelet aty, nën tokë, si i vdekur. Aty është, por duhet ta zbatojmë me veprat tona. Kështu, fjalët e Jakobit integrojnë mësimin e Palit. Për të dy, pra, përgjigjja e fesë kërkon të jetë aktive në dashurinë për Hyjin dhe dashurinë për të afërmin. Përse “aktivë në atë dashuri”? Sepse ajo dashuri na ka shpëtuar të gjithëve, na ka shfajësuar falasshmërisht, gratis!

Shfajësimi na fut në historinë e gjatë të shpëtimit, e cila shfaq drejtësinë e Hyjit: përballë rënieve tona të vazhdueshme dhe pamjaftueshmërisë sonë, Ai nuk është dorëzuar, por ka dashur të na bëjë të drejtë dhe e bëri këtë me hir, nëpërmjet dhuratës së Jezu Krishtit, të vdekjes dhe ngjalljes së tij. Ndonjëherë kam thënë se cila është mënyra e veprimit të Hyjit, cili është stili i Hyjit dhe e kam thënë me tri fjalë: stili i Hyjit është afërsia, dhembshuria dhe butësia. Ai është gjithmonë pranë nesh, është i dhembshur dhe i butë. Dhe shfajësimi është pikërisht afërsia më e madhe e Hyjit me ne, burra dhe gra, dhembshuria më e madhe e Hyjit ndaj nesh, burrave dhe grave, butësia më e madhe e Atit. Shfajësimi është kjo dhuratë e Krishtit, e vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit që na bën të lirë. “Por, Atë, unë jam një mëkatar, kam vjedhur …”. Po, por në bazë je një i drejtë. Lejo që Krishti ta zbatojë atë shfajësim. Ne, në bazë, nuk jemi të dënuar, jo: ne jemi të drejtë. Ma lejoni këtë fjalë: në bazë, ne jemi të shenjtë. Por pastaj, me të vepruarit tonë ne bëhemi mëkatarë. Por, në bazë, ne jemi të shenjtë: le të lejojmë që hiri i Krishtit të dalë në sipërfaqe, që ajo drejtësi, ai shfajësim të na japë forcën për të ecur përpara. Kështu, drita e besimit na lejon të njohim se sa e pafundme është mëshira e Hyjit, hiri që vepron për të mirën tonë. Por e njëjta dritë gjithashtu na bën të shohim përgjegjësinë që na është besuar për të bashkëpunuar me Hyjin në veprën e tij të shpëtimit. Fuqia e hirit duhet të shkojë krahas me veprat tona të mëshirës, ​​që jemi të thirrur t’i jetojmë, në mënyrë që të dëshmojmë se sa e madhe është dashuria e Hyjit. Le të ecim përpara me këtë besim: të gjithë kemi qenë shfajësuar, jemi të drejtë në Krishtin. Ne duhet ta zbatojmë këtë drejtësi me të vepruarit tonë.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme