AUDIENCA E PËRGJITHSHME

E mërkurë, 19 tetor 2022

Të dashur vëllezër dhe motra, mirë se vini dhe mirëdita!

Në katekezat e këtyre javëve po ngulmojmë mbi kushtet paraprake për të bërë një dallim të mirë. Në jetë duhet të marrim vendime, gjithmonë, dhe për të marrë vendime duhet të bëjmë një ecje, një ecje dallimi. Çdo aktivitet i rëndësishëm ka “udhëzimet” e veta që duhen ndjekur, të cilat duhen ditur në mënyrë që të prodhojnë efektet e nevojshme. Sot, ndalemi mbi një përbërës tjetër të domosdoshëm për dallimin: historia personale e jetës. Njohja e historisë personale të jetës është një përbërës – si të thuash – i domosdoshëm për dallimin.

Jeta jonë është “libri” më i çmuar që na është dorëzuar, një libër që për fat të keq shumë nuk e lexojnë, ose e bëjnë shumë vonë, para se të vdesin. E megjithatë, pikërisht në atë libër, ne gjejmë atë që kërkojmë më kot në mënyra të tjera. Shën Augustini, një hulumtues i madh i së vërtetës, e kuptoi këtë gjë pikërisht duke rilexuar jetën e tij, duke vërejtur në të hapat e heshtur e diskret, por përcaktues, të pranisë së Zotit. Në fund të këtij udhëtimi ai do të rrëfejë me mahnitje: «Ti ishe brenda meje, dhe unë isha jashtë. Dhe atje të kërkoja. I deformuar, hidhesha mbi format e bukura të krijesave të tua. Ti ishe me mua, por unë nuk isha me ty» (Rrëfimet X, 27.38). Prej kësaj rridhte ftesa e tij për të kultivuar jetën e brendshme për të gjetur atë që kërkon: «Kthehu në vetvete. E vërteta banon në njeriun e brendshëm» (La vera religione, XXXIX, 72). Kjo është një ftesë që do t’ju bëja të gjithëve, madje ia bëj edhe vetes: “Kthehu në vetvete. Lexoje jetën tënde. Lexoje veten brenda, si ka qenë rrugëtimi yt. Me qetësi. Hyr sërish në veten tënde”.

Shumë herë edhe ne kemi bërë përvojën e Augustinit, të gjendemi të burgosur nga mendime që na largojnë nga vetja, mesazhe stereotipe që na lëndojnë: për shembull, “unë nuk vlej asgjë” – dhe ti ndihesh i rënë poshtë; “mua më shkon keq gjithçka” – dhe ndihesh përtokë; “kurrë nuk do ta realizoj diçka si duhet” – dhe ndihesh përtokë, dhe kështu është jeta. Me këto fraza pesimiste që ju rrëzojnë! Të lexosh historinë tënde do të thotë të njohësh edhe praninë e këtyre elementeve “toksike”, por më pas të zgjerosh gërshetimin e historisë sate, të mësosh për të vërejtur gjëra të tjera, duke e bërë atë më të pasur, më të respektueshme për kompleksitetin, gjithashtu të arrish të kapësh mënyrat diskrete me të cilat Hyji vepron në jetën tonë. Njëherë, unë pata njohur një person për të cilin njerëzit që e njihnin thoshin se ai meritonte çmimin Nobel për negativitet: gjithçka ishte keq, gjithçka dhe gjithmonë binte poshtë. Ishte një person i hidhëruar e megjithatë kishte shumë cilësi. Më pas ky person gjeti një person tjetër që e ndihmoi si duhet dhe, sa herë që ky ankohej për diçka, tjetri i thoshte: “Tani, për ta kompensuar, thuaj diçka të mirë për veten”. Dhe ai: “Po …, unë e kam edhe këtë cilësi”, dhe pak nga pak e ndihmoi të ecte përpara, ta lexonte mirë jetën e tij, edhe të këqijat edhe të mirat. Duhet ta lexojmë jetën tonë, dhe kështu ne shohim gjërat që nuk janë të mira dhe gjithashtu gjërat e mira që Hyji mbjell në ne.

Kemi parë se dallimi ka një qasje narrative [rrëfyese]: nuk ndalet mbi veprimin e caktuar, e vendos atë në një kontekst: nga vjen ky mendim? Nga vjen kjo gjë që po ndjej tani? Ku më çon kjo që po mendoj tani? Kur e kam ndeshur më parë? A është diçka e re që më vjen tani, apo e kam ndeshur në raste të tjera? Pse është më këmbëngulës se të tjerët? Çfarë dëshiron të më thotë jeta me këtë gjë?

Rrëfimi i ngjarjeve të jetës sonë na lejon gjithashtu të kapim nuanca dhe detaje të rëndësishme, të cilat mund të rezultojnë një ndihmë e çmuar, e mbetur e fshehur deri në atë moment. Për shembull, një lexim, një shërbim, një takim, në pamje të parë të vlerësuara si pak të rëndësishme, në të ardhmen përçojnë një paqe të brendshme, përçojnë gëzimin e të jetuarit dhe sugjerojnë nisma të tjera të mira. Është e domosdoshme të ndalesh e ta njohësh këtë gjë. Të ndalosh do të thotë të njohësh: është e rëndësishme për dallimin, është një punë që mbledh ato perla të çmuara dhe të fshehura që Zoti ka shpërndarë në tokën tonë.

E mira është e fshehur, gjithmonë, sepse e mira ka cipë dhe fshihet: e mira fshihet; është e heshtur, kërkon një gërmim të ngadaltë dhe të vazhdueshëm. Sepse stili i Hyjit është diskret: Hyjit i pëlqen të shkojë i fshehur, me maturi, ai nuk imponohet; është si ajri që thithim, nuk e shohim por na bën të jetojmë dhe e vërejmë vetëm kur na mungon.

Të mësuarit për të rilexuar jetën personale edukon shikimin, e mpreh atë, na lejon të hetojmë mrekullitë e vogla që Hyji i mirë bën për ne, çdo ditë. Kur e marrim vesh, vëmë re drejtime të tjera të mundshme që përforcojnë shijen e brendshme, paqen dhe kreativitetin. Mbi të gjitha na bën më të lirë nga stereotipet toksike. Urtësisht është thënë se njeriu që nuk e njeh të kaluarën e vet është i dënuar ta përsërisë atë. Ngjall kureshtje: nëse ne nuk e njohim rrugën që kemi bërë, të shkuarën, e përsërisim gjithmonë, jemi rrethor. Njeriu që ecën në një rreth nuk shkon kurrë përpara, nuk ka ecje, është si qeni që kafshon bishtin, shkon gjithmonë kështu dhe përsërit gjërat.

Mund ta pyesim veten: a ia kam treguar ndonjëherë dikujt jetën time? Kjo është një eksperiencë e bukur e të fejuarve, të cilët, kur e kanë seriozisht, flasin për jetën e tyre… Bëhet fjalë për një nga format më të bukura dhe intime të komunikimit, rrëfimi i jetës përkatëse. Na lejon të zbulojmë gjëra të panjohura deri në atë moment, të vogla dhe të thjeshta, por, sikurse thotë Ungjilli, pikërisht nga gjërat e vogla lindin gjërat e mëdha (krh. Lk 16,10).

Jetët e shenjtërve përbëjnë gjithashtu një ndihmë të çmuar për të njohur stilin e Hyjit në jetën tonë: ato na lejojnë që të familjarizohemi me mënyrën e tij të të vepruarit. Disa sjellje të shenjtërve na interpelojnë, na tregojnë domethënie të reja dhe mundësi të reja. Kështu ndodhi, për shembull, me shën Injacin e Loyolës. Kur përshkruan zbulimin themelor të jetës së vet, ai shton një sqarim të rëndësishëm dhe thotë kështu: «Nga përvoja kishte nxjerrë përfundimin se disa mendime e linin të trishtuar, të tjera të gëzuar; dhe pak nga pak mësoi të njihte larminë e mendimeve, larminë e shpirtrave që lëviznin në të» (Autob., n. 8). Të njohësh, pra, se çfarë ndodh brenda nesh, të njohësh, të jesh i vëmendshëm.

Dallimi është leximi narrativ i kohëve të mira dhe të errëta, i ngushëllimeve dhe shkretimeve që përjetojmë gjatë jetës sonë. Kur bëjmë dallim është zemra ajo që na flet për Hyjin dhe ne duhet të mësojmë për ta kuptuar gjuhën e saj. Le ta pyesim veten, në fund të ditës, për shembull: çfarë ndodhi sot në zemrën time? Disa mendojnë se të bësh këtë rrëmim të ndërgjegjes është si të bësh kontabilitet për mëkatet e bëra – bëjmë shumë – por është edhe të pyesësh veten “Çfarë ka ndodhur brenda meje, a pata gëzim? Çfarë më solli gëzim? Mbeta i trishtuar? Çfarë ma solli trishtimin? Dhe kështu ne mësojmë të bëjmë dallim se çfarë ndodh brenda nesh.